Të pimë çaj me zonjën Bodler

Ishte e paevitueshme se si çaji i jaseminit gjithmonë më kujtonte shijen e diçkaje të parealizuar. Çaj i ëmbël, freskues e delikat me aromë të veçantë që shpeshherë e pinim bashkë me zonjën Bodler në ballkonin e saj plot lule jargavani. Edhe atë mbrëmje pranvere po e shoqëroja në vend të një mbese që nuk e pati kurrë e që aq shumë dëshironte ta kishte. Ishte e diel, një pasdite e freskët kur zonja Bodler po ma mbushte filxhanin me çaj e po më fliste:

-“S’di ç’dreq mu kujtua sot darka e 5 shtatorit të 49-ës. Unë e ai përballë njëri tjetrit në restorantin e hotelit. Kostumi klasik i zi me këmishë ngjyrë qumështi, mënyra e tij xhentile e të folurit, muret ngjyrë bliri përreth, perdet me kordele jargavani, tymi i cigares, shija e çokollatës së karamelizuar në gjuhën time dhe shikimi i tij.”

-“Hmmmm sa bukur, kush do kishte dashur më shumë se aq?!”- i thashë unë duke u munduar të parafytyroj skenën e para 65 viteve.

-“Eh, edhe unë mendoja ashtu atëherë.”- tha zonja Bodler dhe më ledhatoi flokun. Në sytë e saj pashë mallin për të kaluarën e pakthyeshme e për ëmbëlsitë e rinisë. Sikur vetveten e shihte te unë, e gjente tek vitet e mija, tek brishtësia dhe naiviteti im.

-“Po ju, ju si dukeshit? Me siguri e bukur siç jeni dhe tani!” – e pyeta unë e ngazëllyer me një kureshtje si prej fëmije e me admirim për pamjen e saj mbresëlënëse edhe pse tani e shtyrë në moshë.

Zonjës Bodler të cilës iu bë qejfi shumë nga konstatimi im, buzëqeshi e tha:- “ E mbaj mend si sot atë natë. Kisha veshur një fustan mëndafshi ngjyrë vishnje, me një të çarë të theksuar në këmben e majtë. Take të zeza, pak makijazh por buzëkuq të pakursyer, perla në qafë dhe një gotë shampanje në dorë.”

-“Po cigare? Aristokratet e pinin shumë në mos gaboj.”- e pyeta edhe pse realisht nuk e kisha parë kurrë atë ta pinte.

-“Jo, kurrsesi! Unë në fakt e urrej duhanin! E kam armik të përbetuar.”- tha ajo dhe i fryu çajit të saj të nxehtë para se ta pinte.

-“E deshët shumë besoj?”- i thashë duke dashur kështu të ndez zjarrin me dëshirën e madhe për të dëgjuar edhe një histori dashurie të elitave aristokrate të viteve të 50-ta.

-“Më shumë se vetvetja. Edhe pse dija të jem e ashpër ngaherë.”:- ma ktheu ajo dhe buzët i morën formën e fillimit të një rrëfimi të dashur për të.Vazhdoi:-“ Ishte intelektual me manire të rafinuara. Gjithnjë i qetë dhe i përkushtuar pas meje. Ishte e çuditshme se si më kishte në dorë. Më ngrinte në qiell e më fundoste në thellësi të ferrit veç me një fjalë. Ai e ndjente se është dobësia ime e vetme dhe kishte mundësinë të më shkatërronte sepse e lejova. Më donte besoj, e unë …unë adhuroja të zgjohem në kraharorin e tij. Ah ai atlas i përkryer i lëkurës, ato krahë që gjithnjë më mbërthenin fort sikur ta bënin për herë të fundit. Aroma e parfumit të tij që sot më kujton tingullin e zhgënjimit…eh, disa herë të ndjekësh zemrën domethënë të humbësh mendjen…”

-“Përderisa dashuroheshit aq shumë, përse nuk u martove me të zonja Bodler?!”:- e pyeta me naivitetin e një vajze që i sheh gjërat bardh e zi.

-“Sepse ai asnjëherë nuk më propozoi martesë”-  tha ajo dhe një drithërimë e lehtë ja mbuloi fytyrën e rrudhosur sado që ajo u mundua ta fsheh këtë me mjaft mjeshtëri.

-“Po ju zonja Bodler, a i thatë ndonjëherë se e dashuronit?!” – E pyeta me shpresë se do e largoj nga fyti shtrëngimin që ndjeva nga përgjigja e saj në pyetjen e mëparshme por më kot.

-“Jo”- më tha- “nuk i thashë kurrë…mbase dhe kisha frikë ti them”-shtoi.

-“Frikë?!- e pyeta unë e habitur-“ Frikë nga çka zonja Bodler?!”

-“Frikë nga heshtja që mund të pasonte pas asaj”.- tha dhe një ftohtësi akulli u shfaq në lëkurën poshtë syve të saj.

-“Më erdhi keq për të, për ndjenjat e saj të përbuzura. Si kishte mundësi një dashuri e tillë të kalonte padiktueshëm?! Të vinte e shkonte në mënyre aq idioteske e pa shprehje ndjenjash; pa thënë qoftë edhe një herë të vetme “ Të dua!”?! Natyrisht këtë nuk ja thashë asaj e cila priste pyetjen time të radhës, e gatshme për rrëfim.

-“Si e përballuat mungesën e tij zonja Bodler?A ju merrte malli?”- vazhdova unë.

Ajo pavetëdije drejtoi sytë nga dera. Sikur diçka brenda saj ende po priste ardhjen e tij të pashpresë. Pastaj u kthye nga unë dhe më tha:

-“Mungesa e tij qe e tmerrshme… vitet e para mbase më shumë. Sikur boshllëqet e mia të ishin mbushur me frymën e tij, me qenien e tij të padukshme, të arratisur diku por që  gjithnjë e gjeja të pranishme në hijen time. Sikur pa vullnetin tim ai ishte kudo, në çdo qelizë timen…dhe më digjte shumë kjo gjë! Tani është më ndryshe.  E kujtoj vetëm në 5 shtator, mjaft e ka!”- tha dhe buzëqeshi. Sikur kështu deshi të ma bëjë me dije se ai më ishte plagë e shëruar mbi të cilën mund t’ia lejojmë të bëjmë shaka. Por kjo nuk qe e vërtetë!

-“A dashuruat dikë tjetër pas tij?”- e pyeta me një kureshtje të ngatërruar me ca naivitet e padjallëzi.

-“Sigurisht që po! E di si thonë e dashur, ka shumë lloje dashurish por asnjëherë e njëjta dashuri dy herë!”- tha dhe përmbysi filxhanin me çaj.

-“A e takuat ndonjëherë, diku rastësisht?”

-“Po!” -Tha ajo- “E takova fiks tre muaj pas largimit të tij. Në qytetin e San Petersburgut. Zemra më rrihte fort sikur do të më dilte nga vendi. Ndërrova rrugën. Asnjëherë nuk do e kisha imagjinuar se do ikja prej tij në atë mënyrë, si një e huaj.”

-“Po përse?! Përse nuk i dolët para, ta pyesnit, ti tregonit se…”

Zonja Bodler nuk më la ta përfundoj pyetjen:- “Nuk shkoj kundër asaj që ka shkruar dora prej lart. Unë besoja se nëse isha pjesë e ëndrrave të tij, ai do më kthehej një ditë.  Nëse jo, thjesht nuk paska qenë e shkruar!”

-“A u shndërrua ajo dashuri në urrejtje më pastaj?!”- e pyeta nga mllefi që po filloja ta ndjej diku thellë për ATË që kishte shkelur mbi diçka të njomë e të bukur me gjasë për lulëzim.

-“Jo absolutisht e dashur!” -tha ajo me aq mirësi e mirëkuptim- “Dëgjo! Unë besoj në atë se gjithçka në jetë ndodh për një arsye të caktuar. Mbase ndonjëherë arsyeja është e dukshme, ndonjëherë e zbulojmë më vonë në një kohë të duhur e ndonjëherë kurrë, por s’ka gjë. Mbase ai ishte shfaqur në jetën time për një qëllim më të lartë; ndoshta për të më mësuar një mësim të rëndësishëm ndoshta për të më mbajtur të sigurt gjatë një kohë të rrezikshme, ndoshta erdhi të më shpëtojë nga vetvetja. Unë e mirëprita atë edhe pse ai erdhi dorë për dore me dhimbjen dhe vuajtjen. Po, unë e vërtet e desha si e çmendur por ja që nuk ka qenë i imi për ta mbajtur.”

-“Mbase edhe keni të drejte zonja Bodler, por me gjithë respektin që kam për ju, si mund mos ta urreni as një çik fare ?! Në fund të fundit ai ju ka lënduar!”- thashë me një ngjyrë të egër të zërit e neveri të thellë për botën mashkullore.

-“Ajo e kuptoi keqardhjen time dhe më shtrëngoi dorën:- “ Jo e dashur! Asnjë nuk mund të të lëndojë pa lejen tënde. Unë vetë e lejova që ai këtë ta bënte. Mbase ata që kanë shumë dashuri përbrenda vetes, padashur ua falin edhe njerëzve të gabuar ndonjëherë.” – tha ajo dhe buzëqeshi duke ma mbushur përsëri filxhanin me çaj jasemini.

Më ngjau se në buzëqeshjen e saj pashë qetësinë dhe pajtimin me të kaluarën e shkuar.  Pashë mospendimin dhe dëshirën e çuditshme për mos ndryshim të asgjëje edhe sikur kjo gjë të ishte e mundur. Pashë pranimin e gjithçkaje si të tillë. Mbase vërtet gjithçka ndodhte sepse ashtu duhej të ndodhë, për një arsye të caktuar… mendoja kështu unë teksa afroja buzën në filxhanin e dyte me çaj jasemini. Ai çaj i ëmbël, freskues e delikat me aromë të veçantë, tani më shumë se kurrë më kujtonte shijen e diçkaje të parealizuar…mbase dashurisë së parealizuar!

Lajme të ngjashme

Back to top button