AQ!

Eja vetëm sa për të ma hapur zinxhirin e fustanit, lehtë, me kujdes,duke shkuar nga lart poshtë me një ngadalësi të ëmbël. Nuk të ftoj në mëkat. Vetëm hape dhe shko. Dua vetëm të ndjej lëvizjen e gishtit tënd tregues se si me ndrojtje rrëshqet duke e prekur lëkurën e shpinës sime pak aty e pak këtu. Dua vetëm të ndjej atë drithërimë në lëkurë. Aq!

Eja vetëm të rimë në qoshen e dhomës boshe e të heshtim bashkë, se më mungon ajo rrudha që krijohet në bishtin e syrit tënd sa herë që më buzëqesh në heshtje. Aq!

Eja vetëm  për të shqiptuar emrin tim qoftë edhe një herë, vetëm  nga buzët e tua emri im tingëllon bukur, vetëm në buzët e tua emri im është i sigurt. Aq !

Eja vetëm të shohim bashkë Hënën dhe yjet që lodhur ndriçojnë, se kur i shohim bashkë sikur ndriçojnë më ndryshe, pak më shumë se kur i shoh vetëm. Aq!

Eja vetëm sa për të pirë kafenë bashkë, ta pimë të hidhur e të kujtojmë kujtime të ëmbla në heshtje. Aq!

Eja vetëm sa për të ma provuar ushqimin, ta shoh edhe një herë fytyrën tënde se si më thotë se ka shumë kripë, në heshtje. Aq!

Eja vetëm sa për të ma ndezur cigaren lehtë, nga  flaka qe jep dora jote të ndizet ajo, e unë të digjem në heshtje. Ta pimë atë cigare bashkë,e unë si pa dashur të thith ca nga ai tym që del nga mushkëritë e tua. Aq!

Eja vetëm  qëndro përballë meje dhe më shiko, me atë shikimin e errët si nata dhe të ëmbël si mëkati. Aq!

Eja vetëm psherëtij afër meje, e unë ta ndjej se ka shumë vetmi brenda teje. Aq!

Eja vetëm më shiko me inat, se këmbët akull i kam pa çorap, mi vesh dhe çorapet po deshe, e unë të përbij inatin e vetullave të tua në heshtje. Aq!

Eja vetëm e ma mbaj një herë pëllëmbën e dorës,  e pastaj ma shtrëngo, po deshe dhe ma puth lehtë fare pak dhe ma lësho. Aq!

Eja vetëm bërtit e çirru një herë plot neveri , përplas derën dhe shko, e lërmë të të urrej në heshtje. Aq!

 

Lira 19.09.2014

 

Lajme të ngjashme

Back to top button