Vitin e ardhshëm Maqedonia duhet të kthej 425 milion euro borxh

Ministri i financave Zoran Stavrevski, deklaroi se nga viti i ardhshëm Maqedonia do të fillojë me kthimin e borxhit. Ai tha se me mjetet e buxhetit të planifikuar për vitin 2015, janë siguruar paratë për pagesën e borxhit prej 425 milion euro.

“Vitin e ardhshëm do të paguhen 425 milion euro. Paratë janë siguruar nga buxheti që sapo u miratua në kuvend. Mes të tjerash do të kthehen edhe mjetet për euro-obligacionin që ishte marrë në vitin 2005 nga LSDM-ja. Euro-obligacioni që morëm ishte në kushte jashtëzakonisht të volitshme, kështu që mjetet janë siguruar”, deklaroi Zoran Stavrevski, Ministër i Financave, transmeton Alsat.

Nga ana tjetër, sot Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore mori hua prej 52 milion eurosh nga Banka Botërore me garanci prej Ministrisë së Financave. Paratë merren me një periudhë 6 vjeçare para se të nisë kthimi i borxhit, që do të zgjasë 23 vjet. Me paratë do të ndërtohen rrugë sikurse ajo magjistrale nga Manastiri në Ohër, e gjatë 29 km.

“Rruga rajonale nga Novo Sella e Gostivarit, ku është bashkimi me magjistralen Gostivar- Kërçovë e deri në Dibër, më saktë akset nga Novo Sella deri te diga Mavrovë, si dhe nga ura e Boshkut deri në Dibër me gjatësi prej 20 km. Rruga magjistrale Koçanë-Dellçevë që kalon përmes Makedonska Kamenicës me gjatësi prej 30 km dhe rruga rajonale Tetovë-Brvenicë-Çegran-Gostivar me gjatësi prej 17 km”, u shpreh Lupço Georgievski, Drejtor i Ndërmarrjes për Rrugët Shtetërore.

Fillimi i këtyre punimeve paralajmërohet për vitin e ardhshëm, ndërsa pritet edhe një hua tjetër prej 150 milion euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button