Mendojmë shumë e reflektojmë pak

Papunësi, rrahje, vrasje, mashtrime, korrupsion, diskriminim, vjedhje, përgojime, këto janë karcionomet që dita ditës në mënyrë të pamëshirshme rrënojnë vendin tonë. Besoj se secili prej nesh, këto pyetje po ia parashtron vetes:

Përse po ndodhin gjëra të këtilla, përse gjithë këta të rinj po enden rrugëve, përse po na mashtrojnë, përse po na rrahin, përse po na burgosin, nga i gjithë ky korrupsion dhe e fundit por më e rëndësishmja “Mos vallë të gjitha këto ua kemi mundësuar ne duke qëndruar gojëmbyllur”?!

Ndonëse, ne shumë lehtë mund të arsyetohemi nga shkaku se jemi lodhur duke ua shpjeguar politikanëve tanë gjendjen dhe problemet që na ngulfatin vazhdimisht dhe përsëri ata as që duan të na kuptojnë. Ndaj, mbi të gjitha nuk duhet të qëndrojmë duarkryq po  të gjithë së bashku duhet të ngremë  zërin për të triumfuar e vërteta dhe e drejta. Të tjerët vazhdimisht po na hedhin gurrë, duke harruar se ne jemi arkitektët që ndërtojmë të ardhmen tonë dhe se prej nesh varet nëse do të krijojmë urë apo mur me gurët që ata hedhin.

Politikanët tanë e kanë harruar qëllimin dhe amanetin se përse gjenden nëpër ato kolltukë që i vendosi populli, kanë harruar detyrat që i kanë për obligim t’i kryejnë, pasi paraja ua ka helmuar shpirtrat, e kanë mbushur botën në urrejtje dhe na ka marshuar në mjerim. Shumë njerëz luftuan për lavdi, shumë të tjerë për pushtet kurse një masë shumë e vogël për drejtësi.

Jemi ne që vendosim se a do tua mbyllim këto dyer personave të gabuar dhe joadekuat, jo nga shkaku i krenarisë apo arrogancës por thjeshtë misioni i tyre nuk na dërgon askund, ngase jemi lodhur duke dëgjuar premtime pafund, gënjeshtra të padëgjuara, fjalë me ngjyra ylberi por vetëm fjalë.

Pra, zotërinj të “nderuar”, nuk është me rëndësi se ku jeni sot por duhet menduar destinacioni ku do të arrini nesër pasi arritjet e mëdha kërkojnë ambicie të mëdha.

Për këto arsye, ne nuk duhet të dorëzohemi pasi jemi mësuar duke na goditur por prapë durojmë, jemi mësuar duke na bërë padrejtësi por prapë  rezistojmë, ndonjëherë i humbim shpresat por i ringjallim, ndonjëherë  s’kemi forcë por e gjejmë fuqinë.

Ndaj, nuk duhet të lejojmë që i gjithë faji t’i faturohet dhe adresohet heshtjes dhe përzgjedhjes tonë pasi e kemi lënë vetveten të mbyllur, ku dituria na ka bërë cinik, ku mendojmë shumë e reflektojmë shumë pakë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button