Përparësitë e muajit të agjërimit nën prizmin psikologjik

Nga  Mr. Muhamed Jonuzi

Jemi mësuar gjithnjë që agjërimin si ritual fetar (ibadet) ta shohim t’u “nënshtrohet” filtrave të mjekëve dhe teologëve, mirëpo rrallë herë kjo ndodh që të jetë epiqendër e “llupës” së psikologëve. Për muajin e agjërimit janë bërë studime e hulumtive nga studiues të ndryshëm botërorë; mirëpo, si duket,  studiuesit shqiptarë në këtë sferë po “çalojnë”!

Para se të kaloj në temë, do kisha dashur të nënvizoj rastin kur njërit prej profesorëve të mi iu drejtova me fjalët: “Profesor, këtë pjesë që shkruan në Kur’an, tashmë ka arritur ta vërtetojë edhe shkenca”. Më la mbresa reagimi i tij, duke më thënë: “Ajo që është në Kur’an, është irrelevante, e vërteton apo jo shkenca”! Është për ta marrë lakmi një personalitet të këtillë, aq i formuar në aspektin profesional, të posedojë gjithë këtë iman!

Edhe pse po jua paraqes këtë rast, (për mua tejet interesant), mendoj se ne duhet prezantuar edhe më tej të arriturat shkencore të disiplinave të caktuara, për rituale fetare të caktuara.  Muslimanët janë të detyrar ta kërkojnë diturinë prej djepi deri në varr, meqë imperativ i parë për to është “Leximi, mësimi dhe studimi…”.

Në rreshtat në vazhdim, në këtë punim simbolik, do të mundohem të hedh në pah përparësitë psikologjike të agjërimit, muajit të Ramazanit. Vlerësoj se nuk mund të ketë “protokol” më të përpiktë, ku edhe sekonda është tejet e rëndësishme. Njeriu në njëfarë mënyre, pjesë të lindur (cilësi) të tij e ka lartësimin e të Lartmadhërishmit. Askush nga ne, i urritur dhe i etur, nuk do të respektonte rregull njerëzor, në kohë kaq fikse, pos urdhërit Hyjnor!

Psikologët pranojnë përfitimet e agjërimit në aspekt fiziologjik (shëndetësor), qëndrueshmërisë fizike dhe asaj psikike. Si i tillë, agjërimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në psikën e personit që agjëron. Duke pasur parasysh se Islami, kërkon nga muslimani që të jetë i pastër, vigjilent, i shkathët dhe energjik, nuk mund të gjejmë periudhë më të përshtatshme për t’i gërshetuar në mënyrën më të mirë këta komponentë, sesa gjatë agjërimit të Ramazanit.

Gjithnjë periudha në të cilën jetojmë karakterizohet si periudhë tejet stresante, “i madh e i vogël”; fjalën stres apo “shtres”, edhe nëse nuk e dijnë realisht se çfarë është, në bisedat e tyre e gjejmë rëndom! Andaj, sipas studiuesve, agjërimi ul stresin, duke pasur  kështu ndikim normalizues në sistemin nervor autonom. Duke u bazuar në një hulumtin të realizuar nga Galup, në Abu Dabhi, Duke, A. (2011), nga CNN, shkruan se pjesëmarrjet e shpeshta në xhami dhe adhurimet e shtuara gjatë muajit të Ramazanit, pakësojnë stresin dhe ulin zemërimin. Ndërkohë, sipas një studimi tjetër, të kryer në vitin 1997 në Departamentin e Shkencave Mjekësore në Kuvajt, në të cilin kishin marrë pjesë 265 studentë, thuhet se agjërimi ndikon pozitivisht në reduktimin e stresit, duke shikuar dhe dëgjuar programe fetare, në njërën anë, dhe duke u marrë me aktivitete shpirtërore siç janë lutjet dhe leximi i Kur’anit, në anën tjetër.
Edhe pse me përkatësi fetare jomusliman, Randi Fredricks, tha: “Agjërimi ka fuqinë për të ndryshuar individin, komunitetin po dhe botën.” A thua, vallë, ne muslimanët mund të gjejmë periudhë kohore më të përshtatshme për t’u ndryshuar, nga seç e kemi Ramazanin?

Agjërimi paraqet kontrollues të dëshirave, të disponimit, zhgënjimit dhe lumturisë së tepruar. Në këtë periudhë tek njeriu më shumë se kurdoherë ngjallet ndjenja e frikërespektit ndaj Krijuesit, duke kufizuar veten personi që agjëron në shumë aspekte dhe duke ulur kështu ndjenjat rebeluese. Duke kuptuar më mirë se kurdoherë realitetin e botës, shtypim dëshirat tona të kota e shfrenuese, duke i vënë ato nën kontroll, me anë të adhurimit!

Ky muaj paraqet muaj të vetëpërmbajtjes, muaj në të cilin zhvillohet durimi dhe paqja e brendëshme. Agjëruesit janë të urdhëruar që në qoftë se përballen me situata konfliktuoze, duke përdorur “mekanizmin mbrojtës”, “unë jam agjërueshëm”, duhet vënë në pah personalitetin paqëdashës, ashtu siç duhet të jenë gjithmonë!

Muaji i Ramazanit paraqet muaj në të cilin, si pasojë e mosimpenjimit se “çka duhet të ha e çka duhet të pi”, te muslimani ngjall kreativitet. Ai, më shumë se kurdoherë tjetër, mund të mobilizohet për t’u avansuar si në planin personal, po dhe duke ndihmuar në planin shoqëror. Është pikërisht koha në të cilën, edhe në qoftë se një njeri gjendet në majën më të lartë të motiveve, e njohur në psikologji si “hierarki e nevojave të Maslout” – vetaktualizimi, e ka të patjetërsueshme të kthehet brenda ditës, në nivelin më të ulët, në të cilën paraqiten motivet kryesore (fiziologjike) apo fundamentale për jetesë! Ai në këtë rast, kujton personat të cilët nuk i kanë plotësuar aspektet bazike për jetesë. Ramazani luan rolin e një transformuesi të karakterit (humanitetit), nga dorështërnguar në person me ndjenja altruiste. Kur ne ndjejmë uri në veten tonë, ngjallen ndjenjat për të ndihmuar të varfërit. Pra, i pasuri mendon më racionalisht se kjo botë nuk është e tij, dhe eliminon tek ai ndjenjën e tepruar të krenarisë!

Dr. Wisniewski (2010), nga Universiteti Leiçester, thotë: “Ramazani paraqet periudhë shumë të rëndësishme të vetëpërmirësimit…” Agjërimi ndihmon për të krijuar fuqi, ndihmon zhvillimin e vetërespektit, ngrit vetëkontrollin (si pasojë e mungesës së të cilit shumë deformitete ndodhin në shoqëri) dhe mbi të gjitha stimulon vetëbesimin si promotor të suksesit në jetë. Në shoqëri shumë gjëra ndodhin si pasojë e mungesës së vetëbesimit dhe vetëkontrollit. Si pasojë e mungesës së këtyre dy komponentëve mjaft të rëndësishëm, njeriu ballafaqohet me ndjenjën e inferioritetit. Andaj, shkencërisht është e vërtetuar se ai që nuk ka vetëbesim dhe vetëkontroll, nuk ka gjasa të jetë një lidership. Pra, roli dytësor i agjërimit në këtë rast është ai se muaji i Ramazanit stimolon veti të lidershipit.

Nga ana tjetër, për të gjithë ata të cilët vlerësojnë se pjesë të tyre janë edhe shprehitë jo të mira, ky muaj paraqet mundësi të mirë për largim të shprehive negative. Duke iu referuar studimeve psikologjike të cilat thonë se “shprehitë janë më të lehta për t’u zëvendësuar apo për t’u larguar në një periudhë kohore 30 ditore”, konkludojmë se është rast tejet i volitshëm muaji i Ramazanit, për të ndërprerë së konsumuari, për shembull, pirjen e duhanit!
Në kohën kur, si asnjëherë më parë, nuk respektohen lidhjet farefisnore, nga këndvështrimi i Psikologjisë sociale, ky muaj përforcom lidhjet sociale. Me këtë rast, pavarësisht rangut dhe prestigjit që familjarët tanë kanë në shoqëri, në këtë muaj do të tejkalonim stereotipet, barrierat e komplekset. Agjërimi mund të jetë një praktikë e jashtëzakonshme transformuese shpirtërore”,- thotë Len Sperring.

“Agjëroni, që të jeni të shëndetshëm!”. Agjërimi është shërim për shumë sëmundje; si i tillë, ai konsiderohet një nga 26 ritualet më të njohura në botë. I vetëdijshëm se edhe shumë aspekte mbetën pa u prekur, apeli im i fundit deri tek të gjithë ata të cilët nëpër kafene pa fije turpi hanë dhe pinë, është: “Agjëroni, sepse keni edhe shumë mënyra më dobiprurëse për të qenë në “qendër të vëmendjes”! Zoti nuk a ngarkon njeriun përtej mundësive. Agjërimi është obligim për të shëndoshët fizikisht dhe psiqikisht! Ti që nuk agjëron dhe je i shëndoshë, pse e kategorizon veten si njeri jo i shëndoshë?!

Krijesa njerëzore është shumë e vogël që këtë urdhër Hyjnor të mos e respektojë!

 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button