Bushati: Marrëveshja e Ohrit, është pjesë e dosjes tonë diplomatike

Moszbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit për shqiptarët e Maqedonisë nuk do ta “detyrojë” Tiranën zyrtare të vendosë veton për anëtarësimin e shtetit fqinjë në NATO , përsa kohë është vetë Aleanca e Atlantikut Verior që qartazi ia ka vendosur kusht Shkupit zbatimin e saj. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati në “5 Pyetjet nga Babaramo”, emision i cili këtë të hënë hapi sezonin e ri në A1 REPORT.

Duke risjell në vëmendje zhvillimet e Samitit të NATO-s ku Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Rama, krye diplomati shqiptar dhe ministrja e Mbrojtjes Kodheli, Bushati tha se ky samit përcolli kritere të qarta për vendet e rajonit.

“Mesazhi që dha samiti për sa i përket politikës së dyerve të hapura, 3 prej aspirantëve janë në rajonin tonë, mes të cilëve Mali i Zi. Në rast se mali i Zi do të ecë me këtë kurs reformash gjasat janë që aleati i 29 i NATO të jetë Mali i Zi. Sakaq, në konkluzionet e samitit, Maqedonia duhet të gjejë një zgjidhje të pranueshme sa i përket emrit dhe zbatim të marrëveshjes së Ohrit sikundër vijueshmërinë e reformave. Shqipëria s’ka pse të vendosë vetëm sa i përket marrëveshjes së Ohrit se ky është një kriter tashmë i NATO-s. Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Shqipërisë që marrëveshja të konsiderohet si pikë referimi për modernizimin e shtetit fqinj. Në këtë samit është shkruar në gjuhë të qartë e shteruese që ky është kriter. Në samitin e Bukureshtit ndërkohë ka qenë çështja e emrit. Mungesa e elementeve të prekshëm në marrëveshjen e Ohrit e ka shtyrë të kërkojë me ngulm zbatimin e marrëveshjes”, tha ministri Bushati.

Pyetjes së gazetarit Ilir Babaramo, nëse Shqipëria do të vendosë veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ministri Bushati iu përgjigj: Nuk mund të flasim me hipoteza, por çështja e marrëveshjes së Ohrit, është pjesë e dosjes tonë diplomatike, e shqetësimin tonë konstant që ne kemi në raport me Maqedoninë dhe është diskutuar në disa organizma ndërkombëtare, NATO është një prej tyre. Ohrin dhe çështjen e emrit i bashkon vullneti politik që duket se mungon në Maqedoni. Ne nuk insistojmë në një politikë koncensionare por po investojmë në stabilitetin politik të Maqedonisë dhe Rajonit”.

 

VERZIONI DESKTOP