Përdhosja e gjuhës shqipe (Pjesa 2)

Para do muajsh pata shkruar për përdhosjen dhe keqpërdorimin e gjuhës shqipe nëpër vende të ndryshme, në broshura, reklama, zyra, institucione, shitore, etj., por me sa duket golgota vazhdon dhe s’ka të ndalur. Ajo që e bën akoma më tragjikomike tërë situatën, është fakti se keqpërdorimet e këtilla shpesh vijnë nga institucione që njihen për nga nami e fama e tyre gjithandej.

Kam përzgjedhur kësaj radhe dy momente në të cilat vërehet një gjuhë shqipe e bastarduar nga institucione me relevancë ndërkombëtare, posaçërisht te njëri prej tyre. E keqja më e madhe është se të dy rastet janë regjistruar në ambiente akademike, respektivisht në institucione të arsimit të lartë në Maqedoni nga organizata apo shoqata të cilat në fakt deklarojnë që përkrahin dhe punojnë për promovimin e vlerave të mirëfillta akademike në këtë rajon apo edhe më gjerë.

Duke mos e zgjatur më tej, ju lë në shoqërim të fotografive të mëposhtme ku mund t’i vëreni gabimet e identifikuara.

Sa për sqarim:

 1.       Në anën e majtë të fotos së mësipërme kemi përkthim jo të drejtë të dy nocioneve që i vëreni:

?????????????? (në maqedonisht) – shumë-konfesional (në shqip)

Ndërfetar (në shqip) – ????????????? (në maqedonisht)

2.       Çështja e muajit qershor (lart, djathtas) e jo Gershor (dikush mund të thotë që është gabim shtypi, por ama nuk mund të tolerohet një i tillë sepse nuk është i vogël, aq më tepër kur ky farë kalendari do të ndodhet mbi tavolinën e dikujt për 365 ditë rresht;
 3.       Shkurtimet e fjalëve (si me rastin e ditëve të javës) duhen pasuar me pikë  për të treguar që kemi të bëjmë me fjalë të shkurtuar, edhe pse, ndryshe nga maqedonishtja apo edhe gjuhët tjera, emrat e ditëve të javës në shqip janë edhe ashtu të shkurtër (në të shumtën e rasteve, siç mundeni ta shihni edhe vetë, mungojnë një apo dy shkronja dhe kjo nuk e ngushton hapësirën djathtas);
 4.       Dy fjalët (e njëjta) më poshtë (lejletul) kujtoj që kanë nevojë për përkthim në shqip (ashtu siç është bërë me tekstin maqedonisht) që të mund të kuptohen nga çdokush (lejl nga arabishtja – natë); dhe
 5.       Fjala e shkruar drejt duhet të jetë shenjtorëve dhe jo ashtu siç është paraqitur në foto (sipër).

Në fotografinë e dytë kemi të bëjmë me problematikën e përdorimit të shkronjës së madhe në drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Sipas rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe, shkronja e madhe në tituj gazetash a në shprehje tjera me emra të përgjithshëm përdoret vetëm në fillim të fjalisë, shprehjes ose titullit dhe jo në secilën fjalë vijuese. D.m.th. sipas rregullave drejtshkrimore, duhej të kishim:

‘Zbulo fuqinë e shkollimit aty ku ndeshen kulturat’

‘Shkencat sociale’

‘Artet e bukura’

Ndërsa, ajo që nuk duhet të ndodhë në të ARDHMEN është të shkruajmë ARDHMËN!

Ajo që mbetet si porosi e këtij shkrimi është që duhet pasur kujdes ndaj vlerave të një komuniteti, të një populli apo edhe një grupi të vogël njerëzish aq më tepër kur ata janë vetë caku i promovimit a reklamimit të kampanjave, prodhimeve, shërbimeve, ofertave dhe ideve nga subjekte të ndryshme, ngado qofshin ato. 

Lajme të ngjashme

Back to top button