Premiera e shfaqjes “Magjistari nga Ozi” në Qendrën Teatrore për Fëmijë në Shkup

Qendra Teatrore për Fëmijë – Shkup e fillon sezonin 2014/2015 me premierën e shfaqjes “Magjistari nga Ozi” sipas romanit të L. Frank Baum dhe në regji të Agon Myftarit. Ekipi tjetër realizues përbëhet nga Krste S. Xhidrov (skenograf), Enes Deari (kukulla dhe kostume), Samir Durguti (muzika) dhe luajnë Merlinda Saiti, Fisnik Zeqiri, Besfort Idrizi, Dritëro Ame, Blerim Dardhishta dhe Mona Mustafa.

Premiera e shfaqjes do të mbahet më datë 10.10.2014 me fillim në ora 19, kurse prej datës 15.10.2014 do të pasojnë 20 repriza të shfaqjes, të organizuara kryesisht për shkollat fillore të Komunës Çair dhe si çdoherë, këto shfaqje do të luhen gratis, me ç’rast fëmijët/nxënësit nuk do të duhet të paguajnë për të fituar një kënaqësi teatrore. Në këto 20 repriza do të përfshihen mbi 2400 fëmijë, mes të cilëve, për arsye se shfaqja ju dedikohet nxënësve të klasave të ulëta, do të ketë edhe një numër të konsiderueshëm të fëmijëve të cilët për herë të parë do të vijnë në teatër. Në këtë mënyrë, Qendra Teatrore për Fëmijë mbetet i vetmi teatër profesional për fëmijë që përveç që e pasuron jetën kulturore të fëmijëve shqiptar, sjell edhe vlera artistike të mirëfillta për fëmijët, me çka në të vërtetë orvatemi ta mbulojmë mungesën e aktiviteteve kulturore në përgjithësi, e sidomos teatrore në veçanti dhe atë jo vetëm në Shkup, por në nivel shtetëror.

Shfaqja “Magjistari nga Ozi” u realizua me mbështetje financiare nga Ministria e kulturës së RM-së dhe përkrahje nga Komuna Çair.

Lajme të ngjashme

Back to top button