BREZI I KARKALECIT (KARKALECI III)

Mbaheshka mend dimri i 1984, si dimër shumë i ftohtë dhe i acarrtë. Aty diku në fillim të marsit të po atij viti linda unë. Babi im kishte shkrepur disa herë me revole. I gëzuar, që i ka lindur djalë, përsëri! Teksa lexoja ditarin e tij, disa vite pasi ndërroi jetë, pikërisht ajo datë mban një shënim shumë interesant ndër të tjerave, të cilin dua ta parafrazoj për të rruajtur intimitetin e shkruajtësit të ditarit: ka lindur edhe një sokol që do rritet të nderojë familjen dhe kombin.

Në atë frymë u rritëm jo vetëm unë e shokët e mij, por e gjithë gjenerata, i tërë brezi. Në frymën e patriotizmit, të qëllimeve më të mëdha, idealiste. Faktikisht u rritëm me frymën e përkatësisë. I përkisnim jo vetëm një kombi, por edhe një ideali me të cilin na ushqenin Brezi i artë përditë dhe që kishte të bëjë me diçka shumë më të madhe se vetvetja dhe individi. Ishin idealet e lirisë dhe barazisë, e të drejtës për vetëvendosje që është liria absolute, e të punuarit palodhur për të nderuar familjen dhe rrethin.

Diku përgjatë rrugës, brezi im e humbi drejtimin që e kishte patur amanet nga Brezi i artë. U transformua në një brez karkalecash. Në një brez i cili nuk diti të mbindërtojë idealet e prindërve të vet, por lejoi që ato të harxhohen dhe të transformohen në gojëdhëna, që i përkisnin një të kaluare (aspak të largët) idealiste gjoja të vjetërruar, që nuk kishte të bëjë fare me të sotmen, modernen. Në një brez që nuk punoi me ndjenjën e përkatësisë të diçkaje shumë më të madhe sesa vetvetja, por në frymën e një individualizmi të përzier sa perëndimor, aq edhe lindor. Një individualizëm që rënoi vlerat qytetare dhe morale sepse nuk i përfilli fare, por u mundua që shumë shpejt t’i adaptohet kapitalizmit perëndimor; ndërsa në anën tjetër i imponoi vetvetes vlera lindore që nuk qenë të tijat, poashtu në një kohë shumë të shpejtë.

Pra, brezi im është brezi i karkalecave të humbur e të hutuar. Jo vetëm që kemi humbur idealet dhe qëllimin e përgjithshëm, por ngase kemi humbur vlerat kombëtare, jemi hutuar, nuk dijmë ku të kapemi e ku të mbahemi.

Fatmirësisht kjo gjendje haosi nuk do të zgjasë shumë gjatë. Dy janë opcionet shpresëdhënëse: e para, kjo gjeneratë karkalecash do të shohë që dimri po afrohet, dhe që duhet t’i përkushtohet gjeneratës së ardhshme, brezit të ri që do len pas. Të mutojë nga karkaleci në milingonë. Po nuk arritëm ta bëjmë këtë, shpresa për brezin e ardhshëm do të vijë me përfundimin e këtij brezi, që do të vijë në mënyrë natyrore.

Fabula e La Fontaine tregon për karkalecin që tërë verës këndonte, derisa milingona mbledhte ushqim për dimër. Kur milingona ia tërhoqi vëmendjen karkalecit që duhej të fillonte të mendonte për kohët e këqija, ky i tha që edhe dimrin do ta priste me këngë. Me të vërtetë, ashtu edhe e priti dimrin karkaleci – me këngë. Por edhe me barkun e zbrazur. Ndërkaq, milingona këndonte me barkun plot, e kënaqur për punën që kishte bërë gjatë verës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button