Ecologu e shpëtoi Shkëndijën, a do të jetë dhe sponsor?!

Kompania e njohur ndërkombëtare “Ecolog” nëpërmjet një njoftimi për opinion ka bërë të ditur se do ta shpëtoj Shkëndijën nga rënia, duke financuar me 13.000 euro.

“Në zyrat tona, por edhe ne publik, përfaqësues të shoqatës së tifozëve Ballistët dhe përfaqësues të KF Shkëndija, ditëve të fundit janë drejtuar me kërkesat dhe lutjet e tyre ndaj kompanisë “Ecolog” edhe ndaj Z. Lazim Destani. Për më shumë, përfaqësuesit në fjalë kanë paraqitur informata për gjendjen e vështirë me të cilën ballafaqohet për momentin KF Shkëndija, dhe në veçanti Ballistët kanë shprehur lutjen e tyre që Kompania Ecolog të ndihmoj klubin, duke e marr atë përsipër me të gjitha aspektet e menaxhimit”, thuhet në fillim të njoftimit.

Në vazhdim të njoftimit thuhet e z.Lazim Destani dhe kompania Ecolog shprehin falënderime për besimin e shprehur ndaj tyre, duke theksuar se KF Shkëndija është klubi historik me të cilin krenohet qyteti i Tetovës, por edhe më gjerë në trevat tona. “Gjejmë rastin, të shprehim mirënjohjen tonë edhe ndaj Ballistëve të cilët me angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm vullnetarë kanë mbështetur pa reshtur KF Shkëndija gjatë gjithë kësaj kohe. Jemi shumë të vetëdijshëm për statusin dhe interesin publik të KF Shkëndija, dhe kjo është sfida që brengos për modelin e menaxhimit të këtij dimensioni me statusin dhe vendimbërjen e një entiteti privat që e definon sistemi ligjor”.

Kompani Ekolog ka shqyrtuar me kujdes kërkesën e sipërpërmendur lidhur me KF Shkëndija. “Duke pasur parasysh gjendjen kritike të klubit dhe sidomos situatën me regjistrimin përkatës në FFM duke rrezikuar kështu rënien për disa kategori, ne pa hezituar kemi shprehur gatishmërinë të ndihmojmë klubin të kapërcej këtë situatë emergjente. Kështu, me një procedurë të përshpejtuar, Z. Lazim Destani, do të kontribuoj me një ndihmë të njëhershme prej rreth 13,000 euro, aq sa është shuma e regjistrimit përkatës për kuotizim në FFM, që të tejkalohet kjo pengesë kritike për funksionimin e klubit”, theksohet në njoftim.

Zyra e lazim Destanit në Maqedoni njofton se “Ecolog” në parim nuk ka në filozofinë e veprimit angazhimin direkt në sport, por për hir të dashamirësisë dhe besimit të shprehur kanë analizuar kërkesën për tu involvuar më shumë tek KF Shkëndija, dhe për çdo zhvillim tjetër do të njoftojnë publikun në kohën e duhur. “Edhe njëherë, ky kontribut nënkupton vetëm parandalimin e dëmtimit të statusit të klubit për një pengesë financiare-kuote administrative nga federata përkatëse dhe krijim shanse për kontinuitet në statusin e arritur me shumë sakrifica nga të gjithë kontribuuesit deri tani. Urojmë që situata e krijuar me klubin të tejkalohet më shpejt, ashtu siç e meriton një klub si KF Shkëndija, dhe të vazhdoj garën me sukses, ashtu siç e meritojnë tifozët e saj”, përfundon njoftimi i kompanisë së njohur “Ecolog”.

Lajme të ngjashme

Back to top button