Lagjet e Çairit të stërngarkuara, banorët në rrezik

Banorët e komunës së Çairit po ballafaqohen me probleme të shumta të infrastrukturës, pasi që ndërtimi i ndërtesave të reja dhe prishja e hapësirave të gjelbra dita ditës po shtohen.

Banorët e lagjes së Seravës ishin ata që kësaj radhe u ankuan lidhur me objektet shumëkatëshe që po ndërtohen në këtë pjesë të komunës.

“Serava është e stërrngarkuar, objektet e larta madje edhe deri në 10 kate do të shkatërrojnë këtë lagje. Ne nuk kemi ujë për vete e ndonjëherë edhe rrymë shkaku i mbingarkesës, por çka do të ndodh nëse këto ndërtesa mbushen menjëherë me banor. Do ngelemi pa ujë e pa rrymë”, tha Bajram T., banor i kësaj lagjeje.

“Plani është i tmerrshëm nuk ka as vende për parkim a këndej i bën dhjet kate ndërtesat. Ku do të qëndrojnë veturat e banorëve të rinj? Në mes të rrugës? Nuk e di se si jep komuna leje për ndërtime të tilla. Kjo lagje ka fëmijë, të cilët janë mjaft të rrezikuar nga makinat pasi që këtu nuk ka madje as trotuar”, tha Sadik G., po ashtu banor i kësaj komune.

“Të gjithë e shohin se si bëhen lagjet tona pas reshjeve të dobëta të shiut. Menjëherë mbushen me ujë shkaku i kanalizimit të dobët, e lëre më tani kur të banohen edhe ndërtesat e reja. Në mes të lagjes ka një gropë të madhe e cila ka pothuajse tre vite që është hapur themel, por ende skano filluar punimet, muri i komshiut u rrënua nga shembja e dheut. Kjo është e tmerrshme, ju rrezikohet jeta”, thonë banorët e kësaj lagjeje.

Banorët pyesin se a janë këto ndërtime legale?

Nga komuna e Çairit nuk arritëm të marrim prononcim, por kohë më parë përgjegjës i sektorit juridik pranë kësaj komune, Rami Qazimi bëri të ditur se ka objekte për të cilat nuk do të jepet përgjigje pozitive për legalizim, por fatkeqësisht nuk mund t’i heqim ato deri në përfundim të procesit të legalizimit,i cili do të zgjasë deri në vitin 2016.

Banorët e kësaj komune shpresojnë që në të ardhmen këto çështje të rregullohen edhe pse pas bisedës që realizoi redaksia Portalb, shpresa e tyre ishte minimale.

Lajme të ngjashme

Back to top button