Çlirimi i vërtetë i Beogradit

Shkruan: Dionis Xhafa, Tiranë

U desh një ndeshje futbolli për të kuptuar se në rajonin e Ballkanit, të cilësuar dikur “fuçi baruti” ndjesitë e urrejtjes etnike janë akoma prezente. Dimensionet sportive u thyen për tu zëvendësuar me dimensionin politik të ngjarjes. Një Ballkan i tërë nisi intrigat e vjetra, me lidhje të koalicioneve historikisht të njohura. Malazëzët nisin “sulm ndaj shqiptarëve, gjithashtu edhe grekët e maqedonët dhe nga ana tjetër mbështetës të shqiptarëve dalin aleatët e njohur, boshnjakët dhe kroatët. Duke parë këto raporte, duket sikur shtetet nuk nisen nga parimi i së drejtës, por parimi se me cilin shtet kam marrëdhënie interesi ndërshtetëror.

1.      Huliganizmi “patriotik” serb dhe miti ksenofob

Realiteti serb, siç u pa dhe në ndeshje është ai, ku kombi mbrohet me çdo çmim. Në mos, sistemin serbët e kuptojnë, që kush kryen më shumë huliganizma, sidomos kundër shqiptarëve kaq shumë të urryer prej tyre, është njeriu më i fortë dhe më i duhuri “për të përfaqësuar kombin”. Ndërsa, për botën e qytetëruar një huliganët në stadiumet e Serbisë janë turpi i këtij kombi, e sidomos fytyra e Bogdanov, nga shumë serbë, ky person mos është deri edhe “idhull”. Më keq akoma është fakti se politika bëhet njësh me huliganët, duke qenë se kultura në popull është kaq e ultë. Serbia, mes tjerash dëshmoi se edhe disa prej policëve të saj i ka me sjellje ksenofobe. Derisa në ushtri, në polici dhe në administratë të sigurisë së Serbisë ka persona që kanë vrarë në Kosovë apo diku tjetër dhe kanë bërë karrierë me gjak shqiptari, kroati apo boshnjaku, nuk ka sesi mos jetë ‘normale’ edhe fuçia në stadium, edhe hyrja brutale e tifozëve etj. Nëse UEFA e dënon në tavolinë Serbinë, do ti bënte jashtëzakonisht mirë këtij shteti që vërtetë të jetë shtet. Së pari, për të ç’kriminalizuar shtetin, duke dënuar kriminelët e luftës dhe kriminelët si tifozë, që kryejnë akte vandale. Është rasti më i mirë për ti dhënë shuplakë se miti nacionalist dhe aq më tepër  ksenofobia është turpi i një Evrope që po e dënon kaq shumë.

2. Brukseli para vendimit për “gjyqin për dy kombet”

Brukseli zyrtar po përjeton një moment që nuk duket të jetë aq i përshtatshëm. Jo më kot, Merkel mblodhi liderët ballkanikë, me qëllim që së paku Ballkani të jetë në qetësi, derisa BE-në më shumë po e shqetëson një person me emrin Putin dhe beteja e gjitha zhvillohet për Ukrainën. Parë nga jashtë, Brukseli mund ta shohë çështjen edhe në banalitetin e shprehjes “çështje shqiptarësh dhe serbësh” apo “zënkë për flamuj”. Natyrisht si shqiptar dua që tre pikët të fitohen nga Shqipëria, por kam kurajon të besoj se vendimi do të jetë i drejtë. Shpesh BE-ja ka politika në vende ku banojnë shumë etni, ku dënon dhunën, çështjet thelbësisht njerëzore dhe nuk flet në emër kombesh, gjë e cila shfaq pakënaqësi në kombet, që e kanë ngritur filozofinë e të menduriat mbi gjak dhe flamur dhe jo mbi të drejtë.

3 . A e mban BE-ja anën e Serbisë?

Ekziston një tezë jo pa baza se Serbia “është e përkëdhelura” e Evropës. “The Economist” në një analizë të sajën përshkruante gjendjen politike në Serbi dhe politikanët serbë. Në këtë analizë thuhej se për kryeministrin Aleksandër Vuçiç ka shumë dyshime se ai është një nacionalist i thekshëm që ka ndërruar lëkurë prej një lideri përparimtar. Edhe sikur kjo të mos jetë e vërtetë dhe Vuçiç vërtetë të ketë ndryshuar, problem është se në kabinetin e Vuçiçit sot është ish-kryeministri, tanimë ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç, nxënës shembullor i Millosheviçit. Ngjan sikur Serbia nga njëra anë e mban mirë edhe me BE-në, edhe me Rusinë, me qëllim që të përfitojë nga të dyja. Të dy aleatët që janë në “luftë diplomatike” me njëra-tjetrën” përpiqet kush e kush ta mbajë sa më pranë Serbinë dhe kjo e shfrytëzon një rast të tillë për benefite sa më të mëdha nga ndërkombëtarët.

4. Pesha  e flamurit të “Shqipërisë Etnike”

Ai flamur që u ngrit mbi qiellin e Beogradit sigurisht nuk është zyrtar dhe nga pikëpamja e mesazhit ishte diçka fantastike simbolike. Megjithatë, ai flamur ka histori për të dyja etnitë. Ndërsa shqiptarët e shohin si flamurin mbi të cilin kanë derdhur gjak për liri, serbët në të shohin një territor të asaj harte të flamurit panë një territor të shkëputur tanimë nga shteti i tyre, Kosovën, një peng për shtetin dhe për serbët. Analisti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Server do të argumentonte se harta mbi flamur, sido të jetë si ideologji nuk është e duhura, është irredentiste dhe jo për një Ballkan stabil. Kur Millosheviçi ndërtoi ideologjinë, sipas së cilës shteti serb do të ishte gjithandej ku ka serbë, pësoi humbje në Kroaci, në Bosnje dhe në fund në Kosovë dhe bashkë mehumbjet dhe gjakderdhje të jetëve të pajajshme. Një gjë e tillë nuk duhet përsëritur nga e ana tjetër e medaljes, nga pala shqiptare.

5. Putini, Serbia, BE-ja, Kosova

Më ngjan se Serbia dhe Rusia kanë hyrë në një marrëdhënie mes tyre jo dhe aq vëllazërore dhe besnike si dikur, por edhe interesash. Ndërkohë që Rusia i thotë Serbisë të mos i vërë sanksione sikundër ia kërkon BE-ja, Serbia nga ana e saj kërkon nga Rusia respektim të sovranitetit të shtetit serb. Termi “respektim i sovranitetit të shtetit serb” që u përdor nga Vuçiç në takimin me Putinin, do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Rusia. Dhe Putin e dha garancinë për këtë. Ekziston si teori, por jo aq faktike, që Kosova mund të jetë “mollë sherri” mes Shqipërisë dhe Serbisë”, sidomos me ngacmimet që po bëhen kohët e fundit. Edhe faktori ndërkombëtar ka jo pak faj për Kosovën, derisa statusi i saj ende nuk është i rregulluar ndërkombëtarisht dhe kur vetë qytetarët e Kosovës janë të ndarë për statusin e vendit të vet. Shqiptarët e cilësojnë pavarësi, ndërsa serbët në pakicë në veri dhe Beogradi zyrtar e cilësojnë akoma Kosovën si “brenda shtetit të tyre nën juridiksionin e OKB-së”. Putini e vizitoi Beogradin me rastin e 70-vjetorit të çlirimit. Në fakt, çlirimi i vërtetë i Beogradit do të ndodhte atëherë kur të hiqeshin urrejtjet etnike kundrejt tjerëve, kundrejt shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe të gjithë të tjerëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button