Shiu i Nëntorit

Liza ecte rrugës e emocionuar.Ndonjëherë i ndodhte të shohë dorën e saj  me gishtat e gjatë dhe të bukur ku ka vendosur unazën që mori  dhuratë për ditëlindje.Unaza është e madhe dhe i pengon po Liza nuk e heq nga dora, madje e shtërngon fort. Liza nuk bezdiset nga gjërat që do.Ndonjëherë i duket sikur është më mirë te mos e ketë mendjen aq shumë tek ajo unazë.Ndoshta duhet ti kthejë sytë më shumë tek e ardhmja.Sado që  të mos dojë ta pranojë ajo unazë i përket më shumë të kaluarës.

Liza do  të ketë një familje plot me fëmijë dhe me libra. Ndoshta edhe një shtëpi në fshat pranë ndonjë lumi të vogël dhe të lezetshëm. Mund të mësojë ti dojë edhe lopët. I ka parë lopët vetëm në letrat mbështjellëse të çokollatave të saja të preferuara ,,Milka ,, po ndoshta mund të mësojë ti dojë edhe lopët e vërteta. Vetëm gomarët nuk beson se mund ti dojë . As mushkat. Ndoshta ngaqë nuk i do njerëzit kokëfortë.Liza nuk i do as njerëzit shumë të edukuar dhe me shumë popullaritet.Liza i do njerëzit me zemër. Mund të martohet edhe me ndonjë fshatar. I pëlqejnë njerëzit e thjeshtë pa  shume  gjeste të shtira. Po Liza nuk do fshat me thashetheme keqdashëse dhe prapambeturi të kota.  Do fshat ku mbretërojnë ligjet e natyrës. Edhe dashurinë Liza e do të tillë. Pa turp , pa zakone e rregulla.Të puthesh kur të të puthet e të përqafohesh kur të të doje shpirti , aty ndoshta pas ndonjë shkureje plot me miza dhe grerëza. Po ndoshta Liza këtë tablo e ka parë në një pikturë të mrekullueshme  që ka në shtëpinë e saj.Ndoshta edhe një dashuri fshati  nuk është edhe aq e bukur sa në pikturë .

Tani  nuk është më e sigurtë nëse akoma mund ta vendosë Arianin në ketë tablo ashtu siç bënte dikur.Pas bursës që ai fitoi për të studiuar jashtë diçka në tablonë e Lizës ndryshoi. U gëzua sinqerisht kur morën lajmin e fitimit të bursës dhe festoi deri vonë me Arianin suksesin e tij.Po ajo nuk e kishte menduar ndryshimin që mund të bënte një e drejtë studimi.Ai nuk do të ishte më i njëjti kur të kthehej  nga Viena . Nëse kthehej ndonjëherë. Arianit që tani i ishte rritur nami dhe shumë vajza të pasura që studionin në Vienë e kishin marrë  që tani nën mbrojtjen e tyre.I tregonin mënyrën e funksionimit të jetës në Vienë dhe ai e kishte pranuar me kënaqësi shumë të madhe këtë. Liza e dinte se Ariani do ti mbaronte me suksese të larta studimet sepse të gjithë e njihnin Arianin po ajo e ndjente se sa më shumë që rritej ai aq më shumë largohej prej saj.Akoma bisedonin si dikur po tani diçka kishte ndryshuar.Tani ishte ai që  vendoste kur të flasin , kur të dalin. Tani udhëhiqte ai dhe Liza e ndjente veten të vogël.Nuk kishte qenë asnjëherë e vogël në sytë e Arianit.Megjithatë ajo e  dinte se kur prishet ekuilibri  në një lidhje  atëherë dikush mbetet gjithmonë i pakënaqur  dhe është vetëm çështje kohe kur lidhja përfundon sepse çdo njeri pret  respekt dhe vlerësim nga një dashuri.Liza e dinte se tanimë jo vetëm që ishte bërë e vogël në sytë e tij po ajo dyshonte se ishte bërë e padukshme fare. Duhej patjetër ti jepte fund.Po të mos e bënte ajo do ta bënte Ariani dalë nga dalë dhe kjo do të dhembte akoma më shumë. E dinte se në Vienë studiojnë shumë vajza nga Kosova dhe Shqipëria që nuk do të linin gur pa lëvizur për të bërë për vete një djalë si Ariani.Shikoi prapë unazën. Nuk e dinte nëse kishte të njëjtën vlerë si dikur.I telefonoi.Nuk e hapi. Mund të ishte me shoqet e tij të reja që studionin në Vienë dhe që kishin ardhur për këte fundjavë të zgjatur.Kohëve të fundit nuk ia hapte gjithmonë celularin si dikur.

Ecte rrugës dhe lotët padashur i rridhnin në faqet e bukura. Sa shumë që dhimbte një dashuri . Po më shumë se dashuria dhembte refuzimi. Mos hapja e telefonit. Kapadaillëku. Ngadalë nxori unazën nga gishti dhe e shtërngon fort në pëllëmbë të dorës. Nuk do ta hedhë kudo. E ka të vështirë të ndahet prej saj. Po e di se duhet ta bëjë patjetër. Ashtu siç duhet të bëjë edhe me kujtimet. Po nuk do ta hedhë te koshi i plehrave aty te cepi i rrugës.Ishte një dashuri e pastërt dhe ajo nuk mund ta hedhë atë unazë në plehëra. Kush e di mund të mbetet edhe dashuria më e pastërt  që  do të kenë rastin të përjetojnë të dy në jetën e tyre.Arrin me hapa të ngadalta te Ura e Gurit.Aty ndalet. A vlen një dashuri më shumë se një bursë studimi?Se një karrierë plot suksese?Liza nuk e di këtë.Shikon me kujdes kalimtarët. I lë përshtypje një burrë tek të pesëdhjetat  i veshur me kostum dhe me një çantë në dorë. Në fillim nguron pak ,po pastaj mbledh veten dhe i afrohet burrit me kostum dhe e pyet nëse ai mund ti tregojë nëse një dashuri vlen më shumë se një e drejtë studimi jashtë.Burri qesh i hutuar. Është i pa pregaditur për një pyetje të tillë.Shikon  me buzëqeshje fëmijërore vajzën  e re dhe mendohet një çikë.Një dashuri vlen gjithmonë .Shumë më shumë nga ç’duam ta pranojmë.Pavarësisht gjithçkaje , mos e hidh unazën-  thotë duke hedhur shikimin te dora e Lizës që mban unazën në pëllëmbë të dorës. Dorën e ka nxjerë jashtë mureve të urës dhe pëllëmbën e mban të hapur.Liza mendohet një çikë. Ndoshta ka të drejtë . Ndoshta nuk duhet ta hedhë unazën.Dhe kur po kthehet ta përshëndesë me dorë burrin e panjohur që e sheh akoma  duke buzëqeshur me keqardhje , unaza i bie nga dora dhe valët e lumit Vardar e marin me vete. Nxjerr kokën dhe sheh lumin që mori unazën e saj. I erdhi keq që i ra unaza.Ndoshta burri me kostum kishte të drejtë. Sido që të ishte ajo unazë kishte një histori prandaj edhe vlente. Ndoshta pas disa vitesh asnjëri nga ata nuk do ta kujtontë më atë unazë.Po  ndoshta … ndoshta do ta kërkonin të dy në sytë e mijëra njerëzve  unazën që ata hodhën pa u menduar shumë në rrjedhën e jetës dhe kohës.

Vazhdon shëtitjen e menduar.Për një moment qielli errësohet shumë dhe fillon një shi i rrëmbyeshëm. Liza shtang. E kishte harruar shiun që e priste edhe atë. Po mendonte për unazën që mori lumi po nuk kishte menduar për jetën e saj pas kësaj unaze që shkoi. Po natyra po ia përkujtonte pa pikë mëshire me këtë shi të rrëmbyeshëm. U përpoq të strehoet diku po nuk kishte asnjë objekt pranë ku mund të strehojej. Disa kalimtarë nxorën çadra ndërsa disa ikën me vrap. Ajo si gjithmonë nuk kishte çadër. Kishte mbetur pa çadër edhe përpara thashethemeve të shoqërisë. Fjalët e botës , pak të vërteta e shumë të trilluara do të binin mbi të më keq se ky shi. Çdo dashuri e dështuar kishte pas vetes një stuhi gënjeshtrash dhe nënçmimesh.Liza ecte nëpër Urën e Gurit dhe nuk e kuptonte nëse faqet i kishte të lagura nga lotët apo nga shiu.Pa e ditur as vetë pse, i erdhën ndër mënd fjalët e këngës së  Guns and Roses…

,,…..Or I ll just end up walking       …..in the cold November Rain..,,

Ndoshta do të vazhdoj edhe unë të eci nën shiun e ftohtë të nëntorit – mendoi…

(vazhdon) 

Mirela Daci Hambari  

Mirela Daci Hambari u lind në Dibër më 19.07.1979. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes ndërsa studimet e larta  gjegjësisht Fakultetin ekonomik në Universitetin ,, Kiril e Metodij ,, në Shkup.Që në moshë të re pranohet si anëtare e Lidhjes së  Shkrimtarëve ,,Art Klub ,, të Qytetit të Dibrës  dhe  merr pjesë  aktive  në të gjitha envenimentet letrare. Jeton dhe punon në Shkup dhe për momentin po pregadit librin e saj të parë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button