Nesër hapet panairi i librit shqip në Tetovë, mbi një mijë tituj të ri

“Pritet që ky të jetë panairi i librit më i vizituar deri më tani” me këto fjalë kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni (SHBSH), Qamil Rufati paralajmëron hapjen e panairit të librit shqip në Tetovë, edicioni i katërmbëdhjetë.

Nga nesër e deri më 25 tetor në Qendrën e Kulturës të qytetit të Tetovës dashamirët e librit do të mund të shfletojnë librat që do tu ofrohen nga botuesit e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Qamil Rufati për Portalb thotë se risi në këtë  panair është promovimi i librit “Hëna e Shqipërisë” nga autori i mirënjohur shqiptar Ben Blushi i cili sivjet është fitues i Çmimit Evropian për Letërsi” për Shqipërinë me librin “Otello, Arapi i Vlorës.” Ai gjithashtu premtoi se do të ketë shumë tituj të ri librash në panairin e sivjetmë.

“Në këtë panair shtëpitë botuese kanë premtuar se do të sjellin mbi një mijë tituj të ri të librave dhe presim që të jetë ky panairi më i vizituar në këto vite për shkak të llojllojshmërisë së titujve dhe titujve të ri. Panairi i librit shqip tani më ka marrë karakterin e një manifestimi tradicional kulturor në qytetin e Tetovës, duke shtuar në këtë mënyrë interesimin e lexuesit shqiptar në këto treva.” thotë Rufati për Portalb, duke shtuar se që nga viti 2000 deri në vitin 2014 SHBSH ka organizuar 27 panaire në qytetet e ndryshme të Maqedonisë Perëndimore.

Hapjen solemne të panairit nesër në ora 16 do ta bëjë sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bexhihudin Shehapi, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi  dhe të tjerë.

Lajme të ngjashme

Back to top button