ANALIZË: Shteti nuk mund të mbijetojë më pa kredi?!

Vetëm për pesë vjet e gjysmë, apo nga fillimi i vitit 2009-të, deri në gusht të këtij viti, borxhi publik është rritur në rreth 2,5 miliard euro., analizon Portalb. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të përmbledhura sipas përkufizimit të ri për borxhin publik, borxhi total arrin deri më 3,9 miliardë euro ose 46.8% e PBB-së, historikisht nivel më i lartë deri tani.

Rrëzimi i rekordeve – Shteti ka borxh pothuajse 4 miliard euro – si do të kthehen?

A bien në ujë parashikimet dhe projeksionet e qeverisë që janë shkruar në “Strategjinë fiskale 2016”, në të cilën parashihet se borxhi publik do të reduktohet në 37.6% të PBB-së? Trendi i rritjes së huamarrjes edhe ndaj huadhënësve të brendshëm në bazë të borxhit të jashtëm rritet pandërprerë. Pasi që në mënyrë të shpejtë u miratuan ndryshimet në Ligjin për borxh publik, me çka u vendos përkufizim i ri për borxhet shtetërore, Qeveria i publikoi të dhënat e reja për borxhin publik, me çka kuptohet se “shteti” ka arritur nivel më të lartë historik gati 4 miliardë euro ose 46,8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në këtë strukturë të re të borxhit Qeveria ka lënë jashtë huamarrjet e Bankës Qendrore, kreditë e firmave dhe ndërmarrjeve shtetërore për të cilat nuk ka dhënë garanci shtetërore, edhe pse janë nën kontrollin e saj. Të dhënat e fundit megjithatë nxjerrin në pah pozicionet e borxheve të ndërmarrjeve publike dhe komunave.

Ja kush sa ka borxh:

Borxhi publik                           3,9 miliardë euro

-Qeveria qendrore                 3,3 miliardë euro  

-Komunat                               17,2 milionë euro  

-Ndërmarrjet publike             617,6 milionë euro  

Sipas njërit nga ish-ministrat e financave dhe ish-guvernator, Petar Goshev, këto të dhëna konfirmojnë paralajmërimet e ekonomistëve se shifrat aktuale nuk japin pasqyrën reale.

“Me këto të dhëna, Qeveria e pranon atë që unë kam thënë më parë, se borxhet e shtetit janë gati 50% të PBB-së. Unë madje mendoj se këto të dhëna nuk janë të plota, sepse prej tyre është lënë jashtë Banka Maqedonase për Përkrahje të  Zhvillimit, përmes së cilës ndahen kredi të huaja për kompanitë maqedonase. Në të njëjtën kohë unë besoj se borxhi i ndërmarrjeve publike është më i lartë, pasi që nuk janë përfshi borxhet për të cilat nuk ka garanci shtetërore “- vlerëson për Portalb, Goshev.

Analiza e shifrave tregon se trendi i rritjes të borxhit publik fillon në vitin 2009, kur ai nga 1.5 miliardë në vitin 2008, u rrit në 1.7 miliard euro në vitin 2009. Që atëherë, borxhi i  Qeverisë Qendrore dhe i ndërmarrjeve publike është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Ja se si ndryshon ritmi i huamarrjes sipas përkufizimit të ri, me përjashtim të borxhit të Bankës Qendrore, pjesës së kredive të Bankës Qendrore dhe të disa ndërmarrjeve publike për të cilat nuk ka garanci shtetërore:

2008                  1,5 miliardë euro

2009                  1,7 miliardë euro

2010                  1,9 miliardë euro

2011                  2,4 miliardë euro

2012                   2,9 miliardë euro

2013                   3,2 miliardë euro

2014( gusht)     3,9 miliardë euro

Në “Strategjinë Fiskale”, të botuar kohëve të fundit, Qeveria tregoi se niveli i borxhit të qeverisë deri në vitin 2016 nuk do të kalojë 37.6%, dhe tashmë në gusht të këtij viti, vetëm në bazë të borxhit të shtetëror është arritur një nivel prej 39.6%.

“Në bazë të angazhimeve për të financuar nevojat e shtetit me koston më të ulët të mundshme në afatin e mesëm dhe të gjatë, nivel të qëndrueshëm të rrezikut dhe nivelit të ulët të borxhit të shtetërorë, si dhe realizimin e investimeve të planifikuara  në infrastrukturë, lëvizja e borxhit shtetëror është planifikuar për të mbajtur shkallën e projektuar, gjegjësisht që të ketë rritje të moderuar që nuk do të rrezikojë qëndrueshmërinë e financave publike, prandaj pritet që borxhi shtetëror që mos të kalon 37.6% të PBB-së në fund të vitit 2016 “, – shkruhet në Strategjinë fiskale.

Sipas ish guvernatorit Goshev, me ritmin e tanishëm të huamarrjes, Maqedonia shkon ka kufiri i 60%  i PBB, çka sugjeron se është rëndë të realizohen projeksionet qeveritare nga Strategjia fiskale.

“Nëse e ndjekim dinamikën e deficitit buxhetor, qeveria për këtë vit projektonte vrimë prej vetëm 3.5% të PBB-së, por a do ta ruaj këtë nivel, ne do të shohim në fund të këtij viti. Edhe për vitin e ardhshëm është projektuar deficiti prej 3.5%, kurse ai do të duhet të financohet me huamarrje të reja. Prandaj unë besoj se jo vetëm që nuk do të ulet, por borxhi shtetëror do të vazhdojë të rritet. Kjo qeveri nuk mund të mbijetojë pa kredi dhe huamarrje”, – thotë për Portalb, Goshev.

Në të njëjtën kohë, edhe borxhi i jashtëm bruto ka arritur nivelin më të lartë rekord 5,7 euro ose 71,66%. Sipas guvernatorit Dimitar Bogov nuk ka asnjë arsye për shqetësim.

“Borxhi i jashtëm i Republikës së Maqedonisë nuk është shqetësues për shkak se dy komponent kryesore janë pjesë e kredive tregtare dhe kredive të lidhura në mes subjekteve që është shumë pozitive për ekonominë tonë dhe gjegjësisht investime të huaja direkte. Në analizën tonë të shtatë treguesve, në pesë tregues  Maqedoni është vend me borxhe mesatare, në një tregues vend me borxh të ulët  dhe në një tregues vend me borxh të lartë. Vetëm në nivelin të borxhit ndaj PBB-së, Maqedonia në vazhdimësi llogaritet si shtet me borxh të lartë që nga viti 2005.” – kohë më parë tha guvernatori Bogov.

Përmes ndryshimeve kushtetuese, qeveria propozoi kufizimin e borxhit publik në një maksimum prej 60% të PBB-së. Me këtë veprim, disa ekonomistë shohin përpjekjet e qeverisë për të bërë fushë për huazime të mëtejshme nën ombrellën se punon sipas Kushtetutës.

“Për dy-tri vjet planifikojnë të bëjnë ende harxhime, të arrijnë atë kufirin prej 60%, edhe atë sipas metodologjisë së re, por, kur të arrihet ai kufi, tjetër kush le të mendohet. Sipas metodologjisë së re të llogaritjes së borxhit publik, planifikohet që deri në vitin 2017, të arrihet kulmi. Si do të  jenë ciklet ekonomike vitin e ardhshëm  në këtë ambient të pasigurt të jashtëm makroekonomik mbetet të shihet ? –deklaroi kohëve të fundit akademik Abdylmenaf Bexheti në një debat të titulluar “kushtetuta e imponuar”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, 2.1 miliard euro janë borxh ndaj subjekteve të jashtme dhe 1.2 miliardë euro janë borxh i Qeverisë qendrore ndaj kreditorëve të brendshëm.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button