RAPORTI i BE-së: Në kurorën qeverisëse qetësi, në teren marrëdhënie të brishta ndëretnike

Rekomandimi i gjashtë për negociata në pako me vërejtje serioze. Analistët vlerësojnë se Maqedonia jo vetëm që e fitoi Raportin më negativ evropian deri tani për përparimin e vendit, por se ai e paralajmëron edhe mundësinë për tërheqjen e këtij rekomandimi. Gjyqësia, mediat dhe marrëdhëniet ndëretnik janë sektorët kyçë për të cilat BE-ja ka vërejtje serioze.

Marrëdhëniet ndëretnike dhe Marrëveshja kornizë

Problemi me emrin ka rënë në plan të dytë, Maqedonia është në rrugë për ta humbur rekomandimin për datë për negociata me BE-në për shkak të problemeve dhe ngecjeve serioze, veçanërisht në gjyqësi, media dhe marrëdhëniet ndëretnike – vlerësojnë analistët. Kryetari i Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani, për “Portalb”-in vlerëson se raporti i këtij viti përmban vërejtje më serioze deri tani.

“Nëse lexohet me vëmendje Raporti i KE-së, nuk nevojitet ndonjë aftësi e veçantë politike dhe intelektuale që të vërehet se pothuajse në të gjitha segmentet e shtetit që janë të rëndësishme për të bërë hap përpara drejt fillimit të negociatave për anëtarësim në BE ngecim ose hapërojmë në vend. Vërejtjet dhe kritikat që janë numëruar në fushën e gjyqësisë, mediave, marrëdhënieve ndëretnike, Marrëveshjes kornizë, dialogut politik pozitë-opozitë, luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, institucioneve të partizuara të shtetit, mbingarkesës me kredi për investime joprofitabile, etj. janë vërejtje serioze për mënyrën e qeverisjes në vend. Kritika më serioze janë bërë për ndikimin e politikës në gjyqësi dhe për lirinë e mediave me vërejtje e cila thekson se mund çojë deri te kushtëzimi në nivel të problemit me emrin kur bëhet fjalë për rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në. Kjo do të thotë se kësaj radhe nuk do të jetë pengesë vetëm problemi për emrin e vendit me Greqinë, por edhe këto gjendje alarmante në gjyqësi dhe me lirinë e mediave të cilat е kushtëzojnë mesazhin për negociata të Këshillit Evropian”, thotë Ramadani.

Të gjashtën herë me radhë, Maqedonia fitoi edhe një rekomandim për fillimin e negociatave, mirëpo në pako me kritika serioze. Në fokus janë gjyqësia dhe liria e mediave.

“Komisioni kërkon nga autoritetet të ndërmarrin aksion të vendosur për zgjidhjen e politizimit të shtuar dhe mangësive në rritje sa i përket pavarësisë së gjyqësisë dhe lirisë së të shprehurit në atë mënyrë që do të mundësojë që rekomandimi të mbetet i qëndrueshëm edhe gjatë viteve të ardhshme”, thuhet në dokumentin e BE-së.

 Nuk munguan as marrëdhëniet ndëretnike

“Si do që të jetë, mungesa e besimit ndërmjet bashkësive mbisundon. Tensionet lehtë mund të nxiten me interpretim të gabueshëm të ngjarjeve ose incidenteve, siç është rasti pas zgjedhjeve në prill të këtij viti”, thuhet në Raport.

Vërejtja kryesore në këtë pjesë sipas Ramadanit ka të bëjë me mungesën e analizës për atë se a i ka dhënë dhe çfarë rezultatesh ka dhënë Marrëveshja kornizë.

“Kur përmenden marrëdhëniet ndëretnike, zakonisht ato ndërlidhen edhe me implementimin e Marrëveshjes kornizë, veçanërisht në pjesën e mirëkuptimit të ndërsjellë të bashkësive nacionale. Vërejtja kryesore është se nuk është bërë analizë thelbësore se pse Marrëveshja kornizë nuk jep rezultate të kënaqshme në ndërtimin e besimit ndërmjet bashkësive. Mendoj se në krahasim me gjendjen reale të marrëdhënieve ndëretnike, KE-ja në raportin e saj është mjaft e kujdesshme dhe nuk futet në numërimin e shumë incidenteve në mesin e popullatës së re me përkatësi etnike shqiptare dhe maqedonase. Mirëpo me fjalë të matura indirekt ua tërheq vëmendjen politikanëve, veçanërisht atyre që janë në pushtet, se me fjalimet dhe veprimet e tyre nacionaliste, me vetëdije dhe ose pa të, krijojnë një gjeneratë të re nacionalistësh”, thotë Ramadani dhe shton:

“Vendi i cili pretendon të jetë anëtar i BE-së dhe fiton raporte të këtilla apo të atilla pozitive nga KE-ja, gjithmonë të balancuara sa i përket kritikave dhe sugjerimeve se si të përmirësohet gjendja në fusha të caktuara, nuk guxon të lejojë që edhe për të gjashtën herë me rekomandim për negociata me BE-në të ketë aq shum lëshime, të cilat ndikojnë seriozisht mbi demokracinë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Mbetet edhe më tutje e paqartë se si ka mundësi që partitë politike në pushtet të kenë koalicion aq të mirë, pasi ata vetë e thonë këtë, e qytetarët e zakonshëm, veçanërisht të rinjtë, janë nën presion të një ambienti të tensionuar politik, i cili shumë shpesh manifestohet me incidente, më shpesh ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve të rinj. Në këtë segment duhe të veprohet shpejt dhe me mençuri, sepse në të kundërtën, ashtu siç zhvillohen tani punët, shumë lehtë mund të përkeqësohet gjendja politike dhe e sigurisë në vend”.

Njëra nga vërejtjet e Brukselit zyrtar ishte adresuar edhe deri te Sekretariati për Marrëveshjen kornizë. Në fakt, në Raportin për përparimin e Maqedonisë, përveç që u paraqitën rekomandime të reja për zbatimin e dokumentit dhe për gjendjen me marrëdhëniet ndëretnike dhe besimin ndërmjet bashkësive, u përmend edhe detyra e pakryer shtëpiake nga raporti i vjetshëm. Në fakt, Komisioni Evropian, pret që Sekretariati të përgatis një pasqyrë ose analizë për implementimin e Marrëveshjes kornizë, e cila do të përmbajë edhe rekomandime për atë se cilave fusha duhet t’u jepet prioritet gjatë implementimit. Nga qeveria e konfirmuan këtë gjendje me arsyetimin se zgjedhjet e dyfishta, ato të parakohshme parlamentare dhe ato për kryetar shteti, që u mbajtën këtë vit, janë shkaku kryesor për mosrealizimin e këtij rekomandimi, i cili gjendej edhe në raportin e vitit të kaluar të KE-së.

Sipas Ramadanit, Raporti vjetor i BE-së tashmë e paralajmëron rrezkiun nga humbja e rekomandimit për negociata.

“Nëse raporti analizohet detajisht, Republika e Maqedonisë këtë vit vetëm formalisht merr rekomandim nga KE-ja, thënë në mënyrë diplomatike, sa për t’u kënaqur pritja e qytetarëve, shumica e të cilëve janë me orientim proevropian, dhe për t’u thënë qytetarëve se liderët tuaj politikë nuk mendojnë për ju dhe për perspektivën tuaj evropiane sa që mendojmë ne. . Sikur të ishim të sinqertë deri në fund, vetë duhet të konstatojmë se ky raport i ashtuquajtur pozitiv i KE-së është parashenjë e mjaftueshme për rekomandimin e humbur për negociata me BE-në”, thotë Ramadani.

Duke pasur parasysh përparimin kumulativ që e ka bërë vendi, Komisioni konsideron se kriteret politike edhe më tutje janë plotësuar në masë të mjaftueshme dhe e mban rekomandimin për hapjen e negociatave, mirëpo me fatkeqësi konstaton se janë bërë hapa prapa gjatë vitit të kaluar.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button