Tadiq: Deklarata e Nikoliqit katastrofale dhe ofenduese ndaj shqiptarëve

Ish presidenti serb Boris Tadiq, vlerëson se deklarata e pasardhësit të tij, Tomislav Nikoliq, ku tha se Shqipërisë i duhen shekuj për t’u bërë shtet normal, është katastrofale dhe ofenduese. Për incidentin, ai beson se do të shërbejë për të mirë, pasi të dy popujt do ta kuptojnë se vetëm bashkëpunimi ja vlen.

Tadiq duke komentuar deklaratën e presidentit serb Tomislav Nikoliq, thotë se ajo është katastrofale, dhe i bënë dëme edhe vetë Serbisë. “Këto janë deklarata katastrofale. Janë deklarata ofenduese dhe burojnë nga një filozofi politike, e cila nuk është fare e dobishme, jo vetëm për raportet tona ndërnacionale, por edhe për vetë Serbinë. Mendoj se është shumë më rëndësi që të respektohet identiteti i të tjerëve. Ne në Ballkan kemi pasur konflikte edhe për faktin që nuk e kemi respektuar identitetin e tjetrit”, ka thënë Tadiq në një intervistë për radion gjermane Deutsche Welle.

Ai thotë se flamuri i Shqipërisë së madhe në qiellin e kryeqytetit të Serbisë, mbi Beograd, është pa dyshim një provokim shumë i madh, por sipas tij ky kurrsesi nuk mund të shërbejë si shkak për raporte ofenduese ndaj popullit shqiptar.

Ndërsa për shtyrjen e vizitës së Edi Ramës, ish presidenti serb ka thënë se më mirë që është shtyrë se sa të anulohej fare. “Shumë me rëndësi është që kjo vizitë të realizohet dhe që vizita të realizohet në një frymë konstruktive mes dy kryeminsitrave. Tema më e vështirë natyrisht do të jetë çështja e Kosovës. Por këtë duhet vënë në kontekstin e përgjithshëm në raportet shqiptaro-serbe”.

Sa i përket asaj nëse ky incident ka rikthyer raportet serbo – shqiptare aty ku ishin disa vite më parë, Tadiq thotë se përkundrazi, beson se ky rast do të ndikojë si një kthesë për të mirë.

“Ndoshta do të befasoheni, por mendoj se pikërisht kjo ndeshje, e cila ka zhveshur në tërësi raportet mes nesh dhe ka treguar se sa të ndieshme janë këto raporte, mund të shërbejë si një faktor kthese. Mendoj se kjo krizë në raportet tona mund të shërbejë si kthesë për zgjidhjen e problemeve”.

“Bashkësia ndërkombëtare do të na respektojë më shumë, nëse ne vetë i zgjidhim problemet tona. Ndaj mendoj se Serbia dhe shqiptarët duhet të kuptojnë këtë rast si një shans shumë të madh. Ne duhet të tregojmë gatishmëri për zgjidhjen e problemeve të mëdha, të cilat ekzistojnë për më shumë se një shekull. Por mendoj se ka ardhur koha të zgjidhim problemet, që na i kanë lënë paraardhësit tanë”.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Une mendoj se qellimi i banerit ka qene qe ti tregohet Serbve dhe Europes se ne ato kufij na ekzistojme dhe jemi autokton edhe pse gjendemi ne disa shtete. E gjith kjo vjen si rrezulltat i moslejimit te te qenit pjesmarres ne ndeshjen e futbollit qe eshte nje veprim i paprecdent si dhe anashkalimit te flamurit tone.

Back to top button