U çuan te vdekunit (O sa mir me qen shqiptar, BRE!)

Më në fund! Lum’t! Dhanë shenjë shqiptarët që janë gjallë, që kanë shpirt. Ju faleminderit që më përgënjeshtruat, o gjaku im!

Më keni hapur telashe. E dini që e vonova shkrimin për një ditë sepse mu desht të mblidhja veten pas atij eustresi që përjetova qysh nga ndeshja Serbi – Shqipëri?! Tani duhet të ndryshoj konceptet e mia me të cilat e kam nisur këtë cikël shkrimesh këto javët e fundit. Ndoshta do më duhet t’ju kërkoj edhe falje të gjithë lexuesve, sepse i paskam gënjyer. Nuk qenkemi edhe aq të njëtrajtshëm sa definova konceptin “shqiptar”, nuk qenkemi aspak dembela shpirtërorë sa pandeha që kam gjakun tim; aq më pak qenkemi karkaleca. Lum’t!

Ah, po çfarë euforie më kapi kur e pash atë flamur që zbriti ndë Beograd. Kur pash ato 22 burra që si Mic Sokola nxorrën gjoksin para tridhjetë mijë hienave në mbrojtje të një simboli që për ta është i shenjtë. Mu duk se pash Fishtën teksa brohoriste lart prej qielli M’kambë shqyptarë! E mos t’ju lshojë, jo, zemra. Pse Perëndija s’ka me u lanë me u thye. E tërë ajo festë që u organizua kudo ku ka shqiptarë. Po sa duhet të jenë lumnuar shqiptarët e mbarë botës, sa sy duhet të jenë përlotur, sa zemra – thyer… një komb i tërë, në këmbë, krenar për veten e vet, për aktin trim të atyre trimave. Një popull i tërë, i vetëdijësuar për forcën dhe fuqinë e vet. Përkthjellim mbarëkombëtar, do ta kisha quajtur. Një reagim i pritur aq shumë kohë. Edhe me arsye të plotë: e ngritëm flamurin edhe në Beograd, në atë qendër që aq shumë vnerr, urrejtje dhe dëm i ka bërë këtij populli. AUTOKTONË!

Një dasëm e vërtetë. Valvitëm flamurin në Beograd. Tronditëm botën. Deri këtu, gjithcka fantasike. Pak kontroverze, por pse të mos jetë ashtu – është më interesant. Sepse ashtu na pëlqen! Çfarë do qoftë, vetëm të zgjohemi nga letargjia…

Po dasmat më shumë se një javë nuk zgjasin. Edhe ato më tradicionalet, aq e kanë takatin. Sepse të zotët e shtëpisë, aq e kanë takatin. Kjo dasëm shënon sot ditën e katërt. Kanë qenë kohë tjera ato kur dasmat organizoheshin me muaj. Tani jemi epokë e re; dasmat zgjasin më pak. Po gëzimi jonë, euforia jonë patriotike, sa do zgjasë, a thua? Kam bindjen që sa më shumë do kemi atë buzëqeshje krenare në buzë, aq më shumë do të ndjehemi mirë me veten, aq më të lumtur do të jemi. Edhe e dini, një individ i lumtur është më produktiv. E njejta gjë ndodh edhe me popujt. Pale pastaj kur një popull realizon që është në gjendje që me një gjest të vetëm, një gjest të vetëm të shkundën tërë Europën. Që është i barabartë me gjithë të tjerët. E imagjinoni dot energjinë me të cilën mbushet shpirti i një kombi të tillë? Atij i duhet vetëm udhëheqja e duhur për ta realizuar potencialin e vet. Për t’u shëndruar nga karkaleci në milingonë. E këtë duhet ta nisim nga vetvetja; duhet të pyetemi ditë për ditë në mëngjes: çfarë vepre patriotike do të bëj unë sot?

Tani, pas dasmës të gjithë kanë nevojë të pushojnë. Ska si ndryshe! Gjithë ajo shprazje shpirtërore ulërin për një rimbushje baterish. Druaj që edhe kësaj here, njejtë do të jetë! Druaj se përsëri, si karkaleca të mirë që jemi, do të duam të pushojmë. Do mjaftohemi me pak si gjithmonë. Kam frikë se përsëri nuk do të dijmë të shfrytëzojmë këtë inercion pozitiv për të vënë në lëvizje një komb, për ta shtyrë të bëjë vepra patriotike përditë. Për të nderuar ata 22 djem trima që na ndritën fytyrën e emrin në Beograd.

Uroj, që përsëri të më përgënjeshtrojnë shqiptarët. Të kuptojmë që tani o kurrë e kemi momentin historik për të dalur nga lëkura, për të befasuar vetveten me vetëdashurinë. Uroj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nje shkrim brilant nga ju dhe shpresoj shume qe perseri te pergenjeshtrojne bashkembosit kudo qe ndodhen. Shqiptar te ben ajo qe ben per vendin dhe kombit (jane keto fjalet e Shinasi Rames)

Back to top button