Obama dobësohet, republikanët forcohen

Partia Republikane është duke fituar forcë para zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, teksa zhgënjimi i popullit me presidentin Barack Obama është manifestuar në mbështetje të vogël për mënyrën e tij të adresimit të politikës së jashtme dhe të terrorizimit Një anketë e bërë nga The New York Times dhe CBS News ka treguar se shkalla e mbështetjes së presidentit Barack Obama është e ngjashme me atë të presidentit George W. Bush në vitin 2006, kur demokratët morën të dy dhomat e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit.

Partia Republikane, ndonëse shumë e papëlqyer, është duke fituar forcë para zgjedhjeve të mesmandatit, teksa zhgënjimi i popullit me Obaman është manifestuar në mbështetje të vogël për mënyrën e tij të adresimit të politikës së jashtme dhe të terrorizimit, transmeton gazeta Tribuna. Anketa, e cila mat opinionin kombëtar para votimit për Dhomën e Përfaqësuesve, tregon një luhatje të ndjeshme të votuesve karshi Partisë Republikane dhe larg demokratëve. Zhgënjimi i votuesve me përfaqësuesit e tyre ka arritur në një shkallë të lartë, teksa gati dy të tretat tani thonë se janë të gatshëm që t’i ndëshkojnë përfaqësuesit e tyre dhe t’i largojnë ata nga postet e tyre.

Kandidatët republikanë ndihmohen edhe më tej nga fakti se votuesit i besojnë partisë së tyre më shumë se Partisë Demokratike për t’i adresuar disa nga çështjet që votuesit i konsiderojnë si më të rëndësishmet. Ekonomia ndodhet në krye të asaj liste, e pasuar nga përkujdesja shëndetësore, terrorizmi dhe imigracioni. Partia Republikane lehtësisht mund Partinë Demokratike për sa i përket adresimit të ekonomisë, terrorizmit dhe politikës së jashtme, përderisa votuesit janë të ndarë baras ndërmjet dy partive për sa i përket imigracionit. Demokratët kanë një epërsi prej pesë për qind për përkujdesjen shëndetësore, ndërsa shumë kandidatë republikanë kanë refuzuar që ta bëjnë ligjin e përkujdesjes shëndetësore, një ikonë e presidentit, si temë të fushatës zgjedhore.

Përkundër avantazheve të republikanëve në përgjithësi, amerikanët vazhdojnë që gjerësisht t’i shikojnë republikanët e Kongresit më negativisht sesa demokratët e Kongresit. Por, mjedisi i politikanëve në detyrë nga të dyja partitë e mëdha është toksik, me më shumë se nëntë në 10 votues që thonë se ka ardhur koha që t’i jepet rasti njerëzve të rinj. Gati 55 për qind e votuesve republikanë dhe gati gjysma e asaj shifre të të pavarurve e konsiderojnë votën e tyre për Kongres si votë kundër presidentit. Demokratët janë të ndarë, me më shumë njerëz që thonë se presidenti nuk përbën faktor në votën e tyre, sesa që vota e tyre përbën një shenjë mbështetjeje për të.

Shifra prej 34 për qind e mbështetjes për mënyrën e adresimit të politikës së jashtme nga Obama përbën një shifër të ulët rekorde për të, por jo aq të ulët sa shifra rekorde e Bushit (25 për qind). Shifra prej 41 për qind e mbështetjes për mënyrën e adresimit të terrorizmit nga Obama është jo vetëm shifra e tij më e keqe, por është edhe dukshëm më e ulët se ajo e Bushit në vitin 2006. (Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button