BASTARDIMI I HISTORISË SHQIPTARE

Qeveritë shkojnë e vijnë dhe fusin në ekuacionet e tyre të politizuara për efekt mbajtjesh interesash kujtesën historike kombëtare, duke e deformuar si plastelinë në përshtatje të modeleve politike. Qeveritë, me naivitet politik, bëjnë identifikimin e fenomeneve historike, me ndonjë figurë, pas së cilës mendojnë se do të ishte më e sigurt qëndresa në pushtet. Pra sot kemi një komercializim të historisë dhe fenomeneve apo ngjarjeve historike. Si çdo gjë, edhe historia e vendit është shitur dhe është blerë në të gjitha format e komunikimit dhe të transmetimit, prej duarve të tregtarëve-historianë, apo historianëve-politikanë.

Pra në Shqipërinë e sotme kemi një situatë të turbullt, kaotike në lidhje me kujtesën kolektive, dhe kjo nuk është e paqëllimshme. Po të vërejmë me kujdes, do ta kuptojmë absurdin e historisë së Shqipërisë, ku ngrihen në piedestal qeleshet e zeza të pelushit otoman, si shpëtimtarë të vendit. Absurditet! Ata që u shërbyen me vetëmohim osmanëve, duke marrë ofiqe dhe përfitime materiale, sot po dalin heronj të pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu, edhe ata që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë dhe nazistë, sot janë bërë heronj të nderuar, dhe patriotë e çlirimtarë.
Ndërsa ta që dhanë jetën për çlirimin e vendit mohohen paturpësisht. Më e tmerrshmja është se sot po dëgjojmë “tenorë” të reaksionit më të errët të kombit tonë, të hedhin parulla që thonë se nën pushtimin e huaj Shqipëria ishte më mirë dhe se rezistencat kundër pushtimeve e kanë lënë vendin prapa. Akoma më e tmerrshme është kur e di se këta “tenorë” kanë ose kanë patur edhe funksione të larta shtetërore, duke nisur që nga kreu i shtetit dhe deri te diplomatët.

Çdo qytetar i ndershëm e ka për detyrë ruajtjen e historisë dhe kujtesës historike të vendit dhe nuk duhet të bjerë viktimë e këtyre shtrembëruesve, që për arsye politike mundohen të deformojnë historinë tonë dhe ngjarjet e saj. Këta farë politikanësh, që dje ishin në pushtet, vazhdojnë t’i thonë të bardhës të zezë dhe të zezës të bardhe, pa asnjë fakt historik, por thjesht për përfitim politik. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që të vërtetat historike qëndrojnë më lartë se politikat e momentit.

Lajme të ngjashme

Back to top button