Lulet e saj

Më solli lule. I vendosi në vazon e kuqe të cilën si me ngut e mbushi me ujë të freskët. Në një grusht mblodhi petalet e mbetura që moti në tavolinë dhe u ul afër meje. Ishte hera e parë që dikush më dhuronte lule. Ishin të bukura, me ngjyra të ndryshme, nuk i njihja të gjithë. Sikur m’i lexoi mendimet dhe pa e pyetur, nisi të m’i prezantoi një nga një: mimoza e verdhë këtu simbolizon miqësi, mbrojtje dhe siguri. Dikush thotë që ngjyra e verdh mishëron xhelozinë, por për mua ajo është ngrohtësi dhe dritë.

Më shtrëngoi dorën. Trëndafilat e kuq, këtë me siguri e di, mishërojnë dashurinë dhe pasionin, por a e di se njësoj simbolizojnë sakrificën? Më shikoi në sy. Jo, thash shkurt. Ktheu kokën dhe vazhdoi, lulet e kaltëra këtu simbolizojnë harmoninë dhe qetësinë shpirtërore, ndërsa ky trëndafili i bardhë reflekton pastërti dhe respekt. Kjo nuk është e gjitha, ka dhe lule dhe ngjyra tjera, por t’i tregoj një herë tjetër, me rëndësi është që kjo tufë lulesh është poezia ime për ty.

Buzëqesha. Përderisa fliste, më kaploi një qetësi. Mbështeta kokën mbi supin e saj. Flokët i çlironin një aromë të freskët si prej lulesh. Kjo ishte poezia ime.

Fragment nga Lundruesi

Lajme të ngjashme

Back to top button