Demaçi lëvdata për Merkel, thotë se është engjëllushja e Evropës

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e ka vlerësuar pozitive për shqiptarët Konferencën për Ballkanin Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama dhe Hashim Thaçi.

Demaçi për “Epokën e re” ka thënë se kjo konferencë është kthesë historike për shqiptarët.

Sipas tij, për herë të parë shqiptarët po bien në duart e ustallarëve të vërtetë të krijimit të shtetit dhe të përparimit të ekonomisë.

“Me të vërtetë kjo është një datë historike sepse po bëhet një kthesë e madhe në historinë edhe të Evropës ndaj shqiptarëve edhe të shqiptarëve në Evropë, të cilët janë munduar aq shumë për Evropën, e cila nuk dëshironte t’i shpërblejë si duhet shqiptarët gjatë historisë”, ka deklaruar Demaçi.

Ai ka thënë se Evropa dhe Gjermania më në fund e kanë kuptuar se duhet të faktorizohen shqiptarët në rajon.

“Kësaj herë Evropa, në krye me Gjermaninë, e kanë kuptuar se duhet t’i faktorizojnë shqiptarët, e jo sikur deri më tani që i kanë defaktorizuar për llogari të fqinjëve tanë, të cilët na kanë marrë toka dhe na kanë pushtuar. Kështu që, në këtë drejtim është një hap i madh që është duke e bërë zonja Merkel, të cilën unë e quaj engjëllushja e Evropës, e cila është duke dëshiruar ta qetësojë Ballkanin njëherë e përgjithmonë. Moszgjidhja e problemit të shqiptarëve në mënyrë të drejtë, faktikisht e ka mbajtur Ballkanin në një padrejtësi. Prandaj, janë bërë edhe lufta të padrejta dhe bota është detyruar të intervenojë”, është shprehur Demaçi.

Ai ka vlerësuar se me këtë faktorizim që Gjermania i ka bërë shtetit shqiptar, janë duke u krijuar kushtet që shqiptarët të barazohen me shtetet fqinje.

“Tash e tutje, me faktorizimin e shqiptarëve, me qëndrimin e drejtë të Gjermanisë në radhë të parë ndaj shqiptarëve, po krijohen kushtet që shqiptarët të barazohen me fqinjët e vet dhe të marrë fund gjithmonë ajo ligësia e shqiptarëve, e cila ka qenë shkak për lakminë e këtyre rreth e rrotull nesh. Në momentin kur shqiptarët të forcohen sa duhet, kjo lakmi do të largohet dhe do të krijohet paqja që e dëshiron Evropa, natyrisht edhe ne”, ka thënë Demaçi.

Sipas Demaçit, nga kjo konferencë Kosova dhe Shqipëria mund të përfitojnë shumë për shkak të fuqisë ekonomike dhe politike që ka Gjermania.

“Gjermania ka para, ka dije dhe ka besnikëri, sepse kur t’i merr gjërat në dorë i çon deri në fund. Natyrisht se i zhvillon edhe si duhet. Kështu që, për herë të parë shqiptarët po bien në duart e ustallarëve të vërtetë të krijimit të shtetit, institucioneve shtetërore, të mbajtjes së shtetit dhe të përparimit të ekonomisë”, ka thënë Demaçi, duke shtuar se kësaj radhe shqiptarët e kanë shansin të ecin përpara.

“Shqiptarët për të parën herë, nëse dëshirojnë të punojnë, e kanë shansin. Natyrisht, gjermanët kanë përvojë të mirë me shqiptarët, një numër shumë i madh jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Prandaj, shqiptarëve po i jepet shansi të dalin njëherë e përgjithmonë nga prapambetja dhe të barazohen me shtetet përreth, në mënyrë që të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane”, është shprehur Demaçi. /epoka e re/

Lajme të ngjashme

Back to top button