Jashari: Vendimi për “Monstra” në shkallën e dytë të jetë transparent

Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari ka kërkuar që të merren parasysh faktet dhe provat rreth rastit “Monstra” dhe ata të bëhen transparente apo publike për opininin e gjerë.

“Unë si ministër nuk kam të drejtë që të shqyrtoj ligjshmërinë e vendimeve, por në bazë të informatave që kam marrë nga burime të ndryshme, kam kërkuar në deklaratat e mia publike që në këtë rast, për shkak të politizimit të skajshëm – të merren provat dhe faktet mbi bazën e së cilës janë sjellë këto vendime, të bëhen transparente, respektivisht publike. Meqë në ditën e parë kur unë jam zgjedhur si ministër u bë shpallja e vendimit, që në atë moment unë kërkova transparencë të fakteve të provave, në procedurë të shkallës së dytë.

Aktualisht sa kam unë informata, vendimi i shkallës së parë duhet t’u dorëzohet palëve që ato të mund të apelojnë, të ankohen dhe edhe një herë do të apeloj që kjo procedurë në lidhje me këtë rast, në shkallë të dytë duhet të jetë sa më transparente, çdo provë, çdo fakt duhet të bëhet publikisht i ditur për opinionin e gjerë me qëllim që definitivisht edhe ky rast edhe kjo procedurë të merr kahen e duhur”, ka thënë në bisedën për “Koha”, ministri Jashari.

Ai ka thënë se çështja e pavarësimit dhe profesionalizimit të gjyqësorit është një çështje që po debatohet. “Unë asnjëherë nuk kam deklaruar dhe nuk do të deklaroj së gjyqësori në Maqedoni është i pavarur nga ndikimet politike apo nga ndikimet e caktuara biznesore që kanë interesa të caktuara në momente të caktuara. Ne po ndryshojmë në aspektin normativ teorik ligjet dhe tendenca është që të rrisim pavarësimin, profesionalizmin, por të rrisim edhe transparencën. Por, këto tre segmente të rëndësishme për gjyqësorin nuk varen edhe prej reformave”, ka thënë Jashari.

Lajme të ngjashme

Back to top button