Kosovë, bien investimet e huaja

Kosova nuk po shihet atraktive për investitorët e huaj. Investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të këtij viti pothuajse janë përgjysmuar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe investimet e huaja kanë shënuar rënie për 22 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Këtë tremujor investimet e huaja kanë arritur në 38 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin investuar 60 milionë euro”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, vlerëson se trendi i rënies së investimeve të huaja është duke e përcjellë Kosovën që nga vitit 2008. Sadiku ka përmendur disa arsye që, sipas tij, ndikojnë që Kosova të mos jetë destinacion i investitorëve të huaja.

“Kosova ende nuk ka arritur ta përmirësojë mjedisin biznesor dhe vendi ynë nuk është shtet që ofron stabilitet në shumë aspekte”, ka thënë Sadiku. Sipas tij, investitorët zgjedhin atë vend ku ka qëndrueshmëri ekonomike dhe stabilitet politik. “Investitorët shkojnë atje ku nuk rrezikohen investimet dhe ku ka sistem gjyqësor të qëndrueshëm, ku luftohet korrupsioni dhe ku kemi një qeverisje stabile. Unë këto i konsideroj shkaktarët për rënie të investimeve të huaja”, vlerëson Sadiku./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button