PDSH e reformuar, kërkesë e kohës dhe shpresë e së ardhmes

Jo gjithmonë heshtja është flori. Sa me pak të heshtësh, ndaj fenomeneve që ngulfatin jetën demokratike të politikës në Maqedoni, aq më shumë  e ndihmon burokracinë dhe diktaturën e lidershipit. Mendimi publik dalë ngadalë duhet të përcillet në vendin e duhur: gazeta, portale apo mediume elektronike. Spektri politik, instiucionet legjitime, janë ato që e diktojnë jetën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.  Tranzicioni politik në Maqedoni, ishte shpresdhënës  më tepër per  shqitarët, të cilët u besonin ndryshimeve demokratike. Ata u mobilizuan politikisht, formuan parti politike, dhe besonin në mënyrën institucionale të zgjidhjes se konteksteve politike për shqiptarët. Atëbotë elita intelektuale shqiptare ishte e pranishme dhe e gjithëpërfshirëse në proceset politike. Veprimi politik shtrihej në dy partitë ekszistuese të kohës, –  PPD dhe PDP. Intelektualë që dëshironin t’i lëvizin proceset në kahen e duhur herë – herë hasnin në pengesa nga veprime militantiste të elementit politik, që vinin nga vetë partitë plitike.

Shpërberja e Jugosllavisë që çoi në  luftëra ndëretnike dhe fuqizimi i Serbisë  së  Milloshoviqit  pati  ndikim  të drejtpërdrejt   edhe  në Maqedoni, ku  veprimi politik i partive shqiptare ende nuk e kishte marrë veten. Pavarësisht  nga këto dukuri aq të vrazhdta që erdhën  nga procesi i shpërbërjes të shtetit të përbashkët dhe ndërtimit të shtetit unitar të Maqedonisë,  shqiptarët përmes partive politike vazhduan ta shprehnin paknaqësinë brenda  organizimit politik të tyre, dhe përfaqësimit  në Qeverinë e atëhershme. Rezultatet e dobëta të veprimit politik dhe pakënaqësia e një pjese të antarësisë rezultoi me përçarjen e   PPD dhe lindjen fraksionit që më vonë u legjitimua si PPDSH. Një ngjarje me rëndësi në politikën shqiptare, shënoi edhe bashkimi i  PDP me PPDSH, në një parti të vetme me emërtimin PDSH.

Konflikti i vitit 2001, që më vonë  rezultoi me lindjen e subjektit politik, BDI ishte risia e radhës e spektrit politik shqiptar në  Maqedoni. Me instalimin e kësaj partie në jetën politike, shqiptarët me të drejte shpresuan dhe  ishin kurreshtarë për ndryshimet e shumëpritura kushtetuese, politike dhe ekonomike. Marrëveshja e  Ohrit, ishte dokumenti i parë juridik, përmes së cilës u mbyll konfikti ndëretnik në Maqedoni. Ky dokument,  sadoqoftë me difekte ishte dhe mbeti  udhërrëfyesi dhe obligimi i gjithë partive politike.  BDI, si parti që për një kohë të gjatë është në pushtet, edhe pse e ka obligim dhe objektiv programor implementimin e plotë të kësaj marrveshjeje, edhe sot, pas trembëdhjetë vitesh, nuk ka fuqi politike për implementimin e mirëfilltë  të saj.

Një problem tjetër mjaft i rëndësishëm për gjithë qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për shqiptarët,  është edhe stagnimi dhe mos integrimi në strukturat e BE dhe NATO-s. Konteksti i emrit të Maqedonisë, si parakusht për integrim në këto struktura, ngel problemi më esencial për integrimin e vendit duke  mos e anashkaluar edhe mos zbatimin  e MO si dhe problemet  ndëretnike që paraqiten kohë pas kohe.  Shqiptarët e Maqedonisë janë peng i këtij konteksti për ndërrimin e emrit,  dhe pa fajin e tyre mbetën  jashta dyerve të BE dhe NATO-S.

Subjekti politik i BDI, si pjesë edhe e  Qeverisë nuk mori asgjë nga ajo që kërkonte,  duke hequr dorë edhe  nga posti i Kryetari të Kuvendit të RM, Kryetarit  konsenual të shtetit etj. Në vend të publikimit të ndonjë  marrëveshje për qeverisje të përbashkët  me  VMRO-DPMNE, lideri i saj deklaroi se brenda gjashtë muajve vendi do të anëtarësohet në      Nato, por siç duket, kjo mbetet vetëm një ëndër.

Situata e brishtë politike në Maqedoni, duke filluar nga mos implementimi i MO, hakmarrjet sistemaike ekonomike dhe politike ndaj shqiptareve për konfliktin e 2001, mos respektimi  i Ligjit të përdorimit të gjuhës, mos ndarja e buxhetit në mënyrë proporcionale,  ndarja e subvencioneve  në bujqesi, blegtori ne formë selektive, ndikimi  dhe kontrolli politik në gjygjësi, teri informativ, proceset e montuara politike, harxhimet dhe borxhet marramendëse për ndërtimin e Shkupit 2014, si dhe ajo më kryesorja ngecja e proceseve integruese, flasin për paaftësinë e kësaj qeverisjeje.  Nëse i numërojmë paknaqësitë  sociale, politike dhe ekonomike të shqiptarëve, dhe në të njëjtën kohë shohim një rejting të lartë për  politikën e  këtij subjekti, atëherë gjithsesi se nevoitet një sensibilizim i opnionit për të analizuar edhe  rolin dhe detyren e subjektit politik opozitar në këtë rast të PDSH.

Jetëgjatësia e këtij pushteti të korruptuar me mekanizmat e saj, qofshin duke i shfrytëzuar benifitet e pushtetit për të punësuar, shantazhuar e  sanksionuar njerëz që mendojnë ndryshe, rritet edhe nevoja për një  alternative të mirrëfilltë të opozitarizmit të vërtetë.   PDSH-ja dhe lideri saj , nuk ditën, ose nuk deshën të mbledhin forcë për afrimin e  njerëzve me synime të sinqerta, intelektualë dhe pjesë të shoqërisë civile, si dhe t’i bashkojë të gjitha forcat politike opozitare. Praktika e deritanishme për krijimin e partive të reja shqiptare, rezultoi me mospërkrahje nga votuesit,  prandaj PDSH e ka të domosdoshme ripërtrirjen e saj,  dhe llogaridhënien për humbjen e shumë cikleve zgjedhore. PDSH  e kryesuar nga lideri historik, Arbën Xhaferi, tuboi rreth veti shume intelektualë me bagazhë të fortë kombëtar dhe me  autoritet të madh në mjediset prej nga vinin, që tani, pothuaj se të gjithë janë të larguar në mënyra të ndryshme.  Sot është e papranueshme që kjo parti që faktikisht është në opozitë, t’i ndihmojë pushtetitm si në rastin e përkrahjes së Ivanovit për president të vendit, apo edhe të Qeverisë, pjesë e së cilës nuk është.  Llogaridhënia e lidershipit, kudo në botë, madje edhe për humbje të një cikli zgjedhor, është akt moral dhe politik. Akti i dorëheqjes nga posti për shkak të humbjes së zgjedhjeve është shumë njerëzor dhe ndershëm. Kështu kanë vepruar dhe veprojnë shumë politikanë që e kuptojnë barrën e përgjegjësisë, e që janë të bindur se ndonjë tjetër do t’i çojë punët përpara. Raste të këtilla ndodhën edhe në vendet rreth nesh, por edhe në Maqedoni. Fatos Nano, pas humbjes në një cikël zgjedhor dha dorëheqje duke i dhënë mundësi Edi Ramës që ta udhëheq partinë, kjo ndodhi edhe në Partinë Demokratike të Shqipërisë kur Sali Berisha pas humbjes së zgjedhjeve  dha gjithashtu dorëheqje dhe i dha shansin  Lulzim Bashës. Kësisoj shembujsh kemi edhe dorëheqjen e Lupco Georgievskit nga VMRO, Branko Cërvenkovskit, Vllado Buckovskit dhe  Radmila Sheqerinskës nga LSDM, apo në Kosovë siç ishte rasti në LDK, me Fatmir Sejdiun.

Për hirë të realitet politik dhe kthimit të shpresës për shqiptarët në Maqedoni, PDSH dhe lideri i saj duhet të mendojë seriozisht për fatin e PDSH në të ardhmen, duke  analizuar edhe përkushtimin e mijëra anëtarëve që kanë kontribuar me tërë qenien e tyre, e që kohë  pas kohë u keqtrajtuan dhe u larguan  nga puna. E tërë kjo anëtarësi , tanimë e demoralzuar, po e ngre zërin dhe kërkon ndryshime. Tanimë është koha e fundit kur duhet të analizohet e të vlerësohet realisht  doktrina e Arbën Xhaferit, që i dha botës shqiptare mendimin e  formësimit politik. Duhet të lexohen porositë e tij, të kultivohen idetë dhe të shfrytëzohen miqtë  e tij, qofshin ato shqiptar apo  ndërkombëtar. Me gjithë këtë ngërç politik, dhe mossukses  brezi i ri e ka për obligim të kërkojë rrugëdalje duke i thyer tabutë e lidershipit të përhershëm. Kjo forcë e të rinjve është e pandalshme dhe po korr sukses edhe në Kosovë, për mes lëvizjes “Vetëvendosja”. Është koha që edhe në Maqedoni të tejkalohen inatet që janë sindromi më i shëmtuar i shoqërisë, dhe t’u hapet rrugë njerëzve që duan t’i marrin përgjegjësitë, të instalohen vlera të mirrëfillta dhe demokratike.

Dhe në fund këtë shkrim dua ta mbyll me një mendim të Pierr Eliot Trudo kur thot:

“Në pikëpamje akademike përpiquni të pohoni të vërtetën absolute, në politikë kërkoni që të vërtetën t’ia përshtatni fakteve përreth jush”

Lajme të ngjashme

Back to top button