Policia hyn në thellësi të Dukagjinit, rinis sot operacioni antikanabis

Forcat e policisë së shtetit pritet të rinisin sot operacionin antikanabis në veri të vendit. Operacioni u ndërpre përkohësisht përgjatë ditës së djeshme për të ngritur kampingje. Blutë janë përballur me një terren tejet të vështirë gjatë ndërhyrjes, ku individë të caktuar kanë ngritur armët ndaj tyre.

Prokurorët e Shkodrës po ndjekin hetimet lidhur me personat të cilët kanë qëlluar me armë ndaj policisë, apo që ata kanë kultivuar bimën e kanabisit.

“Strukturat e Policisë vijojnë operacionin për identifikimin dhe asgjesimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit Shkodër. Gjatë paradites së sotme, me qëllim për t’ju përshtatur sa më mirë kushteve të terrenit dhe menaxhimit sa më të mirë të forcave policore, po bëhet dislokimi i tyre në një zonë tjetër të operacionit, ku aktualisht po ngrihet kampingu. Operacioni per kontrollin e vendeve, për shkak të pamjaftueshmërisë së kohës për tu zhvilluar sot, do të nisin në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme, datë 26.08.2014”- informoi dje policia përmes një komunikate për mediat.

Operacioni katër ditor në veri solli 10 të shpallur në kërkim, 1 të ndaluar dhe 29 të shoqëruar. Aksioni ku u angazhuan 294 forca policore vijoi për 4 ditë me radhë, dhe gjatë kësaj kohë janë asgjësuar 86 930 rrënjë kanabis sativa, të cilat ishin kultivuar në 175 parcela, u sekuestruan 10.5 kg bocebime kanabis sativa, 3 krehëra me 74 fishekë.

Policia ndërmori dhe kontrolle në banesa për kapjen e personave të kërkuar dhe gjetjen e gjurmëve, provave apo sendeve të ngjarjeve kriminale. Operacioni policor do të vijojë sërish në orët e para të mëngjesit të së martës.

Personat e shpallur në kërkim nga policia
-Besnard Kol Bungaja
-Lek Thani
-Nikollë Shpati
-Mentor Bungaja
-Nik Tonaj
-Pal Dushku
-Pëllumb Dushku
-Gjin Guri
-Kol Bungaja
-Geg Kola

Lajme të ngjashme

Back to top button