PSE PUTINI VIZITON BEOGRADIN

Lajmi është dhënë; Putini do të bëjë një vizitë në Beograd më 16 tetor të këtij viti. Para tij, Beogradin e vizitoi këto ditë edhe ministri i Jashtëm rus, Lavrov, i cili e konfirmoi me zell të madh entuziazmin e kësaj vizite. Nga fotot dhe nga çfarë shkruan Tanjug-u, duket se edhe zyrtarët e Beogradit janë mjaft të ekzaltuar që po i viziton “vëllai i madh rus”. Por pyetja është fare e thjeshtë; pse shkon Putini në Beograd? Në fakt, Putini dhe, jo vetëm ai, mund të shkojë ku të dojë. Por rrethanat në të cilat bëhet kjo vizitë janë të atilla, që ai në vorbullën e vetizolimit që i ka thurur vetes pas pushtimit të Krimesë, po kërkon ca fije kashte për të shpëtuar imazhin. Beogradi po ia jep këtë mundësi Putinit, t’i vërë pak pudër vetes, duke e ftuar për vizitë. Ftesë e cila bëhet nga një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. 

Me ftesën ndaj Putinit, Beogradi duket se kërkon të luajë me dy porta, nga njëra anë kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe, nga ana tjetër, kërkon të flirtojë me Moskën, e cila e ka sfiduar tmerrësisht Bashkimin Europian, duke pushtuar Krimenë. Eshtë e vërtetë se Beogradi ka thënë me gjysëm zëri se “e vlerëson integritetin territorial të Ukrainës”, por është fakt se Serbia nuk është rradhitur përkrah vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA për të zbatuar sanksione ekonomike kundër Rusisë si ndëshkim për pushtimin e Krimesë. Këtë tolerancë Beogradi shpreson ta përkthejë në ndihmën ekonomike që pret prej Moskës pas kësaj vizite. Madje këtë e zbulon dukshëm edhe zyra e Putinit që thotë se, “Në fokus të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi dypalësh, sidomos në çështje kyçe si tregtia dhe ekonomia”. Po, realisht, a është kjo e gjitha që synon Putini në Beograd? Vështirë të besohet.

Në radhë të parë e mbi të gjitha, kjo është një vizitë e tillë që ka një çmim të caktuar gjeopolitik. Çka do të thotë se Putini, i cili siç e cilëson me të drejtë gazetari i famshëm amerikan Bill O”Really “Eshtë një Stalin i gjallë”, kërkon që të ringjallë me çdo mënyrë dhe mjet mitin e Bashkimit Sovjetik, kërkon ta rigjallërojë “shkëlqimin e rënë” tek satelitët. Prandaj, më parë se t’i shërbejë Beogradit, vizita e Putinit synon t’i shërbejë ëndrrës së tij për rikthimin e atyre kohërave kur “babai i madh moskovit”, bënte ligjin në satelitet e tij në Lindje. Nuk është e rastit që Putinit do t’i rezervohet, sikurse e ka thënë edhe Kryeministri serb Vuçiç një pritje me paradë ushtarake, “e tillë që nuk është parë për dyzet vjet me radhë”.

Në këtë rast Beogradi po lëpin këpucët e Putinit, po ia bën ato edhe më të shkëlqyera se sa çdo t’i dëshironte edhe ai vetë. Arsyeja? Vetëm e vetëm për të përfituar linjën e furnizmit me gaz, të ashtuquajturen “South Stream pipeline”, të cilën e ka ndaluar Bullgaria në qershor dhe që është në fakt në kundërshtim të plotë me Komisionin Europian. Pra, në thelb, ajo që po kërkon të bëjë Putini, është që të shtrijë mbretërinë e tij të shantazhit të quajtur Gazpromi në Ballkan. Dhe, kështu pra, për rrjedhojë, ta përdorë këtë si presion politik jo vetëm mbi Serbinë, por mbi teë gjithë Ballkanin. 

Por, Ballkani ka ndryshuar, ka dashur apo nuk ka dashur, do apo nuk do Putini. Në Ballkan ka tashmë një prirje për t’iu bashkuar Europës në kuptimin më të plotë të kësaj shprehjeje. Veçanërisht, jashtëzakonisht e fuqishme është prirja e shqiptarëve për t’u integruar në Europë. Putinit mund të mos i pëlqeje, dhe natyrisht nuk i pëlqen që kur të mbërrijë në Beograd, ai ka për të gjetur Kosovën e Pavarur që po njihet gjithnjë e nga një numër më i madh shtetesh. Kosova shtet i pavarur tashmë është një realitet gjeopolitik dhe Putinit do t’i duhet ta pranojë si të tillë, pavarësisht se edhe Beogradi pritës nuk e ka pranuar ende për të keqen e vet. Nga ana tjetër, fqinja e Serbisë, Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s. Edhe kjo gjithashtu nuk mund të mos merret parasysh prej Putinit. Çka do të thotë se kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë balancat gjeopolitike në Ballkan, të cilat Putini kërkon t’i trazojë si një car i ri përmes shantazhit të Gazpromit. Kjo është edhe arsyeja pse Tirana zyrtare duhet të tregohet jashtëzakonisht e vëmendshme ndaj vizitës së Putinit në Serbi. Pse duhet të tregohet vigjilente Tirana?

Në radhë të parë Tirana zyrtare duhet të tregohet vigjilente, sepse Putini, afërmendsh, do të përpiqet të zhbëjë dhe t’i ndërrojë drejtim gjithë atij procesi historik dhe asaj fitoreje që kanë arritur shqiptarët e Kosovës me shpalljen e shtetit të tyre të pavarur. Të mos harrojmë se kur pushtoi Krimenë, Putini e justifikoi agresionin e tij prej vagabondi në mënyrë absurde me shembullin e Kosovës. Të krahasosh, siç beri ai, pavarësinë e Kosovës me pushtimin e Krimesë, është si nata me ditën. Në këtë aspekt Tirana zyrtare nuk duhet ta harrojë kurrë kontributin shpëtimtar të aleatit tonë të madh strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bënë të mundur jo vetëm fitoren e lirisë dhe të paqes në Kosovë, por edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. 

E them këtë, sepse, nganjëherë, zyrtarë të vegjël, siç ishte përshembull, ambasadori shqiptar në Moskë, Gjoka, deklaroi me naivitet pas pushtimit të Kirimesë nga Rusia se tani,”mund të funksionojë rregulli i treshit dhe Rusia mund ta njohë Kosovën”. Përballë një lëvizjeje kaq dinake dhe agresive diplomatike, siç është në fakt vizita e Putinit në Serbi, Tirana zyrtare duhet të jetë syçelët, e përgatitur për surpriza dhe sfida diplomatike. Përveç të tjerash, kjo bëhet edhe më imperative, sepse një përfaqësues tipik i oligarkisë ruse siç është Putini, do të tentojë të imponohet në Beograd dhe më gjerë me kodin që komunikojnë oligarkët. Dhe, dihet se të tillë, oligarkë pra ka jo vetëm në Beograd, por edhe në Tiranë. Për të njëjtat arsye pse ka deformime demokracia në Rusi, (gërryerja prej qarqeve oligarkike), vuan edhe demokracia në Shqipëri. E vetmja shpresë është, se prirjet drejt integrimit në Europë në Shqipëri janë më të fuqishme se tjetërkund, prandaj edhe oligarkia e Tiranës mund të vihej me shpatulla për muri, nëse do t’i bënte edhe tolerimin më të vogël vizitës së Putinit në Beograd. 

Pothuaj një javë pas vizitës së Putinit, në Beograd do të shkojë për vizitë Kryeministri shqiptar Edi Rama. Edi Rama duhet ta lexojë me kujdes vizitën e Putinit atje, para se të bëhet, dhe sidomos pasi të bëhet. E thënë shkurt dhe troç: Putini do të vendosë menune se çfarë do të hahet në tryezën ku do të ulet bashkë me Nikoliçin dhe Vuçiçin. Kjo është çështje e tyre. Ata, natyrisht, si në çdo tryezë ku hahet e pihet, do të bëjnë edhe thërrime. Edi Ramës nuk i lejohet të shkojë për të mbledhur thërrimet në Beograd. Asnjë shqiptar këtej e andej kufirit nuk kishte për t’ia lejuar këtë. Dhe padyshim, partnerët tanë strategjikë nuk kishin për t’ia falur këtë. Njëherë e falën, kur ua drodhi për premtimin që u dha për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë. Për të dytën herë nuk të fal kush më!

Lajme të ngjashme

Back to top button