Një ndeshje fudbolli, shikuar nga sytë e një nëne

Ku ia keni mësyer pykës ju, që logjika  e “madhërishme” delirante ju duket aq e thjeshtë…
 
Nëna nuk e jep djalin për këso ideale, në shekullin e XXI.
 
   Në atë arenë ku  nuk tundej asnjë  simbol që do t’i flladiste e t’i mbushte me moral shpirtrat e djemve dhe të të gjithë atyre që hapnin sytë në ekrane televizive, nënat e bijve,  prisnin lojë e jo luftë. Kjo e rrokme e stërmadhe që nuk përngjante me një lojë të bukur futbolli, ma kujtoi komunizmin e tmerrshëm që për një shqiponjë të vogël , të vizatuar  me laps të zi në fletoren e hartimit, nga gishtërinjtë e njomë të mbushur me mall për simbolet e ndaluara, mbaronim në stacionin policor. Loja filloi. Unë, u futa në ankthin e pritjes  që në fillim të lojës, kur në  atë arenë gladiatorësh, notat hijerënda të himnit  tim, hijëzoheshin nga çjerrjet e “tifozëve” serb që nuk donin ta dinin për ligje dhe për rregulla sportive. Më dridheshin e flokët e thinjura kur shikoja  se djemtë tanë,  janë futur në barkun e një egërsire dhe kujtoja se zorrët e atij barku si litar të zinj, do t’i lidhin këmbë e duar bijtë e mi.  Mbase nga hija e hollë e frikës, sytë nuk më bënin dritë. Me vështirësi shikoja rendjet fluturake të lojtarëve të veshur me të bardha, në ekranin e madh televiziv në një TV. Serb.
Në atë fushë të gjelbërt, ku njeriu i sofistikuar, i vetëdijësuar, i ndërgjegjësuar dhe altruist,  duhet të gumëzhisë me zëra gazmorë, dëgjohej një stihi palljesh shtazarake. Zemra ime prej nëne, bënte përpjekje t’i largojë emocionet e tepruara  që më detyruan të sillem vërdallë nëpër dhomë. Prehëri im, sikur dëshironte t’i rrëmben e  t’i shpëtojë zogjtë nga tërkuza e zezë e shpërndarë tej për tej një fushe. Nefsi i çdokohshëm paranoik, terrorizonte  edhe insektet qe shkonin vërdallë në shkëlqimin e dritave që zdrisnin fushën, ku lojtarët përpiqeshin të luajnë. Sikleti mi ndrydhi damarët.  Ia hodha sytë djalit tim me një fytyrë të çiltër përzier me dhembje . Ai ishte tkurr ishte bërë i vogëlth. Zëri i komentatorit serb që luste pandërprerë tufën e egërsuar  për heshtje se duhej të ndjellnin  pikët që mund t’i humbnin,  vibronte si telat e një instrumenti të ndryshkur. Kudhra e dalldisur kërkonte një epilog ku do të thithte gjak njeriu. Tufa e zërave tifogladiatoreske, bëhej një,  dhe  nga gabzherri ju dilnin, po të njetat fjalë thumbuese që nxirrnin mllef dhe ndjellnin kob. Nga cepi i buzëve dëgjoheshin fishkëllima dhe zëra që shurdhoheshin derisa arrinin në veshin e një nëne, gjoja se  i mirë mund të jetë, vetëm shqiptari i vdekur. Situata sa vinte bëhej edhe më e zhurmshme. Nisi të ndjellej kobi.  Ajo që po ndodhte më dërgonte në një botë primitive, në një fushë me njerëz që nuk dinin se çka donin. Nepërkat dymbbëdhjetë krerëshe nxirrnin helm nga goja. Më dukej vetja se jam futur në një përrallë të trishtuar .  Porsa, bijtë faqebardhë shkëlqenin dhe dëshmonin se ishin lojtarë hyjnorë, filloi beteja. Grushtoheshin lojtarët në fushë, pasi një fluturake simbolike ra në dhè,  nga qielli.  Djemtë shtrinë pëllëmbët që ta mbështjellin e ta ruajnë simbolin kombëtarë dhe  veten. Ata përpiqeshin të luftojnë me gishtërinjë, me horrat që edhe në lëkurat zdralë të thembrave, ruajnë kultet e tyre tiranike, mitet me fytyrë balte prej të cilëve njerëzve të cicvilizuar ju vjen për me vjellë. “ Jeni në lojë, nuk jeni në male ku luftohet për ideale. Nuk i duroj gërvishtjet tuaja nga paranoikët që s’dinë se çka bëjnë dhe s’dinë se çka duan.  Droni është skenari i tyre. Në gojët  e liga qysh para 80 vitesh,  zuri myk fjalia : Shqipëri e Madhe. Këtë imazh shpërndanin dhe akoma po e shpërndajnë anë e kënd botës. Në shekullin e XXI , kur vjen era demokraci e moderuar  një popull vazhdon të ketë , brenda në barkun e tij një zorrë qorre të kalbur që mban era marxhë.
Sot, kur është filtruar historia e argjendtë nga shqiptarët mendjendritur:
Ah, lum si unë e lum si nè

me dy koka shtetesh

të shqiponjës sime,

me beretën krrusur përmbi

e qëndisur me muline kuq,

sa krenare më rri,

këmbë mbi këmbë,

si heroinë e kompletuar…

Me çark të syrit shkrep drejt erërave

të zhdërvjellta

deri në kaltërsi,

ku filtrohet historia e argjendtë…”

Droni nuk ishte mizë që të fluturojë në mes të ujqërve, në mes të gjithë atyre policëve që nuk e di se çka ruanin , e përse frikoheshin nga një grusht lojtarë entuziast që kishin shkuar të luajnë. “ 
Magjia e sportit i bashkon qeniet njerëzore. Ai është një luftë pa armë që të dëshmohet më i talentuari, më i zhdërvjellti dhe më i miri. Kjo luftë nuk përkon me luftën për ideale, prandaj zemra e nënës nuk e jep djalin për monstrum idealin, para fytyrave zombi.  
 

Lajme të ngjashme

Back to top button