Subrata Roy: Bujqit e pasur, Ohri si Las Vegas, artistët yje në seritë indiane?

Të ardhurat e bujqve do të rriten për 40%. “Sahara group” do të prodhojë dhe do të eksportojë qumësht nga Maqedonia në Lindje. Ohri do të fitojë “Las Vegas”-in e tij – ndërsa ndërtimi i kompleksit hotelier-turistik duhet të fillojë vitin e ardhshëm.  

Qëllime të sinqerta për investim ose prapavijë së së shpejti do të dalë në shesh? Çka shkruan në marrëveshjet ndërmjet qeverisë dhe biznesmenit indian Subrata Roy? Cili është interesi i tij për investim të, siç paralajmëroi, qindra miliona eurove në një vend me treg prej dy milionë banorësh, që paraqet 0,1% të popullatës së gjithëmbarshme në atdheun e Royit – Indi? 

Gjatë vizitës së fundit në Maqedoni, Roy nga kuferi nxori edhe një paralajmërim për investime, në tashmë kombinatin e dështuar bujqësor Xhumajlija. Por në pako me këtë – erdhi të dorëzojë edhe një kërkesë – blerje të tokësë së re në lokacionin Lubanishtë në Ohër. 

“Është shumë e komplikuar që të jetë aq e thjeshtë dhe magjike!”

Jo vetëm për faktin që jetoj në Ohër, për këtë çështje mendoj sikurse edhe çdo banor i Ohrit, edhe besoj edhe i Maqedonisë: Është tepër magjike për të qenë reale! Me të vërtetë Subrata Roy, në takimin e punës ndërmjet ekipit të kompanisë “Sahara India Parivar” dhe delegacionit qeveritar, premtoi se ndërtimi i qendrës turistike “Sahara Maqedoni” do të fillojë në mars të vitit të ardhshëm, por, megjithatë, mbetet shumë skepticizëm. Nënkuptohet, dilemat janë edhe më të theksuara te ne që kemi më tepër informata. Personalisht e di se Roy-i ishte njëra, nëse jo edhe atuja kryesore në garën për kryetar të komunës së Ohrit, që personalisht duheshte të ndryshohet – me Roy-in ose pa të, kjo është çështje tjetër” – sqaron për “Portalb”-in, Vele Mitanovski, analist –gazetar nga Ohri. 

A mund të pritet realizim i investimeve? Sipas matjeve të institucioneve kompetente, vjet nga India kanë hyrë 30 mijë euro – investime të drejtpërdrejta në Maqedoni. 

Sipas deklaratës së Subrata Roy-it, ai deri tani në vend ka investuar 10 milionë euro. Si investim kyç e përmend blerjen e hotelit “Sllavia” në bregun e Liqenit të Ohrit. 

Investimi prej 10 milionë eurove, për të cilin flet Roy-i akoma nuk është evidentuar në saldon e Investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Sipas të dhënave, në kuartalin e parë të këtij viti, nga India kanë ardhur investimt në vlerë prej 20 mijë eurosh.

“Punët nuk janë ashtu siç duken në shikim të parë, se investimet dhe progresi do të vijnë me shpejtësi filmike. Ndoshta për këtë arsye në mesin e banorëve të Ohrit do ta dëgjoni kualifikimin se ky është “projekt filmik”. Nuk duhet anashkaluar as aspektet ekologjike, jo vetëm për shkak të faktit se qyteti dhe liqeni janë në patronazhin e UNESCO-s, në listën botërore të vlerave të mbrojtura. Banorët e Ohrit pijnë ujë nga Liqeni i Ohrit, e nuk është larg dita kur ai do të duhet të transportohet edhe në qytete të tjera. T’jua përkujtoj vizionin e Huntingtonit se luftërat e ardhshme do të zhvillohen për resurset e ujit. Është shumë e komplikuar që të jetë aq e thjeshtë dhe magjike” – sqaron Mitanoski. 

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veripëerëndimore kanë vlerësim të ashpër se paralajmërimet e Subrata Roy-it për investime janë më tepër paradë se sa diçka që do të ndodhë realisht.

“Ndoshta duhet të flitet në dimensione më të vogla, për investime më modeste, por reale, që do të realizoheshin shumë lehtë dhe shumë shpejtë, për shkak se vendit i duhet diçka që është e djeshme, e jo e pasnesërme” – vlerëson kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi..

Çka premtoi Subrata Roy-i?
Opozita i bëri thirrje qeverisë që në mënyrë të qartë dhe publike të nxjerrë në dritë se çka fshehin marrëveshjet me Subrata Roy-in. Qeveria ia ktheu opozitës se ajo nuk ka kredibilitet të pyesë dhe të flasë për investimet. Vetëm Ministria për bujqësi e publikoi marrëveshjen për Xhumajlinë. 

Ja çka planifikon dhe çka paralajmëroi se do të ndërtojë në Maqedoni, Subrata Roy-i.

Kompleks – Lubanishtë (Las Vegas):
Sipas planeve, kompania indiane e miliarderit Roy, në Ohër duhet të ndërtojë një qendër turistike mondene, me hotele luksoze, kazino, terrene sportive, liman, objekte për zbavitje dhe rekreim, pushim, terrene për golf, spa qendra, marina-hotele dhe kazino në ujë në sipërfaqe prej 240 hektarësh. Në mënyrë plotësuese, tani kërkoi edhe 17.000 hektarë tokë të re, për të cilën kisha thotë se është vend i shenjtë dhe se nuk do t’ia japë. Ndërtimi duhet të fillojë vitin e ardhshëm. Subrata Roy personalisht nuk është informuar se ka probleme dhe rezistencë nga ana e banorëve lokalë dhe nga kisha për ta shitur tokën. 

Bujqësi:
“Sahara Group” në tre vitet e ardhshme do të investojë rreth 211 milionë euro në agrokombinatin Xhumajlija. Do të punësohen 2000 persona. Përfitim do të kenë 75.000 bujq, të ardhurat e të cilëve do të rriteshin për 40% . Planifikohet ndërtimi i fabrikës për ushqim bagëtish dhe qumështore me fermë. Në një periudhë tre vjeçare në vend do të vinin rreth 20 mijë krerë lopë. Qumështi dhe produktet e qumështit kryesisht do të eksportoheshin në tregjet e Lindjes. Ristartimi i Xhumajlisë duhe të bëhetë në mars të vitit të ardhshëm. 

Industria filmike:
Në promovimin e mbyllur në “Ohër”, në prani të përfaqësuesve qeveritarë është promovuar edhe një film dokumentar për biznesin filmik të “Sahara Group”. Roy paralajmëroi “Bolivud” në Maqedoni. Investimet në industrinë fimike do të fillonin nga fundi i vitit. Do të angazhohen edhe artistë dhe punëtorë filmikë vendorë.  

Përmendore e Nënës Terezë:
Pak para se të vijë në Maqedoni për herë të tretë, qeveria i dhuroi Roy-it një parcelë ndërtimore me sipërfaqe prej 621 metrash katrorë përballë përmendores “Luftëtari në kal”. Bartja e pronësisë së tokës te kompania “Sahara global” duhet të realizohet në afat prej 60 ditësh, me ç’rast shenja përkujtimore e Nënës Terezë do të mund të fillojë të ndërtohet në korridorin ekzistues për këmbësorë, ndërmjet hotelit “Marriot” dhe hotelit të planifikuar të cilin duhet ta ndërtojë biznesmeni grek Demetris Kondominas. Në përputhje me të dhënat nga PDU-ja “Ringu i vogël”, për shenjën përkujtimore të Nënës Terezë lartësia maksimale e lejuar është 32 metra.

Në Indi – hetime
Subrata Roy posedon mbi 15 kompani, dhe thotë se prona e firmave vlen diku rreth 22 mliardë euro. Por para organeve hetimore në Indi ai para do kohësh deklaroi se prona e tij personale vlerësohet në vetëm 1 milionë dollarë.

Biznismenit indian Subrata Roy, siç shkruan mediat e atjeshme, me vendim të Gjykatës Supreme të Indisë, për shkak të mashtrimeve dhe fshehjes së tatimeve në vlerë prej 4,4 miliardë dollarëve, iu ngri e tërë prona dhe llogaritë, e më vonë u shpall edhe urdhër arrest për arrestimin e tij. Pak më vonë në opinion u përhap lajmi se rregullatori indian i tregut SEBI ka filluar me procesin e kthimit të parave që kompania e biznesmenit indian Subrtata Roy ua ka borxh investitorëve. Subrata Roy, edhe pse u prezantua si miliarder dhe investitor i madh, megjithatë gjatë dëgjimit para rregullatorit të tregut SEBI deklaroi se prona e tij e përgjithshme nuk e tejkalon vlerën e 1 milionë dollarëve.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button