Shqipëria dhe Maqedonia me protokoll bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit

Para kolegëve në Tiranë, ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka folur për masat që vendi i ka ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ajo ka deklaruar se duan që bashkë më Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit të rrisin frymën e bashkëpunimit dhe projektet e përbashkëta që kanë në fokus integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian. Për këtë është nënshkruar edhe një protokoll bashkëpunimi me Ministrinë përkatëse të Shqipërisë.

“Do kemi frymë më të thellë bashkëpunimi ndaj krimit të organizuar. Duke u nisur nga qëllimi për integrimin, ndamë mendime për masat që do marrin ministritë tona në nivel operativ ku dolën iniciativa përkatëse për takimet e radhës. Dy vendet tona i japin prioritet integrimit, prandaj edhe protokolli që nënshkruam sot thellon bashkëpunimin. Do marrin masat konkrete për ngritjen e grupeve operative bashkëpunuese, do ketë shkëmbim informacioni për luftën ndaj krimit të organizuar”, tha Jankullovska.

Në lidhje me terrorizmin, Jankulovska tha se Maqedonia ka ndryshuar kodin penal dhe ka marrë masa të rrepta për parandalimin e këtij fenomeni. “Ne bëmë ndryshime në kodin penal për pjesëmarrësit në grupe paraushtarake dhe terroriste. Mendoj që me këtë ndryshim do përballemi me luftën ndaj terrorizmit”, ka theksuar Jankollovska.

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri deklaroi se policia shqiptare dhe ajo maqedonase janë të vendosura të bashkëpunojnë për të luftuar krimin e organizuar, trafikun por edhe grupet terroriste që janë kthyer në shqetësim botëror kohët e fundit.

“Sfidë për ne mbetet terrorizmi fetar dhe etnik, e cila është sfidë jo vetëm rajonale por edhe globale. Duke ndarë bindjen se krimi nuk njeh kufij morëm vendimin për të bashkëpunuar së bashku. Do ngremë një grup të përbashkët me teknikat që do marrë përsipër çështjet prioritare. Nënshkrova me të edhe protokollin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, për bashkëpunim policor ne periudhën e sezonit turistik, duke bërë të mundur ndërtimin e patrullave të përbashkëta në akset rrugore”, tha Tahiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button