Nën mëshirën e “hiçit”!

Në agun e mëngjesit të pashpresë, zgjohesh duke mos e ditur ç’ke për të bërë, kaplohesh nga ndjesi të paskurpullta dhe shtiresh sikur gjithçka është në rregull. Këtë kënaqësi ta ofron vendi ynë, i harruar nga fati, i përbuzur nga vet ne, i dremitur në mjegullinat ënderrore, e i rraskapitur nga realiteti i brishtë!

Ajo që të ngulfatet e që të ndal frymën, t’i errëson sytë e të ngurtëson zemrën është të mos kesh guxim të shpresosh, të ndjehesh i humbur, të spërkatesh me ndjenjën e frikës, të të mohohet e drejta e lëvizjes, të jesh i burgosur kundrejt fjalës tënde, të ndjehesh i gjymtuar kundrejt ardhmërise, të mos guxosh të shohesh jetën, të dremitesh në ëndrra në sirtar, të vetkënaqesh me atë që jeta t’a servon, të ecësh me symbyllur në rrugën tënde të pambarim, të zgjohesh i lodhur nga gjumi dhe të flesh i pushuar, të përplasesh me fatkeqsitë e realitetet, të mos kesh një botëkuptim tëndin, të varrosesh ardhmërinë tënde!

Aty ku nuk e di nëse rreziku të kanoset nga “mjekrra” apo nga “kollarja”, aty ku po të mendosh ndryshe nga të tjeret je i krisur, aty ku nëse je kundër diçkaje je ekstremist, aty ku nëse perkrah diçka të venë në dyshim moralin, aty ku perqafohen ‘gjithckaja’ dhe ‘asgjeja’!

Çdo hap që hedh, mund të të kthehet në ‘egjel’! Një e dalur në rrugë mund të të shoqërojë me plumba, një kalim i rruges mund të të shoqërojë me pasoja për jetë, nga shpejtësia e katrnosur e makinave, një mungese e mbrojtësve në rruge të kushton me jetë, nga shpejtësia e trenit! Dhe jo vetëm kaç! Shumë e shumë mizori të tjera, ‘në të bardhën’ e ‘në të zezën’, duke u thirrur në gjëra ‘të shenjta’, e duke na verbuar karshih realitetit, karshih jetës!

A mos ndoshta edhe per këtë kanë faj institucionet?! Jo! Fajin e kemi vet ne, sepse presim të mirën të na vijë nga qielli, duke e ditur që është nën këmbët tona, që e kemi shkelur e përdhosur dhe që nuk po mund të gjejmë fijen e lëmshit tonë. Ne kemi faj që nuk po mund ta mbushim dot boshllëkun në zemrat e shpirtrat tonë, apo nëse e bëjmë një gjë të tillë, e mbushim me inat, mërzi, stres e injorancë. Shumë më e rruhës do të ishte që të gjenim zgjidhjen para fjatorit, të kapim të mirën para ligësisë, të përqafojmë mirësjelljen para injorancës, ta nxjerrim nga brenda butësinë dhe jo mllëfin, të forcojmë zemrën dhe jo kokën, të shtrëngojmë duart dhe jo dhëmbët!

Të fillojmë së ndryshuari secili në mënyrën dhe mundësinë e vet, nga vetja, familja, miqtë, e në fund të ndryshojmë gjithë shoqërinë tonë, të mos ndjehemi inferiorë e të mos jemi të përbuzur nga të tjerët, të cilëve ne u mësuam kulturën dhe sot na përqeshin tonën. Të mbrojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë vetën dhe t’i hapim dyert vendit tonë, që të shohë botën!

Lajme të ngjashme

Back to top button