ISIS nuk luftohet me fjalime dhe shantazhe

Mizoria e një grupi terrorist që pretendon të krijojë njëfarë “kalifati islamik” e nxiti përgjigjen e merituar të botës së civilizuar. Rëndësia e çështjes shihet në faktin që në historinë e vet shtatëdhjetëvjeçare, kjo është hera e gjashtë që samiti i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kryesohet nga një kryetar shteti. Presidenti amerikan e bëri të qartë që rezoluta e miratuar vlen për të gjitha shtetet, të cilat obligohen për “parandalimin e rekrutimit, organizimit, transportit dhe pajisjes së terroristëve të huaj; lëvizjen e grupeve terroriste në territorin e vendeve, si dhe miratimin e ndryshimeve ligjore për ndjekjen e atyre që kyçen në veprime të këtilla”.

Ndonëse javën e kaluar Maqedonia nuk ishte pjesë e shteteve që e luftojnë grupin terrorist ISIS, kjo ndryshoi brenda disa ditëve, ku megjithatë mungoi transparenca për vendimin e bashkëngjitjes ndaj aleancës globale. Sikur të mos mjaftonte kjo, pozita e Shkupit zyrtar u koklavit edhe më tej me fjalimin e Presidentit Gjorge Ivanov në Këshillin e Sigurimit – aty ku kolegu i tij amerikan i porositi të gjithë që fjalët e thëna duhet të shoqërohen me vepra konkrete.

Për fillim, konstatimi i Ivanovit që “luftëtarët e Ballkanit grupohen në njësi etno-nacionale” është katërçipërisht i kundërt me misionin e promovuar nga terroristët e ISIS-it dhe të ngjashmëve. Në shpalljet e tyre, ata e bëjnë të qartë synimin për krijimin e një shteti të bazuar ekskluzivisht në identitetin e caktuar fetar. Shërbimet e huaja të inteligjencës e dëshmojnë të njëjtën – të rekrutuarit vijnë nga cepa të ndryshëm të botës, nën idealin se të gjithë lidhen vetëm nga përkatësia fetare. Një deklaratë e këtillë në institucionin më të lartë global flet për injorancë të skajshme, por edhe për tendencën e përshkrimit të fajit mbi grupet e caktuara etnike, duke i lidhur ato apriori me terrorizmin.

Disa rreshta më poshtë, një shpikje tjetër: vendi qenka nën kanosje për krijimin e “Kalifatit Ballkanik”. Kjo edhe një herë e dëshmon informimin e mangët – nuk ekziston diçka e tillë si “Kalifat Ballkanik”. Ata që janë me ëndërr kalifati, e kanë filluar fushatën e tyre të mbrapshtë për të pushtuar një territor më të madh si tërësi, pa e bërë dallimin sipas ndarjeve aktuale gjeografike.

Porosia kyçe e fjalimit është pjesa më problematike – ndërlidhja e kundërshtimit të terroristëve të huaj me problemet me të cilat ballafaqohet Maqedonia. Fjalët kërcënuese se mos-anëtarësimi i Maqedonisë në NATO krijon vakum që do të mbushet nga dikush tjetër herët a vonë, nuk i përket sjelljes së një aleati dhe e përdhos kontributin e deritashëm të Maqedonisë ndaj sigurisë globale.

Fatkeqësisht, kjo po shndërrohet në skemë veprimi të politikës së jashtme. Ngjashëm me partnerin shqiptar të koalicionit që e frikësonte perëndimin me konflikt etnik në rast se nuk bëhemi pjesë e NATO-së, tash Presidenti Ivanov e ngrit nivelin e shantazhit pak më lartë, duke i ndërlidhur problemet e Maqedonisë me pjesëmarrjen në një koalicion të gjerë global, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që në maj 2008 lidhi Marrëveshje për partneritet strategjik me Maqedoninë.

Në rrafshin real, aleanca e udhëhequr nga Uashingtoni numëron mbi 60 shtete, ku disa kontribuojnë me fonde financiare, tjerët me pajisje dhe personel ushtarak, ndihmë humanitare dhe mbështetje politike. Shqipëria është shteti i vetëm fqinj që ka siguruar armë dhe municione për forcat e kurdëve, ndërkohë që Maqedonia nuk ka dhënë asnjë përkushtim konkret.

Anash mungesës së përkushtimit konkret – edhe atëherë kur anashkalohet fjalimi në Këshillin e Sigurimit – ka disa pyetje serioze lidhur me sigurinë kombëtare. Për shembull, nëse bazohemi në fjalët e Presidentit Ivanov i cili e nënvizoi kanosjen ndaj Maqedonisë, parashtrohet pyetja pse nuk është thirrur Këshilli Nacional i Sigurimit për ta diskutuar çështjen ose pse nuk janë mbledhur komisionet parlamentare. Mbetet e panjohur se kush ka vendosur për bashkëngjitje në aleancën e udhëhequr nga SHBA dhe ajo që është më e rëndësishme – si të dëshmohet përkushtimi me vepra.

Numri i shtetasve të vrarë të Maqedonisë në Siri e tregon qartë peshën e problemit, por edhe nevojën për kyçje të drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore. Deri sot, ka një mospërputhje të dukshme të zhvillimeve në terren me fjalimet në Nju Jork. Heshtja ndaj rekrutimit në mëhalla mund të duket si një plan i mirë për ta shitur në perëndim rrëfimin e “transversales së gjelbër”, me të cilën edhe Sllobodan Milosheviçi kërkonte mbështetje për luftimin e “terroristëve shqiptarë”.

Varfëria e thellë, arsimi i dobët, kriminalizimi sistematik dhe politizimi brutal i shoqërisë janë recetë për krijimin e mjedisit pa perspektivë, ku veprojnë mbjellësit e vdekjes. Në mungesë të veprimeve policore ose gjyqësore kundër atyre që i shpijnë të rinjtë në rrugë pa kthim, mbetet pyetja nëse autoritetet shtetërore janë në dijeni për aktivitetet e radikalëve dhe nuk veprojnë, ose nuk kanë asnjë informatë për atë që ndodh disa kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Cilado prej këtyre dy opsioneve është fatkeqe dhe Maqedonia duhet të fillojë t’i kryejë detyrat e shtëpisë – kjo është dashur të fillojë shumë më herët, pa pritur një rezolutë të Kombeve të Bashkuara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button