Mavraj ishte i përgatitur për dhunën që mund ta nxisin serbët

“Që nga minuta e parë e ndeshjes isha i sigurt se do të shpërthejë dhuna”, thotë mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, pas sfidës së ndërprerë në Beograd. Ai vazhdon të mos jetë i qetë, përderisa UEFA të marrë vendim për këtë duel, ndërsa shpreson se Shqipëria do t’i marrë tri pikë në tavolinë.

Dhunës së shkaktuar nga tifozët serbë në mbrëmjet e 14 tetorit në sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë, nuk kishte si t’i shpëtojë as Mavraj. Edhe ai pranoi grushte nga një huligan serb, por thotë se nuk pësoi asnjë lëndim.

Për ‘Sport Plus’ ai shpjegon tmerrin që përjetuan të gjithë futbollistët.

“Ishte vërtetë tmerr. Shpresoj të mos ndodhë më”, shtoi Mavraj.

I pyetur se cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë gjithë situatës, ai theksoi se “çdo moment ishte i vështirë”.

Fotot e publikuara nga agjencitë e ndryshme botërore tregojnë një rast kur një huligan serb vrapon për ta grushtuar Mavrajn. Mbrojtësi kosovar kishte zgjatur dorën dhe me qetësi e priste huliganin që po vinte në drejtim të tij.

“Reagova me qetësi, sepse që nga minuta e parë e ndeshjes isha i sigurt se do të shpërthejë dhuna”, tregon Mavraj, i cili nuk u lëndua nga ajo goditje. “Jo, u vetëmbrojtja dhe fatmirësisht nuk mora lëndime”.

Për këtë gjest, nga mediat gjermane Mavraj ishte vlerësuar si një karateist i përgatitur mirë për një situatë të tillë.

Sa i përket dronit me flamurin e Shqipërisë etnike, mbrojtësi shtatlartë theksoi se ishte tejet i emocionuar kur e pa. Ato momente, tifozët serbë filluan të gjuajnë fishekzjarrë në fushë sa që e detyruar gjyqtarin anglez, Martin Atkinson, ta ndalojë lojën.

“I tregova që ne nuk dimë asgjë nga vjen ky flamur dhe nuk ishte plani jonë për ta sjellë në stadium”, njofton Mavraj.

Pas gjithë kësaj, Mavraj shpreson se shtëpia e futbollit evropian do të marrë një vendim pro Kombëtares shqiptare, pasi të gjitha faktet janë në anën e tyre.

“Të gjithë e dinë se ne ishim viktimë e asaj dhune dhe me këtë rast nuk ka zgjidhje tjetër veç faktit që Shqipërisë t’i jepen tri pikë”, pohoi Mavraj. /Sport Plus/

Lajme të ngjashme

Back to top button