Ademi premton ndërtimin e shkollës në Slivnik, nxënësit ndërpresin bojkotin

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Velesit Sllavqi Çadiev ka vizituar shkollën fillore periferike “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Komunës së Velesit, ku ka realizuar takim me prindërit e nxënësve të kësaj shkolle të cilët bojkotojnë fillimin e vitit të ri shkollor për shkak kushteve të këqija në objektin aktual.

Ministri Ademi i njoftoi prindërit se ministria ka përgatitur projektin i cili parasheh mbindërtimin e një pjese të re të shkollës dhe renovimi i tërësishëm i objektit aktual që do të krijojë kushte të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor për nxënësit shqiptar të Slivnikut.

Ky projekt, sipas ministrit Ademi, do të financohet me mjete të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe se pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme do të fillojë ndërtimi.

Në këtë takim, ministri Ademi kërkoi nga Këshilli i prindërve që të ndërpresin bojkotin dhe nxënësit t’iu kthehen bankave shkollore dhe të filloj viti i ri shkollor.

Më pas, Këshilli i prindërve të shkollës në fshatin Slivnik ka njoftuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se kanë vendosur që të ndërpresin bojkotin dhe nxënësit të fillojnë mësimin duke filluar nga dita e Premte.

Lajme të ngjashme

Back to top button