KORRUPSIONI

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

Korrupsion ka pasur edhe para luftës evropiane. Mirëpo asnjëherë ai s’u ngrit në nivel të sistemit. Drejt simpatizuesve të tij njerëzit tregonin me gisht dhe ata i ndiqte edhe opinioni publik edhe ligjet në duart e ministrave. Një shembull. Në vitin 1913 pas sulmit të befasishëm të arnautëve kur lëvizja u thye dhe kur autoriteti i pushtetit arriti kulmin, naçallniku i rrethit të Gorës i burgosi tre goranë, midis të cilëve edhe Pelivanin, bazaxhiun e njohur në tërë Beogradin. Naçallnik qarku ishte atëherë Gjoka Matiçi, sekretar Josif Studiçi, kurse komandant i aradhës policore një tjetër. I mbylli kapiteni i Gorës Pelivanin me shokë dhe iu tha ose të sillni kaq e kaq lira ose do t’ju shkojë koka. Ndërsa atëherë ende iu shkonte tymi fshatrave dhe të burgosurit mund të radhiteshin lehtë në listën e të ikurve në Shqipëri. E ata shpejt e shpejt çuan fjalë nëpër shtëpitë e tyre që t’ua çojnë të hollat, e pasi t’i japin të hollat pushteti t’i lirojë (Pelivani e pat dhënë edhe kalin e tij). Po, por Pelivani i cili ishte rritur në Serbi, ngutej që të largohej sa më shpejt nga Vranishti, madje as që u kthye në fshat po ia mbajt drejt e në Prizren te naçallniku i qarkut. I tregoi: kështu-kështu është puna.Menjëherë u thirr me telefon ushtarak naçallniku i rrethit Ky ishte një burrë në moshë, e kishte të birin në universitet, i kthyer nga pensioni. Një paradite e përpoq, e luante bishtin andej e këndej po më në fund, pas dite i numëroi të hollat në banesën e kol. Studiçit. Pastaj nisi të lutej për shtëpinë, për pensionin, që do të ketë pasur ndikim në stilizimin e shifrës për ministrin e punëve të brendshme. Po që të nesërmen Stojan Erotiçi e përzuri me depeshë. Nuk shkoi shumë e i shkreti vdiq.

Në ato kohë këto punë shkonin disi shpejt. Sot është ndryshe edhe në pikëpamje të plaçkitjes edhe në pikëpamje të hetimeve. Para së gjithash zgjatja e tepërt e luftës solli edhe përvojën që e respektonin galiçanët, të cilët derisa Serbia luftonte ata iknin në Bullgari, e kur Bullgaria ia niste luftës ata dilnin në Greqi, e prej andej pas ardhjes së Venicelosit, prapë ktheheshin në Galiçnik, sepse kishte nisur t’i shqetësonte komanda jonë në Selanik. Dhe gjithmonë ata thoshin: “Po s’jam shelg që të rritem dy herë”.Duke iu përmbajtur kësaj thënieje një grumbull njerëzish nga shtabi e teposhtë kërkonin të strukeshin sa më thellë në prapavijë dhe mezi ndaleshin diku kah Nica, Gjeneva ose në delegacione të tjera simpatike në të pesë kontinentet. Atje në kontakte me kulturën demek e merrnin pamjen e saj. Dhe, me të, siç dihet, ngrihet edhe niveli i korrupsionit. Ndaj atyre të popujve të mëdhenj, hajnat tonë kishin tipin e rrugaçëve të thjeshtë. Hajnat aleatë i bënin operacionet e tyre me dorëza dhe i ruanin paratë e bardha për ditë të zeza së bashku me përshtypjen  e xhentëllmenëve të vërtetë. Këtu shkolloheshin prishaplangët e ikahallët tonë, kurse numri i tyre, e dini, është tepër i madh në majat e shtetit. Si duket nuk janë diplomuar, se megjithatë duket dallimi midis atyre dhe atyre nga matanë si midis hajnave dhe thyerësve të dyqaneve të pajisura me të gjitha shpikjet e teknikës moderne. Po shkolla është këtu, e a munden nxënësit e saj ta pengojnë korrupsionin atje poshtë në terren dhe me çfarë autoriteti? Sikur të kishin qenë ata cubat e poetit “që ndjekin hajna”! Jo, ata e kanë proklamuar parimin e lartë se gjyqi na qenka i vetmi institucion kompetent ta thyejë shkopin mbi korrupsionin e cilit do nëpunës. Po sa qytetarë ka që do ta sjellin çështjen në gjyq dhe do të vrapojnë të gjejnë dëshmitarë për faltoren e perëndeshës së drejtësisë.  Me çfarë çmimi dhe me çfarë frike.

Më së keqi është se nëpunësit e korruptuar e përgjithësojnë çështjen duke e hedhur përgjithësisht mbi të gjithë kolegët e tyre. Dhe po të kishin qenë këta të tjerët, kurse midis tyre ka aq të ndershëm, të kishin pasur së paku këta vetëdije klasore, nuk do të kishin duruar në radhët e tyre njerëz që tallen me nderin e tyre. Me siguri këtu del në sipërfaqe ndërvarshmëria nëpunësore, frika nga reduksioni, kujdesi kolegial dhe dobësia e shefave. E së këndejmi del se ka shkrues policorë, të cilët nuk duan as prej të parit deri me të tretin e muajit të ulen në kafene duke druajtur nga vërejtjet e publikut, mbase të paarsyeshme, mirëpo ka naçallnikë rrethi, të cilëve fshatarët u çojnë lopë për t’i mjelë verës, e me këtë rast i çojnë lopës edhe ushqimin nga shtëpitë e tyre. Opinioni publik gabon kur në këto raste kur i fut të gjithë njerëzit në një kategori, po çfarë të bësh.

Në ato gjuhëza të terezisë me të cilat matet autoriteti i shtetit dhe simpatia ndaj tij, te qytetarët në jug rëndojnë edhe aso dukurish që në shikim të parë duken aq të imëta. Dhe, kështu humbet çështja e përgjithshme dhe humbet çështja kombëtare.

Mirëpo askush nuk përpiqet që të keqes t’ia ndërpresë udhën. Në radhë të parë kompetentët të cilët janë të thirrur ta bëjnë këtë punë. Ose, mbase, rastet e korrupsionit e kanë fituar të drejtën qytetare, ose shefat e sektorëve nuk hasin në reagime te ministrat kur ka ankesa, ose mbretëron frikë e përgjithshme që i tërë regjimi mos të shndërrohet në procese.

Se nuk është e mundur që z. Ranko Trifunoviçi mos ta dijë këtë histori. Është martuar naçallniku i rrethit. “Kumbara” i tij, praktikant në të njëjtin rreth u çon letra të gjithë kryetarëve të komunave. Thotë: nesër martohet eprori ynë i rrethit; ne të gjithë nëpunësit e tij duhet ta madhërojmë këtë solemnitet me ndonjë farë dhurate; këtu nuk ka gjëra të bukura për dhuratë; prandaj do të kishte qenë mirë që secili ta jepte njëfarë shume të hollash. Njerëzit i ruajnë origjinalet e këtyre letrave dhe ua tregojnë kur ndonjë nga “ata atje lart” e humb udhën e del në vendin e tyre. Po kjo s’u ndihmon gjë. “Ata atje lart”, e lëvizin dorën në shenjë indiference dhe shkojnë.

Nuk është e mundur, po ashtu, që z. Zhika Laziçi nuk di gjë për këtë rast. Në Kosovë shkojnë në njëfarë vizite në një rreth të largët zhupani, naçallniku i qarkut dhe komandanti i batalionit të xhandarmerisë. Naçallniku i rrethit u ka përgatitur drekë, ku s’e ka grishur vodnikun, kapitenin e xhandarmerisë, një malazez me të cilin jeton nën një kulm. Këtyre u bie në sy kjo gjë dhe e pyesin pse s’është vodniku me ta. “Nuk na shkon muhabeti”, u përgjigj ky. Pas dreke ata e ftuan kapitenin ta shohin se prej kah vjen kjo disharmoni në nadleshtvo.

– Zotërinj, e drejtoi gishtin kapiteni kah naçallniku i rrethit, ky njeri këtu është një hajn ordinar, i cili nuk la gjë pa plaçkitur e pa vjedhur… E ka bërë këtë e këtë punë, ia ka marrë akëcilit këtë e këtë…

E çka mendoni se ka ndodhur pastaj? E kanë suspenduar naçallnikun nga detyra, kanë ngritur procedurë hetimesh kundër tij?… Jo. E kanë zhvendosur kapitenin e xhandarmerisë që të ketë harmoni. Kurse për naçallnikun e rrethit lexova para do ditësh në një gazetë të atjeshme. “Dikush” e lavdëronte si epror energjik, të vyeshëm, i cili… etj.

Kur para dy-tri ditësh z. L. Davidoviçi ishte në Ovçe Pole, në S. Nikollë ia treguan këtë anekdotë interesante. Një shkrues policor i paska dhënë teshat për t’i hekurosur. Pas pak ja rrobaqepësi:

– Zotëri shkrues, i kishit harruar tri lira në xhepin e jelekut.

Vallë sa para mund të ketë ky farë njeriu kur i harron nëpër xhepa?

Po ai fatzi, sërish naçallnik rrethi, i cili ia kishte dërguar aktin koordinatorit të komunës t’ia nisë këtë e këtë, i cili duhet ta marrë me vete borxhin prej kaq e kaq lirash, që ia ka akëcilit e akëcilit. Kurse në pjesën e prapme të aktit shkruante: “Mos e regjistro”! Se as ai farë njeriu nuk i ka pasur borxh kujt, po as që e ka njohur dhënësin e huasë. Kur u soll origjinali i këtij akti në ministri dhe ministri e pyeti naçallnikun e qarkut çfarë nëpunësi qenka ky, e mori përgjigjen se atë “e ka epror më të mirë në rreth”. Mund ta merrni me mend se çfarë ishin të tjerët.

E kështu me radhë, mos ta përshkruajmë turpin tonë, pasurimin e njerëzve në hesap të shtetit, rrënimin e autoritetit tonë në kufijtë me Shqipërinë dhe Bullgarinë, mbledhjen e armëve prej qytetarëve, e shitjen e sërishme, partneriteti me avokatë kur janë në pyetje pasaportat dhe vërtetimet edhe me xhemijetllinjtë kur bëhet fjalë për dorëzimin e cubave. Artikulli për turpin tonë do të kishte qenë shumë i gjatë, ndërsa nuk do të ofronte kurrfarë përmirësimi, se djalli duhet të dalë në shesh vetë, se për shefa duhet të sillen njerëz prej autoritetit të së cilëve do të dridhen hajnat në jug sa ta dëgjojnë se treni që i sjell shefat e ka kaluar Ristovacin.

Dhe nuk është fjala për partitë, as për Markun, as për Jankon. Pikërisht midis radikalëve ka aq njerëz, të cilët e shohin gjithë këtë ligësi, e pranojnë dhe kanë dëshirë ta ndryshojnë gjendjen për të mirë, mirëpo zëri i tyre nuk dëgjohet nga ana e mashtruesve zyrtarë të opinionit publik, e gjahtarëve të privilegjuar të pyjeve dhe nga një rezignacion i përgjithshëm me bindjen se këto punë medoemos kështu duhet të jenë.

Kush e ka lexuar me kujdes në “Politikë” ditarin e fatkeqësisë ruse “Nga Nikola II deri te Lenini” ka mundur të fitojë një përvojë me vlerë. Mirëpo, ka thënë dikush, historia është mësuese e botës, prej të cilës askush, asnjëherë asgjë nuk ka mësuar.

LEXO PJESËN PARAPRAKE – AKSIONI I ÇETNIKËVE

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button