Sali Berisha pranon implikimin në skandalin e Bankës, konfirmon që Fullani ka prerë para për fushatat e tij elektorale

I trembur nga kërcënimi i koduar i Fullanit (më prenë besë), Sali Berisha zbërthen skemën e financimit të fushatave të tij elektorale nga Ardian Fullani, me lekët e shqiptarëve.

Ai pranoi dje hapur se ka marrë para nga Fullani pa deklaruar se për çfarë i ka përdorur. Një gjë është e qartë, që shqiptarëve ju është zhvleftësuar paraja nga prerjet e reja të kartëmonedhave, që hidhte Fullani, për interesat e Berishës. Siç edhe e ka thënë prej disa vitesh gazeta SOT, BSH u kthyen në mënyrë të paligjshme, në financuesen e fushatave, investimeve dhe shpenzimeve skandaloze të Sali Berishës, në funksion të qëndrimit të tij në pushtet.

Ardian Fullani, në vitin 2009, pikërisht në vitin e fushatës elektorale të Sali Berishës, hodhi në qarkullim 55 miliardë lekë më shumë, krahasuar me shumën e hedhur në vitin 2007. Në vitin 2013, Fullani ka dyfishuar sasinë e kartëmonedhave dhe të monedhave të dala nga qarkullimi si të dëmtuara, duke i zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Në vitin 2013, nga përpunimi i Fullanit rezultuan rreth 42.9 milionë copë kartëmonedhash të papërshtatshme për përdorim, ndërsa në vitin 2012, nga përpunimi rezultuan rreth 20.5 milionë copë kartëmonedha të papërshtatshme për përdorim, pra një herë më pak.

Rrëfehet Berisha

Duke e konsideruar prangosjen e Fullanit si një akt mafioz dhe stalinist të një shteti policor, Berisha ka dhënë dje një dëshmi befasuese për lidhjet e tij me Fullanin. Ish-kryeministri, të cilit mes duket po i ngushtohet laku i drejtësisë, ka pranuar se është përfshirë në operacione të dyshimta financiare me Ardian Fullanin. Ndonëse prokuroria nuk i ka kërkuar ende Berishës të rrëfehet për rolin e tij në veprimtarinë 10-vjeçare të Fullanit, Berisha e ka dhënë vetë dëshminë e parë, e cila mund të jetë e vlefshme për të zgjeruar rrethin e personave nën hetim për skandalin në Bankën e Shqipërisë dhe operacionet e dyshimta financiare mes BSH dhe qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. Ish-kryeministri ka folur për herë të parë për raportet me Ardian Fullanin si dhe për financimin e qeverisë së tij nga BSH. Ai ka pranuar se Ardian Fullani ka financuar qeverinë e tij, por shtoi se qeveritë e tjera kanë marrë më shumë. Nuk dihet nëse Berisha e kishte fjalën për qeveritë e huaja, apo për qeverinë e Fatos Nanos. “Me Fullanin s’më ka lidhur gjë përveç punës. E ka propozuar Partia Socialiste dhe e kemi rimandatuar. Dhe e kemi bërë këtë sepse Fullani ka ruajtur me fanatizëm pavarësinë e bankës. Të shkoni të shikoni sa para i ka dhënë qeverisë së Berishës dhe sa para të tjera i janë dhënë qeverive të tjera nga banka, janë 3-4 -5 herë më të mëdha se ato që na janë dhënë ne. Ne kemi respektuar pavarësinë e bankës pasi ka qenë jetike”, tha Berisha. Sali Berisha është shfaqur dje i llahtarisur dhe i shokuar nga mënyra se si policia, gjykata dhe prokuroria arrestuan pa paralajmërim, Ardian Fullanin, i konsideruar si zyrtari i gjashtë për nga rëndësia në Shqipëri. Sali Berisha është i tmerruar nga ideja se fati i Ardian Fullanit mund të jetë rezervuar edhe për të. Ish-kryeministri nuk po u beson dot syve dhe veshëve se në Shqipëri ka nisur procesi i sanaderizimit, pra i arrestimit të zyrtarëve të lartë të korruptuar, për të hapur dyert e Brukselit.

Shpërthimi

Ish-kryeministri tha se arrestimi i ish-Guvernatorit është një hakmarrje politike nga kryeministri Rama, duke sjell në vëmendje dhe librin e tij “Kurbani”. Më tej Berisha, bëri publike disa nga faktet se pse nuk e ka mbështetur arrestimin e Fullanit, ndonëse theksoi se pret që çështja e vjedhjes së Thesarit të Shtetit të hetohet.“Arrestimi Guvernatorit Fullani një akt stalinist, i një shteti policor dhe një klike mafioze të cilën e dënoi me ashpërsi të madhe. E di që mund të këtë qytetarë që nuk e pëlqejnë këtë deklaratë. Por atyre që nuk e pëlqejnë si duhet të dukej para që t’u arrestonin pa e pyetur për emrin. Kjo ndodh në shtete dhe klika policeske. Kam kërkuar dhe kërkoj hetim të gjithanshëm, të të gjithë atyre që janë nën banke, të lidhur apo të palidhur me akte të shëmtuar. Por të arrestosh Guvernatorin për mllefe politike sepse këto i ka përshkruar tek “Kurbani”, apo të arrestosh se e shoqja e Fullanit ka qenë në gjyqin që akuzojë babain për atësinë e fëmijës! Mbështes një hetim të plotë transparent, por nuk mund të pranoj kurrë arrestimin stalinesk. Guvernatori shkarkohet dhe ka procedurë ligjore, atë e bën kryeministri, dhe ka tagër ligjor për të kërkuar shkarkimin, por jo pa e dëgjuar një fjalë”, tha për mediat Berisha.

Basha në një linjë me Berishën, mbron Fullanin

Edhe kryetari i Parisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë në mbrojtje Ardian Fullanin.“Vepra të tilla, të stisura vetëm për konsum mediatik dhe në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe të Kodit Penal për çdo qytetar shqiptar, siç është dhe Fullani, nuk mund të ndodhin pa një shtytje të fuqishme politike, në përputhje me orekset e Edi Ramës dhe oligarkisë së tij për të kapur Bankën e Shqipërisë, siç ka kapur dhe po përpiqet të kapë organe të tjera të pavarura, për të shfryrë mllefin e tij, pasi kur Fullani u zgjodh për mandatin e dytë tha se do ta shkarkonte atë”, u shpreh Basha. Ndërkaq, Berisha, në fund të fjalë së tij, tha se nuk shprehte mendimin e PD, por të tijin personal. Kaq ka mjaftuar që Basha të vijonte vjershën e Berishës në mbrojtje të Fullanit.

Berisha nuk njeh shkarkimin e Fullanit

Sali Berisha ka deklaruar dje se nuk e njeh shkarkimin e Ardian Fullanit nga Këshilli Mbikqyrës. “Shkarkimi i tij nga bordi është nul. Atë e bën kryeministri, por jo bordi në mungesë pa e dëgjuar asnjë fjalë dhe me një terroriste çekiste si Ermelinda Meksi që u thoshte anëtarëve ose votoni ose unë do dal tu them mediave këtë e këtë. Siç ishte Ermelinda Meksi, e cila i thoshte bordit ose votoni ose do dal ti them këtë e atë mediave. Këto janë skenarë të viteve 70. Se fundmi dua të informoi shqiptarët për 3 gjera. Fullanin e ka propozuar PS dhe ne e kemi rimandatuar”, ka pohuar Berisha. Ai tha se pas arrestimit të Fullanit, fshihet dora e Edi Ramës. “Unë jam dëshmitar i përpjekje të tij të jashtëzakonshme për ti shpëtuar ato. Çdo shtet ka procedurën e vetë dhe vendet e lira i kanë të njëjta, të hetohen dhe të mbahet qëndrim”, theksoi Berisha./ Gazeta SOT

Lajme të ngjashme

Back to top button