Xhemaili: Nuk ka kërkesë për ndryshim të emrave të shkollave në Tetovë

Kreu i këshillit komunal Isen Xhemaili tha se gjatë këtij mandati nuk është parashtruar kërkesë për ndryshimin e emrave të shkollave të mesme në Tetovë, megjithatë, sipas tij, komuna mirëpret iniciativat e tilla.

“Deri tani sa jam unë kryetar i këshillit të komunës nga ana e këshillave të shkollës qoftë fillore apo të mesme nuk ka ndonjë iniciativë për ndryshim të emrave. Por sigurisht ne do i përkrahim, edhe në planet tona dhe në programet tona zgjedhore ne kemi pasur këtë pra të ngremë iniciativa për ndryshime të rrugëve dhe shesheve që ato ta pasqyrojnë realitetin që mbizotëron në komunën tonë”, deklaroi për Alsat M, Hisen Xhemaili, Kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës.

Alsat mëson se një kërkesë e tillë, për ndryshim e emrit të shkollës, ka pasur edhe 4 vjet më parë, por ajo ka qenë refuzuar nga përbërja e atëhershme e këshillit komunal. Dërgimin e asaj kërkese e konfirmon edhe drejtori i shkollës së mesme “Gjoce Stojçevski”.

“Ka pasur iniciativë për ndryshimin e emrit, ka pasur dy herrë është ngritur iniciativa nga ana e prindërve dhe të punësuarve të shkollës për ndryshimin e emrit, konkretisht për ndryshim të emrit të shkollës sonë me të vetmin arsyetim se është një emër nga e kaluara komuniste. Iniciativa është ngritur diku kah viti 2009, por deri tani nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje për këtë problematikë të ngritur”, u shpreh Abaz Abazi, Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Gjoçe Stojçevski”.

Ndërsa nga Gjimnazi Kiril Pejçinoviç, pranojnë se nuk kanë bërë një kërkesë, duke pritur se do të ishin institucionet ato që do merrnin një iniciativë të tillë.

“Unë flas për periudhën kohore sa jam në këtë pozitë, drejtor i gjimnazit nuk ka pasur një iniciativë nga organet që mund të iniciojnë çështje të tilla, nuk kam pasur gjatë këtyre muajve që jam në detyrë. Nëse do ketë iniciativë të këtilla qoftë këshilli i prindërve apo i arsimtarëve apo e ndonjë grupi  edhe pse në detaje nuk e dimë si është procedura e inicimit për ndryshim të emrave por nuk ka një gjë të këtillë”, deklaroi Namik Mustfa, Drejtor i Gjimnazit të Tetovës ”Kiril Pejçinoviç”.

Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi theksoi se ka biseduar personalisht me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, që çështja e ri-emërtimit të shkollave të marrë epilog.

Lajme të ngjashme

Back to top button