Rama: INUK-u shkrihet brenda 30 ditësh

Ministria e Brendshme gjatë takimit që po zhvillon me Drejtorët e Policisë së 12 qarqeve, po diskuton në lidhje me masat që do të merren për ndalimin e ndërtimeve pa leje.

Ky takim, në të cilin është prezent kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si dhe krerë të institucioneve që trajtojnë çështje urbanistike dhe vendore, vjen pak ditë pas vendimit të marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit për pezullimin e dhënies së lejeve për ndërtim, për të gjithë vendorët, deri në paszgjedhjet e 2015-ës.
Edi Rama: INUK-u do të shkrihet brenda 30 ditësh, kompetencat i kalojnë MB-së. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të shkrihet brenda 30 ditësh, dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

“Inspektorati do të shkrihet brenda 30 ditësh dhe gjithë burimet njerëzore të këtij inspektorati do të transformohen rrënjësisht nga burimet njerëzore tërësisht të papërballueshme, në burime njerëzore që do të merren me këtë problematikë në funksion të punës së policisë për zbulimin, shoqërimin dhe arrestimin e çdo krimineli që cenon qoftë dhe një metër katror pronë të përbashkët pa autorizimet e shtetit”, u shpreh Rama.

Tahiri: Në 300 ditë, 1507 persona janë proceduar për pushtim toke dhe ndërtim pa leje

Ndërsa, ministri i Brendshëm u shpreh se arsyeja pse ndodhen këtu është një tjetër krim masiv me pasoja të pandreqshme, pasi nuk ka km katrorë në Shqipëri ku nuk ndërtohet pa leje ashtu siç nuk ka shtrat lumi që nuk shfrytëzohet barbarisht.

“Ndërtimi i paligjshëm nga vetë pronari është vepër penale e jo më ndërtimi në pronë publike. Që nga sot, Policia e Shtetit i cilëson prioritet veprat penale që lidhen me mjedisin. Çdo tullë pa leje në zonën tuaj është nën përgjegjësinë tuaj.

Në 300 ditë, 1507 persona janë proceduar për pushtim toke dhe ndërtim pa leje. Një vit më parë askush nuk merrej me këtë punë, por nuk krahasohet me përmasat e këtij problemi. Kjo statistikë nuk është kurrë e mjaftueshme që policia mos të bëjë detyrën me më shumë forcë. Kush ndërton pa leje ka kryer një krim para të gjithëve dhe do mbajë përgjegjësi para ligjit. Kush lejon ka kryer një krim edhe më të madh”, u shpreh Tahiri. /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button