Lady Al-Qaeda: Gruaja më e kërkuar në botë

Dy vjet më parë, një grup zyrtarësh të Sigurisë Kombëtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës morën një propozim provokues nga disa zyrtarë në Pakistan: Nëse Shtetet e Bashkuara do të lironin një grua pakistaneze që mbahet e burgosur në Teksas për tentativë vrasje, Islamabadi do të përpiqej të lironte oficerin e ushtrisë amerikane Bowe Bergdahl, i cili rezulton i zhdukur prej vitit 2009 dhe besohet se mbahet peng në Pakistan nga talebanët.

Sipas disa zyrtarëve dhe ish –zyrtarëve amerikanë, të njohur me propozimin, këshilltarët e presidentit Barack Obama për sigurinë kombëtare e hodhën poshtë me shpejtësi ofertën. Lirimi i të burgosurës Aafia Siddiqui, e cila është e lidhur me organizatën terroriste Al –Qaeda dhe u dënua në vitin 2010 me 86 vjet burg, pasi kishte tentuar të vriste disa amerikanë në Afganistan, do të thoshte shkelje e politikës së administratës amerikane, për të mos u lejuar konçesione grupeve terroriste,-kishin argumentuar zyrtarët amerikanë. Do të thoshte gjithashtu që të lihej e lirë një luftëtare e rrezikshme. 42 –vjeçarja Siddiqui, e cila njihet në qarqet e antiterrorizmit si “Lady Al –Qaeda”, ka qenë e lidhur me trurin e sulmeve mbi Kullat Binjake, Khalid Sheikh Mohammed, i cili dikur figuronte si personi më i kërkuar në listën e FBI –së. E edukuar në Shtetet e Bashkuara, ajo mori një doktoraturë në Brandeis. U arrestua në vitin 2008 në Afganistan, pasi iu gjet një sasi e konsiderueshmes cianid –natriumi dhe disa udhëzime për ndërtimin e armëve kimike artizanale dhe për të përdorur si armë edhe përhapjen e virusit Ebola. Kur zyrtarët e FBI –së tentuan ta merrnin në pyetje, ajo mori një prej armëve që ata kishin lënë në tavolinë dhe qëlloi mbi ta.

Edhe pse zyrtarët amerikanë nuk e kanë konsideruar asnjëherë seriozisht mundësinë për lirimin e Siddiqui, ajo ka qenë disa herë në listën e kërkesave të terroristëve dhe militantëve islamikë, të cilët, lirimin e saj e kanë vënë disa herë kusht për të lënë të lirë disa amerikanë apo europianë të marrë peng prej tyre ndër vite. Militantët kanë kërcënuar vazhdimisht se do të vrisnin oficerin Bergdahl, nëse Siddiqui nuk do të lihej e lirë. Dhe terroristët e ISIS, të cilët vranë gazetarin amerikan James Foley, javën e kaluar, kërkuan lirimin e 42 –vjeçares nga Pakistani në këmbim të jetës së tij. Të martën, ISIS kërkoi sërish lirimin e saj, kësaj here në këmbim të një gruaje 26 –vjeçare amerikane të rrëmbyer vitin e shkuar në Siri, ndërsa ajo punonte për një organizatë humanitare. Zyrtarët amerikanë besojnë se ISIS mban peng të paktën 4 shtetas amerikanë, përfshirë edhe gazetarin Steven Sotloff. Militantët kanë insistuar edhe për një shpërblim prej 6.6 milionë dollarësh për lëshimin e 26 –vjeçares, identitetin e të cilës familja e saj ka kërkuar ta mos bëhet publik.

Sipas një ligjvënësi amerikan, teksa Shtëpia e Bardhë ka refuzuar ta konsiderojë si mundësi lirimin e Siddiqui në këmbim të lirimit të burgosurve amerikanë, një ekip brenda Departamentit të Mbrojtjes ka propozuar që të bisedohet shkëmbimi i saj me pengjet amerikanë. Ky grup pengjesh përfshin edhe oficerin Bergdahl.

Një debat i nxehtë nëse Shtetet e Bashkuara duhet të negociojnë me terroristët për lirimin e pengjeve ka shpërthyer në vend pas ekzekutimit të gazetarit James Foley. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga disa vende të Bashkimit Europian, nuk paguajnë për lirimin e pengjeve. Disa ekspertë të antiterrorizmit thonë se ka më pak mundësi që shtetasit amerikanë të merren peng. Por disa nga pengjet e liruar dhe familjet e tyre mendojnë se qeveria duhet të paguajë në këmbim të lirimit të shtetasve të saj.
Zyrtarë të qeverisë amerikanë thanë se nuk ishin në dijeni të ndonjë propozimi të Pentagonit për të ofruar lirimin e Siddiqui në këmbim të lirimit të pengjeve. Presidenti Barack Obama mund ta falë ose mund t’ia ndryshojë masën e dënimit 42 –vjeçares, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë marrëveshje që u lejon pakistanezëve që dënimin e marrë në një vend tjetër, ta vuajnë në vendin e tyre. Ekspertët thonë se administrata Obama mund të gjejë ndonjë zgjidhje, por në këtë mënyrë do ta vinte Shtëpinë e Bardhë në qendër të kritikave, pasi do të konsiderohej si një negocim direkt me terroristët.

Disa zyrtarë thonë se negociatat me talebanët për të shkëmbyer të burgosurit mund të konsiderohen të ligjshme, teksa bëhet fjalë për të burgosur lufte. Por lirimin e 42 –vjeçares e kondierojnë si një konçesion që u bëhet terroristëve, pra, si të papranueshëm.

Aafia Siddiqui është kthyer në një simbol në Pakistan. Dënimi i saj në vitin 2010 shkatoi protesta masive në Pakistan dhe ishte në faqe të parë thuajse të të gjitha gazetave. Disa prej gazetave kryesore pakistaneze akuzuan Shtetet e Bashkuara se dënimin e kishin dhënë vetëm për shkak se ajo ishte myslimane. Sipas tyre, ajo ishte rrëmbyer nga shërbimet sekrete pakistaneze dhe FBI në Afganistan, në mënyrë të paligjshme dhe se ishte abuzuar fizikisht e psikologjikisht me të. Madje disa pakistanezë protestuan edhe kundër qeverisë së tyre, duke e akuzuar se kishte dështuar që të kthente Siddiqui në shtëpi dhe se kishte heshtur ndaj dënimit –thuhet në një kabllogram të nxjerrë nga Wikileaks.

Në Pakistan, një grup militantësh që e quan veten Brigada Aafia Siddiqui ka sulmuar disa herë objektet qeveritare për të marrë hak ndaj asaj që e konsiderojnë si gjykim të padrejtë dhe burgosje të gabuar të 42 –vjeçares. Shpërthimi i një bombe në stacionin e policisë së Peshauarit që vrau dy oficerë në vitin 2012 dhe një sulm ndaj një gjykatë ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën 50 të tjerë, konsiderohen si sulme të grupeve militante pro Siddiqui.

Lirimi i Siddiqui është kërkuar në disa negociata të profilit të ulët dhe jo vetëm në këmbim të qytetarëve amerikanë që mbahen peng nga grupet terroriste. Në vitin 2010, talebanët kërkuar lirimin e saj në këmbim të punonjëses britanike Linda Norgrove. Në të njëjtin vit, një drejtues i talebanëve ofroi në këmbim dy qytetarë zviceranë të kapur në Balukistan. Lideri i Al –Qaeda –s, Ayman al-Zawahiri kërkoi lirimin e saj në këmbim të kontraktorit amerikan Warren Weinstein, i cili u kap në Pakistan në vitin 2011 dhe që mbahet aktualisht nga Al Qaeda.

Një zëdhënës i kongresmenit Hunter beson se Siddiqui nuk është e aftë të vërë në rrezik sigurinë e SHBA dhe mendon se ajo është mendërisht e paaftë për të kryer ndonjë sulm vdekjeprurës. Ndaj, ai thotë se ajo mund të ishte përdorur për lirimin e oficerit Bergdahl. Por zyrtarisht, administrata Obama duket se e përjashton këtë mundësi./lapsi.al/

Lajme të ngjashme

Back to top button