Ja se si drejtorët e përgënjeshtrojnë Abdilaqim Ademin (FOTO)

Për ministrin e Arsimit dhe shkencës Abdylaqim Ademi, fajtori kryesor për kushtet e vështira në shumë shkolla të vendit, janë vetë drejtorët. Ademi madje kritikoi ata duke thënë se nëse duan rikonstruime të shkollave duhet të aplikojnë me projekte dhe dokumentacione në Ministri të Arsimit.

Ndërkaq drejtori i shkollës fillore “Liman Kaba” në Lubeten, Xhezmi Abdyrramani bën të ditur për Portalb se që nga viti 2005 rregullisht dërgohen kërkesa për rikonstruimin e shkollës, madje kanë edhe projekt të përgatitur.

“Që pesë vite që jemi duke dërguar në komunë planin për zmadhimin e objektit, por asgjë nuk ndermirët, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ministrin e Arsimit dhe Shkencës (MASH) por ende asnjë përgjigje nuk kemi marrë”, tha Abdyrramani për Portalb.

Ai shtoi se numri i nxënësve në këtë shkollë është rreth 470, të cilët nxënës mësojnë në kushte të vështira si rezultat i mungesës së hapësirës shkollore.

“Tani më të gjithë janë të njoftuar për kushtet që kemi në këtë shkollë. Klasat janë të vogla nxënës ka shumë por si duket askush nuk angazhohet për të përmirësuar këtë gjendje momentale të kësaj shkolle”, theksoi Abdyrramani.

“Në prill 2013 patëm fatin që shkollën tonë Ju ta vizitoni personalisht dhe te njiheni për gjendjen faktike, u njoftua për së afërmi me objektin ekzistues i cili gjendet vetëm disa kilometra nga Shkupi. Ne si institucion i plotësuam dy herë pyetësorët e ministrisë për gjendjen faktike në të cilën gjendet shkolla,  dhe kërkuam ndërhyrje për tu përmirësuar gjendja, mirëpo patëm përgjigje negative”, thuhet në kërkesën e kryesisë së kësaj shkolle drejtuar ish Zëvendës Ministrit, Safet Neziri.

Kërkesa e Shkollës fillore Liman Kaba
Kërkesa e Shkollës fillore Liman Kaba

Gjithashtu kam kërkuar takim me ministrin e ri shqiptar Abdylaqim Ademin, por më ka thënë se momentalisht është i zënë dhe se së shpejti do të më kontaktojë për të caktuar takim, vazhdon më tej Abdyrrahmani.

Kurse reagimi i Ademit, vjen pas ankesave të shumta nga drejtorët dhe prindërit e nxënësve të shkollave, kryesisht me mësim në gjuhën shqipe duke filluar nga shkolla fillore ‘drita’ në Rashçe të Sarajit, ‘Vasil Gllavinov’ në Slivnik të Velesit, pastaj edhe shumë shkolla në rajonin e Tetovës dhe vendbanime tjera, për mungesë të kushteve elementare për mësim.

Më tej, edhe drejtori i shkollës fillore ‘Ismail Qemali’ në Nerasht të Tetovës hodhi poshtë akuzat e ministrit Ademi duke thënë se me projekt konkret për meremetimin e çatisë së shkollës ka konkurruar në Ministri të Arsimit, por ka marrë përgjigje negative, me arsyetimin, se nuk ka mjete të mjaftueshme.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button