PD krijon parlament paralel të Shqipërisë

Partia Demokratike ka miratuar dje ngritjen e Kuvendit paralel në selinë e Partisë Demokratike, bën të ditur Shqiptarja. Në mbledhjen e Kryesisë, të zhvilluar dje në PD-së, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka miratuar vendimin për ngritjen e tetë komisioneve parlamentare brenda selisë së demokratëve.

Grupet e punës do të përbëhen nga anëtarët e komisioneve përkatëse parlamentare në tërësinë e grupit parlamentar, ku do të punohet në mënyrë sistematike çdo ditë për t’iu përgjigjur mazhorancës.

Këto komisione do të ndjekin çështjet e përditshme, ligjet apo vendimet që Qeveria apo deputetët e shumicës parlamentare do të kalojnë për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. E gjithë kjo do të zgjasë deri në momentin kur jeta parlamentare do të kthehet në normalitet edhe opozita të ulet sërish në karriget e saj në parlament.

Komisionet
Brenda selisë së Partisë Demokratike do të ngrihen 8 komisione të cilat do të funksionojnë edhe si departamente. Çdo ligj që Kuvendi do të ketë nën shqyrtim do të kaloi edhe nën lupën e deputetëve të opozitës në selinë e PD-së. Këto komisione do të kenë kryetarin e tyre si edhe anëtarët të cilët do të japin mendime për çdo projektligj që do të miratohet në Kuvend nga shumica parlamentare. Veç kësaj, nën shqyrtim demokratët do të marrin edhe vendimet e qeverisë në çdo mbledhje të grupi parlamentar duke futur nën sitën e opozitës çdo aktivitet të qeverisë dhe parlamentit duke krijuar edhe struktura paralele me shtetin.

Deputetët do të akomodohen në selinë e PD-së e cila tani më ka përfunduar rindërtimin dhe mbledhjet do të zhvillohen në katin e parë të godinës së demokratëve. Mbledhjen do të jenë të hapura për mediat çka do të thotë se një projektligj i qeverisë tani më do të shqyrtohet në dy komisione dhe sipas të gjitha gjasave do të dalin dy vendime. Deputetët e mazhorancës në Kuvend do të miratojnë ligjet ndërsa deputetët e opozitës në selinë e demokratëve do t’i rrëzojnë ato me argumentet e tyre.
Referendumet

Partia Demokratike ka miratuar dje edhe vendimin për ngritjen e strukturave në të gjitha qarqet e vendit për të mbledhur firmat për referendumet lokale. Sipas burimeve nga selia blu, për çdo komunë apo bashki që ka kundërshtuar ndarjen e re administrative do të ngrihet nga një zyrë e cila do të kryesohet nga demokratët si edhe nga grupi i punë për të mbledhur firmat e nevojshme për të zhvilluar referendumet lokale. Krahas njësive vendore që drejtohen nga demokratët, Basha i ka bërë ftesë edhe të zgjedhurve vendore të Partisë Demokratike të cilët kanë kundërshtuar ndarjen e re administrative në mënyrë që kjo nismë të intensifikohet sa më shumë.

Lajme të ngjashme

Back to top button