“Brovina duhet ta thërras seancën edhe pa PDK-në”

Para gati dy javësh partitë e Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje u mblodhën në seancë për të debatuar për zgjidhjen e ngërçit politik e institucional.

Në seancën që nuk ishte thirrur nga kryesuesja Flora Brovina, e ku mungoi PDK-ja dhe deputetët e komuniteteve pakicë, Vjosa Osmani në emër të partive të Bllokut shprehu zotimin se do të vazhdojnë të mbajnë seanca edhe pa ftesën e Brovinës.

“Nëse zonja Brovina nuk e thërret seancën konstituive, përsëri sikur kësaj here, shumica parlamentare do të angazhohet për vazhdim të seancës dhe për konstituim të Kuvendit në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare”, ka thënë Osmani.

Por, tani duket se partitë e Bllokut kanë ndryshuar mendim sa i përket vazhdimit të seancave të tilla. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se nga seanca e 9 tetorit kanë dalë konkluzionet dhe tani ato duhet të zbatohen.

“Nuk e kemi parë të arsyeshme që të vazhdojmë, sepse në fakt konkluzionet e dala tani duhet të zbatohen dhe ne do të presim momentin e duhur derisa të arrijmë në zbatimin e këtyre konkluzioneve të dala nga vullneti i mbi 60 deputetëve të cilët atë ditë e thanë fjalën e vetë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Kadaj-Bujupi tha se PDK-ja duhet të reflektojë, ndërsa presidentja të marrë veprime konkrete për zgjidhjen e kësaj situate.

Njohësi i rrethanave kushtetuese, Xhavit Shala thotë se kryesuesja Flora Brovina duhet ta thërras seancën, edhe nëse bojkotohet nga PDK-ja.

“Ajo duhet ta thërras seancën, e ka kuorumin. Nëse PDK-ja nuk dëshiron të shkojë në seancë, në mënyrë hipotetike, paramendoni nëse PDK-ja bojkoton, a duhet të bojkotohet tërësisht krijimi i institucioneve. Prandaj kryesuesja duhet të veprojë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konform Kushtetutës dhe rregullave, të shkojë në seancë dhe të vazhdojë”, tha Shala.

Ndërkohë, Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me kryesuesen e seancës, Flora Brovina, lidhur me atë se kur do ta thërras seancën, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Sidoqoftë, Brovina në vazhdimësi ka thënë se nuk do të thërras seancë pa një marrëveshje mes partive, që nënkupton përfshirjen edhe të PDK-së, të cilës Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën e patransferueshme që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button