Të gjithë me kancer!

Duke pirë kafen e mëngjesit, dikush më pyeti, pse shkruan? Nuk ishte pyetje e thjeshtë për të marrë informacion, por me qëllim për të më thënë fjalinë e famshme “a don të bëhesh i njohur?” I u përgjigja në të njejtin nivel, ashtu edhe si pyeti: Shkruaj se dua të bëhem mediumi i mendjes tënde që të fillosh të mendosh për çështje që janë të dëmshme dhe na shkatërrojnë jetën, e jo vetëm për çështje të përditshme. Pagova të dy kafet dhe u largova, duke e lënë të mendojë. Për këtë edhe juve tani ju shkruaj, në pamundësi për të pirë kafe me të gjithë që të ju paralajmroj një nga një, që ti jepni urdhër trurit që të fillojë të mendojë më shumë dhe të përdorë kritikën çdo herë kur është në pyetje arsimi, edukimi dhe zhvillimi.

Në rrjetet sociale duket gjithçka! Në ditën e parë të shkollës u duk gëzimi i prindërve që i përcjellnin fëmijët e tyre në shkollë, e gjithashtu i pash edhe gabimet drejtshkrimore të një shkolle fillore që ka hapur llogari në Facebook, për t’i informuar fansat dhe mbështetësit se çka ndodh me shkollën. Pak të hulumtosh e merr vesh se të njejtën faqe e administron drejtori i shkollës. E këtu fillova të mbledh të gjitha mendimet për këtë shkrim. Nuk mund të kuptojë se si drejtori i shkollës kishte aq gabime drejtëshkrimore në një paragraf të vetëm, ku informonte mbështetësit për punët e bëra në shkollë gjatë verës.

Ju drejtohem juve si prindër dhe juve tjerëve si rini, pasi është e kotë t’i drejtohem ndonjë partizani të partisë që në këmbim të votave të lagjes e ka fituar atë pozicion, arsimtar në shkollë. Është turp dhe mëkat që para fëmijëve tanë del dhe flet një i tillë që deri dje ishte më i dobëti i gjeneratës e sot shtiret dhe hiqet si një profesor i shkollës së mesme. Edhe të tillë njoh, të veshur me këmishë rozë dhe kravatë të hollë. Asgjë tjetër, vetëm me këmishë rozë dhe kravatë të hollë. Metastazat e kancerit që çdo ditë na ngulfat janë partizimi i arsimit, deformimi i edukimit në shkolla, mungesa e cilësisë, mungesa e kushteve dhe mbi të gjitha është keqpërdorimi i pozitës. Fillon nga shkolla fillore dhe mbaron në shkollën e mesme. Zinxhir që na lëndon të ardhmen dhe na injoron të kaluarën e dijetarëve që mbi të gjitha kanë qenë shembull për botën duke ju ofruar dituri dhe maturi.

Sot kemi shkolla me teknologji por pa kulm. Sot kemi ditar elektronik por na mungojnë fushat e sportit. Sot kemi tabletë por librat i kemi grisur. Sot kemi profesor me magjistratura por pa përvojë. Sot kemi shkollim të mesëm të detyruar që nuk jep asnjë rezultat tjetër përveç kuantitetit dhe rritjes së numrit të nxënësve që e urrejnë shkollën.  E sot, të nderuar lexues, kemi luksin të ndërtuar mbi bazat ku mungon arsimi dhe dija. Sot kemi kuantitet por jo edhe kualitet.

Të nderuar të rinj, ju lutem të mësoni më shumë se ju ka dhënë arsimtari dhe profesori pasi te vetë iniciativa qëndron formula e suksesit. E ju të nderuar prindër, ju lutem punoni me fëmijët tuaj dhe mësoni ato çka të dini ju dhe nëse ju nuk dini diçka dërgoni ata që të bëjnë orë shtesë tek ndonjë mësues privat. Për fëmijët tuaj dhe zhvillimin e tyre ia vlen që të sakrifikoni edhe bukën e gojës. Nuk ka dhuratë dhe pasuri më të mirë për fëmijën sesa zhvillimi edukativo-arsimor.

Duke dashur që të vazhdoj detyrën time që të bëhem një lloj medium në mes mendjeve dhe problemeve tona, do ta vazhdoj këtë shkrim edhe me një këshillë për arsimtarët, profesorët dhe profesionistët e së ardhmes. Ju lutem mendojeni se ju jeni mjek dhe duhet të shpëtoni jetën e dikujt! Tani mendoni! Ju e dini se si mund ta shëroni por për arsye të ndryshme nuk doni ta shëroni pacientin tuaj! A do ta linit dikënd që të vdes? Njejtë është edhe në arsimi, nxënësi nuk vdes menjëherë por do të jetë i vdekur gjatë krejt jetës, pa dituri dhe pa kulturë e zhvillim.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Opinioni juaj eshte i spikatur dhe shume me vend, ka shume qe mendojne si ju ! Po ashtu edhe mua me dhimsen femijet, disa qe gjoja i kane prinderit” intelektual” cka do ju thuhet tyre qe saqe edhe parane e adhurojne ne vend te krijuesit (Zotit), edhe une jam prind dhe jam i gatshem te bej gjithcka per femijet e mij mirepo si arsimtari qe shkon per nje rroge edhe shume te tjere prind ka qe mbijetojne me nje rroge dhe nuk eshte mundesia e cdokujt te dergoj femijet e tyre ne kurse private prandaj eshte detyra e atij mesusesi “mjeku” te punoje si duhet dhe te shpetoj “pacientet” e tyre , sepse ardhmeria e nje populli eshte tek femijet .

Back to top button