Historiku i përhapjes së Ebolas (Video)

Viti 2013 riktheu virusin vdekjeprurës të Ebolës në botë. Sipas studiuesve, rasti i parë ishte pikërisht dimrin e kaluar, kur një djalë dy vjeçar në Guinea, pas një kontakti me një kafshë të infektuar me Ebola, gjeti vdekjen brenda dy ditëve.

Harta e kësaj epidemie të rrezikshme u përhap me ritme të shpejta, nga Guinea në Liberi dhe në Sierra Leone. Vetëm në Afrikën Perëndimore, deri më sot numërohen rreth 7000 viktima dhe ky kontinent për momentin është më i rrezikuari.

E konsideruar si sëmundja e parë ngjitëse në botë, Ebola gjeti shteg për të ardhur edhe në pjesën tjetër të globit, duke infektuar shtetas amerikanë dhe evropianë. Në Shtetet e Bashkuara, deri më tani numërohen tri raste.

Personi i fundit që humbi jetën ishte Thomas Duncan. Kambanat e alarmit u ndezën edhe në kontinentin evropian, ku një prift spanjoll gjeti vdekjen nga Ebola dhe tre muaj më pas, infermierja e tij rezultoi pozitive në testin e virusit.

Të enjten në mbrëmje u njoftua për një 58-vjeçar anglez që humbi jetën në Maqedoni, lajm ky që solli edhe alarmin e Ebolas në Ballkan.

Ndërkaq, organet qipriote të shëndetësisë po ndjekin me shqetësim të madh një rast të dyshimtë të një studenti në pjesën veriore të ishullit, i cili është shtruar në spital me temperaturë të lartë dhe është konsideruar si një rast i prekur nga epidemia.

Alarmi i Ebolës është dëgjuar edhe në vende të tjera, si Australi dhe Francë, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekziston frika e madhe se Ebola do të kthehet në epidemi globale, transmeton TopChannel.

Edhe pse Uashingtoni dhe Londra thonë se nuk ka rrezik nga virusi, autoritetet kanë shtuar masat në aeroporte, sidomos për shtetasit që vijnë nga vendet e Afrikës.

Jim Kim, presidenti i Bankës Botërore, në një deklaratë tha se komuniteti ndërkombëtar ka “dështuar” në përgjigjen e tij për shpërthimin e Ebolës dhe paralajmëroi se situata po rëndohet.

Mjekë, studiues edhe ekspertë ndërkombëtarë, që po ndjekin çështjen e Ebolës, thonë se rrezikshmëria më e madhe e përhapjes vjen nga Afrika Perëndimore.

Prandaj kujdesi më i madh duhet treguar nëpër aeroporte, si dhe në konsumimin e frutave tropikale, që eksportohen nga xhunglat afrikane.

Lajme të ngjashme

Back to top button