Ne e kemi tepruar!

Për moshën time në fakt është jo-normale të flas për këso gjëra, por kuptoj shumë gjëra dhe më mbushin me mllef dhe nuk duroj dot pa i thënë! I marrim lakmi nxënësit tjerë kur i shikojmë duke bërë party dhe duke “shfrytëzuar lirinë në maksimum”, edhe ne njëjtë ashtu veprojmë por tejkalojmë limitin, dhe ajo është gjëja parë qe duhet t’i vëmë kufi tek ne. Nxënësit e tjerë, të themi bashkëmoshatarët tanë maqedonas në shkolla fillore dhe në të mesme sillen si të jenë “të lirë” por kur vjen koha për në Fakultet, aty ata ndryshojnë dhe “nxehin karrigen” derisa ne ende jemi duke festuar në një “Party”.
Ata punësohen me rroga të mira dhe po e shijojnë jetën derisa shqiptarët punë tjera që nuk vlerësohen aq shumë te ne. Nuk dua të tregohem aspak racist apo dikush që i urren maqedonasit as nuk kam asgjë kundër tyre pasi jo të gjithë janë të njëjtë.

Ndërsa ne e kemi tepruar! Më vjen turp ndonjëherë kur profesori pyet: “A ka ndokush një qëllim qe dëshiron t’a arrijë?” dhe askush nuk ngre dorën të jep përgjigje sepse nuk ka vetëbesim, rri ulur aty “me dy mendje”. Faji është te ne sepse nuk zgjohemi nga ky gjumë që Sistemi na ka futur, faji është tek ne kur marrim lakmi në gjënë e huaj.

Mund ta përshkruaj me moton “Kur e ke por nuk e do, kur e do por nuk e ke”.

Si nxënës që jam, nuk kujdesem aq shumë për shkollën pasi që na jep mundësinë më minimale të jemi kreativ, të tregojmë pak atë që e dimë vetë, të tregojmë pak nga ajo dituria qe Zoti na ka falur. Në fakt, nëse të paktën tentosh ta bësh këtë gjë tek ne, nënvlerësohesh me fjalë si për shembull: “Nuk do arrish kurrë”.
Dëshira ndaj diturisë që të imponon të flasësh për diturinë nënvlerësohet tek ne dhe përshkruhemi si “Filozof” pasi që kam parë se 70% i nxënësve të moshës sime as nuk janë në dijeni se çfarë definicioni ka emri/fjala “Filozof”. Ky lloj nënvlerësimi as nuk ta rritë inatin që të mësosh, por në fakt ta humb edhe inatin edhe vullnetin dhe shpresat për të arritur, të vendos në një fazë depresioni.

Problemi më i madh është se edhe ai që nuk e do fare shkollën apo nuk tregon asnjë pikë interesimi për dituri, po t’ja thuash këto gjëra, do i merr me seriozitet fjalët por serish do të vazhdojë rrugën e tij dhe kjo duhet ndryshuar tek ne rreptësisht!
Siç thashë më parë është jonormale që unë të flas për këto gjëra, por dua që të paktën ai/ajo që e lexon këtë ta dij se cila është poenta e gjithë kësaj teme. Nëse me të vërtetë dëshiron që të arrish ndonjë gjë, atëherë mos merr lakmi në gjërat e huaja dhe rreziko, janë dy hapat e parë që është patjetër t’i marrësh.

Fati juaj është në duart e juaja, mendohuni dhe zgjidhni. Unë kam zgjedhur.

Rasim Ajredini, fshati Saraj, nxënës i shkollës SH.M.Q.SH. “Arseni Jovkov”.

Lajme të ngjashme

Back to top button