Qorrsokak

Ndonëse mund të ketë konkurrencë të denjë nga fjalë tjera si “Ebola”, “Hakeri”, “Abdyrahimi” ose “Rekomandimi” sërish nëse do kishte ndonjë garë më duket se fjala e javës do ishte “Qorrsokak”. Këtë fjalë e përdori euro-komesari në largim Shtefan Fyle për të sqaruar “por”-at e shumta të përdorura në raportin e progresit të Maqedonisë në rrugën euro-atlantike. Këtë shprehje nga turqishtja ndonëse u përdor vetëm në përkthimin në maqedonisht të deklaratës së tij në llogarinë personale të tvviterit të euro-komesarit e kuptuan shumë mirë shumica absolute e qytetarëve të Maqedonisë nga dyja gjuhët zyrtare. Pasi fjala Qorrsokak edhe në turqisht, por edhe në shqip e maqedonisht ishte mu rrugë pa krye dhe përshkruan një gjendje pa rrugëdalje.

Ashtu përnjëherë të gjithë e kuptuan “të mirën” në lajmin e mirë për përsëritjen e rekomandimit për të gjashtën herë radhazi për Maqedoninë si në barsoletën kur dy personazhe nga një barsoletë e vjetër ngjiten në katin më të lartë, duke qenë të mbingarkuar dhe shumë të munduar pasi nuk ka pasur ose nuk ka punuar ashensori. Ashtu aty i pari prej personazheve i thotë të dytit që ka një lajm të mirë dhe një të keq për të kumtuar. Lajmi i mirë është se më në fund arritëm në katin e fundit ku ishim nisur, por lajmi i keq është se jemi në hyrje dhe pallat të gabuar!

Ndonëse me të drejtë u cek se edhe rekomandimi jepet nga KE vetëm për hir të qytetarëve që bigajrihak janë në qorrsokak, nuk duket se qytetarët do mund të ia shohin hajrin shumë këtij rekomandimi. Kjo sepse që ditën që u shpalos rekomandimi dhe raporti u vazhdua me praktikën e vjetër të punës. Ashtu raporti kritikoi politizimin e institucioneve dhe mosndarjen e partive prej shtetit kurse në të njëjtën ditë u shpallën dy konkurse për punësime të ende administratorëve qeveritar, një nga kabineti i kryeministrit dhe një tjetër me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Kurse nga puna e mëparshme është e qartë se të dyja këto do bëhen sërish me ndikim të partive qeveritare të cekura edhe në raport si pengesë në rrugën evropiane të shtetit dhe qytetarëve.

Kjo edhe është me keqja që ndodh me qorrsokakun. Nuk është aq i dhimbshëm fakti që ndodhemi në qorrsokaku sa ajo se kthimi nga qorrsokaku më shpesh bëhet me vozitje dhe ecje mbrapshtë. Fatkeqësisht që në ditët e para kjo edhe po argumentohet. Kështu ishte rasti me arrestimin e vetëm gjyqtarëve për kundërvajtje, të cilët sipas akuzës kanë dëmtuar shtetin ndërkohë që askush nuk u arrestua për shkak të dëmtimit të qytetarëve. Kurse në raport kritikat ishin mu për dëmtimin dhe ndarjen selektive të drejtësisë ku dëmtohen qytetarët.

Po ashtu u shty, pa ndonjë bujë të madhe në opinion, afati i liberalizimit të tregut të rrymës dhe energjisë me pretekstin se do shtrenjtohej ajo nëse do aplikohej kurse në promovimin e kësaj mase për liberalizim ishte thënë se kjo do sillte lirimin e saj. Dhe do prishej praktika monopoliste, një gjë që kërkohet edhe nga Evropa. Sipas kësaj ose tash ose ndonjëherë dikush ka gënjyer, por sidoqoftë kjo është një gjë që kërkon përgjegjësi.

Kurse këtu askush nuk përgjigjet përveç qytetarëve që vazhdojnë ta mbajnë këtë shtet duke paguar edhe taksë radiodifuzive për një kanal sektar, ish kanali publik MRTV, ku mund të shohin vetëm atë që sekte të ndryshme politike, antike dhe mistike duan ta shfaqin si të vërtetë.

Ndërsa mu kjo papërgjegjësi e partive, politikës dhe shtetit ndaj qytetarëve nuk është evropiane dhe është qorrsokaku më i madh që nuk kalohet vetëm duke mbyllur sytë, e bile nuk kalohet as duke shkuar mbrapshtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button