Gazetaria kombëtare dhe fusha jo aq e gjelbërt!

A mund të flasim për një gazetari kombëtare, e dallueshme për nga kultura, historia dhe tradita e gazetarit? Si mund të shihet e njejta ngjarje nga të dyja palët?

Ajo që ndodhi në Beograd flet qartë për plagët akoma të hapura në mes dy komuniteteve. Reagime pafund nga të dyja anët, ankthi nga pritja e vendimit  të UEFA-s më vete, spekulime sa të duash nga disa portale, tituj që s’korrespondojnë me tekstin, manipulim i fotografive dhe lojë kamerash, e kështu me radhë, tregon se këtu diçka nuk shkon dhe është shumë e vështirë për të dekodifikuar problemin. Andaj për të mos u futur në mes të tymnajës, të shohim pak se ç’ndodhi me gazetarinë shqiptare dhe atë serbe, pikërisht në momentin kur nga të dyja palët lypsej korrektësi profesionale. Sa arritën ata të përmbushin këtë detyrim? Përvoja thotë se mediat kanë qenë bashkëudhëtare, shpesh herë edhe avangardë e nxitjeve nacionaliste në kohë luftrash dhe konfliktesh në mes dy kombësive dhe kuptohet që kjo është e dënueshme sa i përket asaj që quhet deontologji e mediave dhe parimet etike të saj, të cilat po të thellohesh, lindin, ngriten dhe zhvillohen mbi bazën e konditave të feve monotesite. A mund të ketë lidhshmëri në mes gazetarisë dhe identitetit kombëtar?
Nëse hulumtojmë mbi terminologjinë e gazetarisë ndërkombëtare, e cila ofrohet edhe si program i veçantë studimi në fakultetet dhe departamentet e gazetarisë në mbarë botën universitare, aty thuhet që ekziston edhe gazetaria kombëtare, që ndoshta në pamje të parë mund të duket pak absurde kur e dimë që asnjë profesion s’ka pse të ketë lidhje me kombin. E vërtetë, por nuk vlen e njejta edhe për profesionistin, i cili punën e tij nuk e ushtron në ajër, por është ngushtësisht i lidhur me fokusgrupin, që del të jetë popullata, jodomosdoshmërisht homogjene etnikisht, por në të shumtën e rasteve edhe është.
Pra kjo natyrë bipolare e identitetit profesional nga njëra anë dhe kombëtar nga ana tjetër, lehtëson të mirëkuptojmë të gjithë ata që në raportimet apo analizat e tyre priren të “mbrojnë” kombin dhe kulturën e tyre përballë një kulture tjetër që mund të jetë e ndryshme. Por asesi nuk e gjen në literaturë justifikimin e racizmit dhe shtrembërimin, fshehjen apo shpifjen e informacionit në favorin tënd, duke dashur të tregosh epërsi përballë tjetrit. Këtë mund t’a bëjnë huliganët në një ndeshje futbolli dhe është krejt normale për këtë kategori (por jo e justifikueshme), e shpjeguar edhe nga teoria e psikologjisë së turmave. Duhet bërë dallim midis “gazetarisë” raciste e nacionaliste dhe asaj kombëtare që në fakt janë dy gjëra të ndryshme. Madje profesori i Columbia University, Furio Colombo, në një botim të tij thotë se ashtu sikurse në të gjitha veprimtaritë profesionale dhe punët e artizanatit, marrëdhënia e gazetarisë me kulturën dhe historinë e vendit tënd është e fortë dhe mirë është të mbetet e tillë. Thuajse gjithnjë mospërputhjet e palëve në gazetari, pasqyrojnë më shumë të dhëna të karakterit dhe qëndrimit kombëtar, në ndryshimin e të cilëve marrin pjesë para së gjithash si qytetarë. Tani nëse marrim si lajtmotiv ndeshjen që u zhvillua në Beograd, vërehen dy diskurse diametralisht të kundërt në mes mediave serbe dhe atyre shqiptare lidhur me përshkrimin e asaj që ndodhi atje. Komentatorët serbë përshembull, gjatë gjithë kohës kur në stadium hidheshin objekte të forta për të devijuar dhe pamundësuar aksionet e skuadrës shqiptare, nuk thoshin se këtu po ndodh një kaos që duhet ndaluar nga sigurimi i shtetit, por vazhdonin të qetë komentin. Nga ana tjetër, komentatorët shqiptarë fokusin më të madh e kishin në mbrojtjen dhe sigurinë e lojtarëve tanë dhe vazhdimisht përmdendnin se në stadium po ndodh diçka e paparë ku ndeshja merr një kahje tjetër dhe nga çasti në çast rrezikon të eskalojë situata. Ata nuk linin pa n’a komunikuar  frazat e tipit “Vdekje për shqiptarët” që vinin nga tifozëria serbe, ku për komentatorët e tyre këto momente ishin pengesa akustike. Ose rasti tjetër që lidhet me momentin e zbarkimit të flamurit në stadium, komentatori i kanalit serb RTS sport, rreth pesë herë përmend se ky është një provokim shumë i madh nga ana e shqiptarëve dhe se i gjithë incidenti fillon nga ky moment, duke “harruar” të flasë për gjithë atë terror psiko-fizik që i bëhej më herët ekipit tonë.

Ndërkaq, një gazetar sportiv i kanalit Supersport, tha se në stadium po valëvitet flamuri më i bukur në botë. Këto janë disa antagonizma që flasin për identitetin kombëtar të gazetarit, kam frikë t’i quaj të mbivendosur për t’u rreshtuar në konotacione nacionaliste. Por nëse do merrja këtë guxim, padyshim se të parin do e vendosja shtypin serb, ku edhe pas përfundimit të ndeshjes dhe ditëve në vijim, ata nuk rreshtën se raportuari me kryetituj jo vetëm me kahje nacionaliste, por edhe skajshmërisht amatore, duke sajuar ngjarje e ngatërruar emra personalitetesh. Edhe shtypi shqiptar nuk u shpëtoi emocioneve, gjë për të cilën nuk mund t’i jepet medalje, të paktën nga aspekti i gazetarisë profesionale, sepse fundja publikut duhet t’i ofrohet lajmi i saktë e jo t’a manipulosh qoftë edhe duke e argëtuar.Është tjetër gjë pastaj ajo që pamë në sheshin e Tiranës, Prishtinës, Shkupit e gjetiu, ku me mijëra njerëz konvergoheshin në një për t’i thënë “faleminderit” heroizmit të kombëtares dhe qytetarisë që treguan lojtarët në çdo kuptim. Edhe unë e përsëris me qindra herë të njejtën frazë.

Tani fare lehtë mund të kuptohet se ky antipod që u shtrua, do të ishte në krahun e kundërt të analizës po t’a marrim nga ana e tipologjisë së një gazetari serb, i pajisur me po aq argumente dhe po aq i pranueshëm për publikun e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button