PARTISHMËRIA

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

 

I.

 

Me siguri kjo është njëra nga mynxyrat më të zeza në Serbinë e jugut. Në anën e pastabilizuar kombëtarisht, në visin ku kanë luftuar ndërmjet vetes propagandat me shkollë e me çeta, jeta partiake është dashur të ketë pamje tjetër prej asaj kufijtë e moçëm (hapësira etnike shqiptare para okupimeve në vitin 1912,shën. i përkth.) bie fjala. Atje ku ne jemi të nxehtë njësoj për çështjen e përgjithshme, atje ku, kur është në pyetje shteti, nuk ka dallim midis z. Pashiçit dhe z. Jasha Prodanoviçit, midis z. Davidoviçit dhe (unë besoj) z. Filip Filipoviçit, atje nuk ka rrezik nga përçarja në pikëpamje të tjera. Mirëpo situata bëhet e rëndë këtu kur paraqiten raste që përcaktimi politik është vetëm maskë, kurse disponimi negativ ndaj shtetit bëhet vijë e përbashkët e të gjithë këtyre partizanëve të përçarë. Kur ka shumë klube partiake, ndërsa njëri është i përgjithshëm ku tregohen e ritregohen anekdotat nga ato të parat përcjellë me komente qëllimkëqija dheme sjelljen e konkluzioneve të reja. Kjo ndodh nëpër ndeje, nëpër bodrume ose nëpër kafenetë e vogla turke, ku bektashinjtë pinë raki. Ne paria partiake duhet doemos të dukemi të mjerë vetë për veten, kur nga ndonjë kënd i fshehtë t’i kishim dëgjuar bisedat e ushtrisë votuese.

Është e natyrshme që çdo klub partiak i mbron anëtarët e vet. Pse bëhen organizime për luftë të përbashkët? Dhe, kështu duke e mbrojtur secili të veten e mbërrimë që në organizatën bullgare të hynë të gjitha fshatrat e rrethit të Strumicës, të gjitha, të gjitha madje edhe fshatari i fundit (demokratët) dhe të gjitha fshatrat përveç njërit në rrethin e Gjevgjelisë (radikalët).

            Duke punuar kështu ne që ta ruajmë formën parlamentare të qeverisjes kemi pasur mbëhinë edhe për votën e Ferhat Bej Dragës. Dhe, e kemi ngritur deri në ato lartësi dhe i kemi dhënë guxim të tillë që ai para disa ditësh të çohet në një banket të komunës së Shkupit dhe “në emër të myslimanëve” ta përshëndesë mareshalin e Francës. I falënderohet aleates sonë të madhe që e ka çliruar atë dhe bashkëkombasit e tij. Ndërkaq vetëm dy ditë më parë “Kosovski glasniku” në numrin e tij solli këtë dokument:

 

            Guvernementi kryesor  i  c. dhe kr. në Serbi

                                                Beligrad, 30 dhjetor 1916

                                    Urdhri ditor nr. 110.

                                    Bujarët në Qarkun e Mitrovicës:

 

            Hasan Bej Prishtina, Dervish Beu, Ferhat Bej Draga, janë vënë në shërbim të çështjes së mirë me devotshmëri të arsyeshme dhe të dëshmuar, sa me rastin e mbledhjes së vullnetarëve për luftë të ushtrisë së c. e kr. poaq edhe gjatë gjithë kohës edhe për udhëheqjen ushtarake të c. e të kr., dhe me veprimin e tyre vetëmohues dhe besnik me sukses e kanë ndihmuar komandën e c. dhe të kr.

            Këtyre burrave të merituar iu shprehi mirënjohje të thellë.

Baron Remeni, d. v.

                                                                                                gjen. inf.

 

Pra burri i merituar ka mbledhur vullnetarë kundër Francës. Dhe, ja si e ka organizuar tubimin e tyre sipas K. Peqancit[1].Në dy shtaga e ka vënë një ushtarë tonin të mardhur. Dhe, atëherë kandidatët kanë shtënë nga 500 metra largësi. Cili e qëllonte i pari me plumb, Ferhati e merrte për vullnetar të carit dhe të kralit. (Trillime të M. Jeliçit. Shën. i përkthyesit.)

            Megjithatë do të gjendet dikush të thotë: “E po kjo është politikë. Kushtetutë. Votim i fshehtë. Liri e përcaktimit”.

Politika,ndoshta, nuk do të thotë gjithmonë jomoral. (Jeliçit s’i shkon mendja se e gjithë ideologjia dhe politika e tij është amoralitet). Kurse Ferhati nuk do të kishte qenë sot në Mitrovicë po të mos kishte qenë Banka Vendore. Këtë, me gjasë, nuk mundet ta mohojë askush.

 

2.

 

Ne kemi shkruar për Partinë maqedonase dhe kjo futi mjaft ngatërresa midis iniciatorëve të saj. Disa thjeshtë heqin dorë prej saj, disa pohojnë se kanë pasur qëllime të sinqerta, kurse të tjerët siç është pop Trajko H. Arsiçi qëndrojnë të vendosur në agjitacion. Është interesant të shënohet biseda midis tij dhe Dimitrije Bojaxhijeviçit, kryetar i klubit të demokratëve në Shkup. Pasi ia tha qëllimin që në jug të formohet një grup, i cili do ta detyronte çdo qeveri të ketë më shumë kujdes për Serbinë e jugut, të ndërtojë ura e udhë, që në përgjithësi mos ta lërë pas dore këtë anë, atëherë Bojaxhijeviçi e pyeti:

– Makedonskata partija sakate? (Partinë maqedonase e doni?)

– Sakame. (E duam).

– Da pravime partijata za putovite i quprijete? (A ta                                                                             bëjmë partinë për udhë e për ura?

– A shto pa da ne pravime? (E pse mos ta bëjmë?)

– To iç ne biva. Ne se turçim za ta rabota. (Kjo s’bëhet fare.                                                                                        S’bëhem turk për këtë punë.)

Dhe pop Trajkoja nuk pati sukses. Ndërkaq e di se në zgjedhjet tjera mandatin e ka me një pikëpyetje të madhe, prandaj bën spekulime në këtë notë.

Kjo notë nuk është edhe aq naive, e as që është pa përkrahës. Këtë e propagoi veçmas z. Gligor Anastasijeviçi në mbledhje në hotelin “Ballkan” në Shkup. Aty ishin të pranishëm nja dhjetë veta të njohur në këto anë dhe që të gjithë u pajtuan se simpatitë e tyre aty, por asnjëri syresh nuk do të kishte pranuar kryetar ose anëtar i kryesisë. Heq dorë madje edhe z. Toma Zdraveviçi. Prandaj i gjithë qëllimi e ka pamjen e asaj fabulës kur minjtë kanë vendosur që t’ia varin maces zilen në qafë.

Kemi shyqyr zotit separatistë sa të të dojë qejfi, që në jug t’i krijojmë e t’i shënojmë.

 

3.

 

Kur bëhet fjalë për partitë, atëherë terrori partiak është vetëm një hap të vogël larg prej këtu. Kështu pak a shumë është edhe në botën tjetër më të përparuar se ne, kurse në Ballkan kjo është punë e përhershme. Sa më pak që të jenë të kulturuara natyrat e njerëzve, terrori aq më shumë theksohet. Sot ai është radikal, se ata janë në pushtet, nesër do ta ushtrojë ndonjë parti tjetër. Dhe, e gjithë kjo punë do të zhvillohet sipas atij rregullit të proklamuar të kol. Radivoje Milojkoviçit. Atëherë kur liberalët ranë prej pushtetit, kurse radikalët e morën timonin e shtetit në dorë, ja ku u paraqit një nikoqir i mirë nga qarku i Pozharevcit, Radivoja.

– Ç’e mira të solli, o mik?

– E mira ime e zezë, z. Radivoje. Na mbytën… Nuk bën më kështu…

– Po kush bre burrë?

– Radikalët.

Dhe nisi të ankohet dhe të flasë.

Radivoja dëgjonte, e pastaj e pyeti:

– E a mos i pengon ti diçka ata?

– Po si mos t’i pengoj! Ua prisha tubimin në këtë e atë vend.

– E po dëgjo or mik. Kushdo që përzihet në politikë, duhet ta bëjë gati shpinën për haps!

Dhe kjo punë mbeti si rregull deri në ditët tona për mosmarrëveshjet tona të brendshme. Vetëm këndej në bregun e djathtë të Vardarit dhe në Serbinë e vjetër përgjithësisht ky terror i bëhet barrë popullsisë serbe dhe e profanizon gjithë lirinë e përcaktimit partiak. Njësoj është kjo edhe te ata arnautë, të cilët me fanatizëm kanë mbetur në partinë demokratike edhe krahas trysnisë së pushtetit dhe thirrjes sirenike të xhemijetit. Kurse këta demokratë ndiqen deri në zhdukje të plotë thuajse me eliminimin e tyre do të zgjidhet problemi i Serbisë së jugut. Po të bëhej kjo punë, atëherë le të ndihmojmë të gjithë e t’i zhdukim. Por nuk ndodh kështu dhe autoritetet policore do të kishin pasur plot punë të tjera sikur të kishin dashur të punonin në sigurimin e jetës së qetë të qytetarëve në jug.

 

                                                            4.

 

Do të kishim mundur të japim sa e sa shembuj të këtillë, e prej këtyre mos të ketë kurrfarë dobie. Fati neve na ka caktuar prej lindjes shtegun partiak dhe ne e përcjellim atë me fanatizëm. A do të ketë vallë dëm prej këtij veprimi për interesin e përgjithshëm, askush prej nesh nuk e vë gishtin në mendje, të pyesë. Mirëpo një rast, të cilin do ta përmendim, meriton një ndalje në vrapin e mundimshëm dhe një çast mendimi.

Gjeneralshtabi ynë deshi ta ketë pamjen plotësisht të qartë për gjendjen në jug, me gjithë raportet e shumta që arrinin nga të gjitha anët. Dhe para nja një muaji e çoi njëfarë majori që i bërë tebdil të udhëtonte nga ana e majtë e Vardarit. Ai këtë detyrë e bëri shumë mirë duke e marrë përsipër herë rolin e muratorit, herë të agjentit për makina qepjeje. Kishte biseduar me disa dhe pas kthimit të tij në Shkup, e kishte mundur të gjejë ndonjë edhe që do t’i nënshkruante, që edhe mendimin e tij ta shënonte pranë aq mendimeve të tjera.  Thonë se gjatë udhës kishte pasur këtë përjetim. Kishte pasë ardhur në njëfarë vendi dhe qenka njoftuar me naçallnikun e rrethit si agjent tregtar nga Beligradi. Paskan pasë pirë nga një gotë – dy dhe atëherë majori e paska pyetur:

– Pashë Perëndinë, zotëri naçallnik, si qëndron partia jonë këtu? Ne atje në Beligrad bëjmë çudi. Dhe, ia nis t’i tregojë do trillime.

– Tash jemi të fortë sa s’ka, iu përgjigj ky. E s’ka qenë kështu deri sa nuk erdha unë në këtë post. Njëfarë Dimçe H. e mbante tërë rrethin. E ndodhi kjo ngjarje. E nxora unë shifrën nga autoritetet ushtarake: “Ka dëshmi pozitive se Dimçe H. është në një organizatë bullgare. Menjëherë ngrini procedurë hetimesh, pasi ta arrestoni”. E thirra unë në zyrë dhe i thashë: “Lexo”! E lexoi ai dhe u zbeh, u zbeh dhe sa s’u rrëzua. Ia ngjita unë, e mbajta, e ula dhe e pyeta:

“A je”?

– “Po, jam; aman”!

– “E ç’të bëj”?

– “Aman! A mund të më ndihmosh”?

– “E po e gjithë kjo varet prej teje”…

E ai e dha një deklaratë dhe kështu e shpëtova. Tash i tërë rrethi është yni.

– Hallall ju qoftë! e preku në sup agjenti tregtar nga Beligradi.

Hallall  na qoftë të gjithë neve!

 

20. – IX. – 923.


[1] Kosta Peqanac, kriminel lufte, i cili bashkë me ushtrinë serbe u tërhoq nëpër Shqipëri në Korfuz. Gjatë kësaj tërheqjeje ushtria serbe ka bërë krime e zullume të papara në tërë hapësirën etnike shqiptare. Çetnik i njohur në të dy luftërat ballkanike.


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE – KORRUPSIONI

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button