Nuhiu mes Shqipërisë dhe Shkupit

Pothuajse gjithçka ka marrë fundë në mes futbollistit shkupjan dhe KF Drita nga Bogovina, pasi futbollisti tani më është i lirë dhe është mëse e sigurt se ai do të kërkojë tani skuadër të re me të cilën do të shënojë suksese të reja.

Pas largimit nga Liga e Parë, KF Drita tani është duke pritur dhe dënimin tjetër, a ai do të jetë marrja e së paku 3 deri 9 pikëve, shkau i largimit të futbollistëve nga fusha në ndeshjen e balotazhit. Pikërisht kjo ka bërë që edhe disa futbollistë të kësaj skuadre të largohen, ndërsa një prej tyre është dhe futbollisti me përvojë Ardian Nuhiu.

“Tani jam futbollist i lirë dhe po pres që të jem i angazhuar në skuadër tjetër. Ka kohë që nuk kam kontaktuar me drejtuesit e KF Drita, ndërsa në adresë timen kam shumë oferta serioze. Ditëve në vazhdim do të zhvilloj bisedë me një skuadër nga Superliga e Shqipërisë, ndërsa nëse nuk mbyllen bisedat sipas kërkesave të mia, kemi dhe opsione tjera të cilat do i shohim mirë një nga një”, është shprehur për Portalb sulmuesi Nuhiu, i cili ka një përvojë të madhe me ekipe ndërkombëtare dhe nga vendi.

Kohë më parë Nuhiu kishte thënë se do të kishte mundësi që të ndihmojë edhe klubin e tij të zemrës, KF Shkupi, por sipas tij deri më sot ende nuk është kontaktuar nga drejtuesit e klubit. “Shkupi është në zemër të çdo shkupjani, edhe unë do të kisha dhënë përsëri djersë për këtë skuadër që ka lënë gjurmë më të madhe në futbollin e Maqedonisë. Kam një raport të mirë me stafin dhe tifozët dhe gjithsesi se nëse nuk arrijë të realizoj planet, do të kisha veshur përsëri fanellën e KF Shkupit, është shprehur Ardian Nuhiu. 

Të përkujtojmë se Ardian Nuhiu ka luajtur me ekipet e ish-Slloga Jugomagnat, Vardarit, Rabotniçkit, Shkëndijës, Dritës, “11 Oktomvri”, Metalurgun, pastaj me ekipin e Hapoel nga Tel Avivi, kishte përvojë dhe në kampionatin e Iranit ku luajti për ekipin Steel Azin F.C. Gjithashtu ishte i angazhuar edhe në kampionatin e Shqipërisë, duke luajtur me Dinamon nga Tirana dhe me Elbasanin. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button