Çohi të vdekun – vëll. II (Fiq e kastraveca)

Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ketë jetë?

A ka si i bahet kuj ma tepër dhun’?

Ehu! Shka do t’bajn, thue tash shqyptarët e shkretë; ata, qi m’vedi pas e kanë kanun’;

Ata qi n’dej kan gjak të Skanderbegut;

Qi sheklli mbajtë i ka për burra t’dheut?

Janë këto vargje nga poezia “Cohi te vdekun” të Gjergj Fishtës, të cilën jua rekomandoj ta lexoni (pale pa ta dëgjoni interpretimin e Reshat Arbanës… Heu!) të paktën dy herë në javë: të hënën e të premten në mëngjez, para se të shkoni në punë a në xhami a kudo që shkoni. Ta lexoni e t’ia kujtoni vedit se kush jeni e se cka reprezenton qenia juaj në këtë botë?! Ta kuptoni këtë botë nëpërmjet prizmës shqiptare, të definuar kaq fuqishëm nga ky njeri i Zotit e i pendës. Nuk kam të dhënë të saktë se kur është shkruar kjo poezi por nëse mund të supozoj, do të kisha thënë që duhet të jetë në kohën kur bëhej kërdia me Shqipërinë e shqiptarët nëpër konferencat europiane pas Luftës së Parë Botërore. Ajo që më inspiron te autori dhe te poezia, është fakti që fajin e kërkon te shqiptarët e te Shqipëria për të keqen që po ju ndodh. Fishta shënjestron e dënon shqiptarët për dembelizmin e tyre dhe përkuljes ndaj fatit e që “Shkjevet t’Ballkanit urё t’u rrijn mbas sodit”. Ja edhe disa vargje të poezisë:

Shka bajn shqyptarët?… Han fiq e kastraveca

E pijn’ mastik e qesin petlla n’uej;

E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;

E rrin tue kqyrrun udhës ushtarët e huej

Pale’a kanë ksulën gyp a se kapelë;

A ka uficiali kalin at apo pelë!

 Nuk mund të rrij e të mos rrënqethem nga vizioni i Fishtës para gati 100 vjetësh. Sa mirë e paska përshkruar para një shekulli kohën tonë, katandisjen tonë si popull. Domethënë shqiptarët – sa qejf e kemi ta madhërojmë burr-dhe-shmërinë tonë kur festojmë euforishëm VETËM 100 vjetorin e flamurit apo ndonjë përvjetor të Skënderbeut a Adem Jasharit – dembabadem paskan qenë dembela e të përkulur. Se mendova që vetëm sot jemi të tillë. Për ne, edhe atëherë paska qenë më e rëndësishme se si duket armiku jonë, cfarë kësule mban a cfar kali kalëron.

Përkthyer në kohën tonë, ne sot më shumë mërzitemi se cka mendon armiku jonë (apo kundërshtari politik në fjalorin politikisht më të butë të sotëm) – lexo VMRO për tonalitetin me të cilin ju drejtohemi çështjeve që tangojnë shqiptarët apo mënyrën se si i parashtrojmë kërkesat tona politike, sesa për përmbajtjen e këtyre kërkesave dhe për argumentimin e këtyre çështjeve. Sepse kemi frikën se çka mund të na ndodh nëse kërkesat apo diskutimet nuk i bëjmë në fjalorin e pranueshëm të “partnerit qeveritar maqedonas”. Shkaku i frikës sonë nuk ka progres politik dhe shoqëror. Shkaku i mosargumentimit tonë nuk ka opinion publik në qarqet shqiptare.

Gjithmonë më ka goditur kjo: “han fiq e kastraveca”. Kushtrim një populli të cektë që vetëm din të hajë, si një organizëm vegjetativ, pa ambicje e pa dëshirë për t’u thirrur në ideale për një të ardhme më të mirë. E frikshme kur e mendon që atdhedashuria jonë dhe solidariteti ndaj idealeve të përbashkëta ka mbetur vetëm në legjenda të një kohe të shkuar… Ndërkaq, në këtë moment kohor e historik, kjo letargji, kjo përhumbje legjendare, është shumë e dëmshme për ne.

(vazhdon)

Lexoni pjesën paraprake: Çohi të vdekun

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button